Grafiku në foton bashkëlidhur këtij postimi, është shkëputur nga rezultatet e pyetësorit: “Teaching and Learning International Survey” (TALIS) i OECD-së, ku theksohet se mësuesit e rinj (fillestarë) shpesh përballen me klasa më sfiduese.
Grafiku mat përqindjen e mësuesve të arsimit të mesëm të ulët që raportojnë se ruajtja e disiplinës në klasë është burim stresi. Në pothuajse çdo vend të anketuar, mësuesit fillestarë (pikat portokalli) raportojnë një nivel më të lartë stresi për ruajtjen e disiplinës sesa mësuesit me përvojë (pikat blu).
Konfirmohen kështu gjetja e përgjithshme se mësuesit e rinj shpesh punojnë në ambiente më sfiduese. Për shembull, mësuesit nën 30 vjeç kanë shumë më tepër gjasa të raportojnë se mbi 10% e nxënësve të tyre kanë sjellje anti-sociale ose çrregulluese. Kjo sugjeron se nivelet e larta të stresit janë, të paktën pjesërisht, pasqyrim i niveleve më të larta të sjelljes problematike të nxënësve.
Ka një dallim më të madh për vende si Maroku, Serbia, Portugalia dhe Brazili që raportojnë nivelet më të larta të stresit për disiplinën, veçanërisht midis mësuesve fillestarë (shifrat shkojnë deri në 60-70%). Ndërkohë vende si Republika Çeke, Kazakistani, Koreja, Japonia dhe Holanda kanë nivelet më të ulëta të stresit të raportuar (shifrat shkojnë rreth 20-30%).
Në këtë pikë Shqipëria raporton shifra të ulta të stresit, por ajo që çudit është se nuk ka deviancë midis mësuesve të vjetër dhe të rinj. Nuk e di nëse kjo mund të shihet si një sukses në menaxhimin e klasës? Jam skeptik në fakt.
Së pari ndaj pyetësorëve, por edhe për normat kulturore të raportimit. Në disa kultura, mund të ketë një ngurrim më të madh për të pranuar publikish në një pyetësor ndërkombëtar se nuk po ia del për të menaxhuar disiplinën në klasë.
Mësuesit mund të ndjejnë presion për të raportuar nivele më të ulëta të stresit ose devijancës për të shfaqur suksesin e tyre profesional apo suksesin e sistemit arsimor kombëtar.
Çështja tjetër që shtroj për diskutim është nëse përkufizohet e njëjta sjellje si “çrregulluese” në të gjitha vendet, apo jo? Sepse e dimë shumë mirë se ajo që konsiderohet thjesht “zhurmë” në një vend, mund të raportohet si “anti-sociale” në një vend tjetër.
Në sisteme ku mbështetja psiko-sociale dhe burimet për menaxhimin e sjelljes së nxënësve janë të kufizuara, mësuesit mund të jenë mësuar ta konsiderojnë stresin si pjesë normale të punës dhe rrjedhimisht mund të mos e raportojnë si problem.
Shifrat e ulëta mund të pasqyrojnë vërtet disiplinë të fortë në klasë, por ato mund të pasqyrojnë gjithashtu një lloj vetë-censurimi, normash kulturore të ndryshme ose një përkufizim më të ngushtë të problemit në kontekstin e një vendi të caktuar.
Për vende si Shqipëria, krahasuar me vendet me rezultate shumë më të larta të stresit/devijancës së raportuar, kërkohet një analizë kontekstuale të thelluar përpara nxjerrjes së përfundimeve sesa të “lumtur” jemi…
