Nëse shohim listat e Portalit “Mësues për Shqipërinë” 2025, rezultojnë 12 906 aplikime ose rreth 10 mijë kandidatë të mundshëm, pasi shumë prej tyre aplikojnë në dy apo tri zyra arsimore.
Kërkesat më të shumta i ka DRAP Korçë me 3579 dhe DRAP Tiranë me 3488 aplikime. Duke qenë se DRAP Tiranë ka më pak ZVAP, krahasuar me Korçën, tregon se kontingjenti i mësuesve në sistem ose jo, kërkon të punësohet/transferohet në Tiranë.
Po fshatrat? Po Bulqiza, Kukësi, Dibra, po zonat ku mësuesia është shpëtimi i vetëm për dijen? Aty kërkesat bien, ndërsa vendet vakante shtohen. Kontrasti nuk është rastësi, por një dëshmi se ne nuk kemi bërë mjaft për të bërë punën e mësuesit tërheqëse në periferitë, ku shpesh mësuesit janë pa kualifikim, pa mbështetje, pa dinjitet institucional.
Tabelat janë të qarta, më pak kërkesa ka DRAP Lezhë që tregon mospërputhjen midis vendeve vakante dhe kërkesave të aplikantëve, që janë më të shumta në ZVAP e saj krahasuar me Tiranën, Durrësin, Korçën, Fierin, Elbasanin, Shkodrën, apo ndonjë qyteti tjetër qendër qarku. Kjo forcon idenë se nuk është bërë asgjë për të tërhequr mësuesit të shkojnë në zonat rurale, ku ka mësues pa arsim përkatës dhe klasa kolektive.
Kjo nuk është vetëm çështje statistikash. Kjo është çështje zemre. Mësuesia ka filluar të shihet si një stacion përtej të cilit kalojnë letra, përputhje, sjellje, burokraci. Ndërsa pasioni për mësimdhënie, udhëheqja, frymëzimi, besimi, mbetet peng i procesit. Edhe pse mendoj se sot ka kandidatë potencial jo të gjithë pranojnë të shkojnë në shkollat që kanë nevojë.
E kam fjalën për zonat e thella dhe me klasa kolektive. Shumica e mësuesve pjesëmarrës në portal janë në pritje për t’u punësuar, por shumë duhet të jenë nga ata në sistem që kërkojnë lëvizje paralele gjatë vitit. Kjo do të krijojë problematika gjatë vitit për sigurimin e vijimësisë së procesit mësimor.
Përsëri, thirrja ime është, të zgjidhet mësuesia si profesion. Tani për tani, duket sikur puna e mësuesit po shfrytëzohet nga kërkesa të tjera, veçanërisht punët me letra, përputhshmëria, dhe çështjet e sjelljes së nxënësve. Shpesh mësuesi ndihet i/e mbingarkuar. Ata thjesht duan të japin mësim, kjo është ajo që duan të bëjnë, të japin mësim në kushte normale!
Besoj se kjo pasqyron vërtetë ndjenjat e shumë mësuesve të përkushtuar sot. Pasioni kryesor për mësimdhënie, dëshira për të frymëzuar, udhëhequr dhe fuqizuar nxënësit, shpesh errësohet nga një listë në rritje e barrës administrative, kërkesave të përputhshmërisë dhe sfidave të ndërlikuara të sjelljes në klasë. Le të shtojmë këtu edhe mungesën e mbështetjes shtesë për atë kategori mësuesish që mund të shkojë në zonat që përmenda më sipër.
Ky është një mesazh i fortë se sistemet tona arsimore duhet të rivlerësojnë vazhdimisht mënyrën se si i mbështesim mësuesit. Kur gëzimi i mësimdhënies zëvendësohet nga kërkesat e shumta, apo mungesa e vëmendjes rrezikojmë të humbasim profesionistë të pasionuar dhe, në fund, ndikojmë në cilësinë e edukimit që marrin nxënësit tanë. Në emër të një shoqërie që pretendon progres duhet të fokusohemi tek:
Deklarim zyrtar të mbështetjes për mësuesit e në veçanti në zonat rurale, me instrumente të prekshëm: shpërblim, strehim, mbështetje teknike dhe emocionale.
Zvogëlim të barrës jo-pedagogjike, duke ndarë rolin administrativ nga ai edukues.
Fushata të vërteta për imazhin e mësuesit, jo vetëm në “hotspote” digjitale, por në zemrat e komunitetit.
Platforma që vlerësojnë motivimin e aplikantit, jo thjesht preferencat gjeografike.
Qendra reflektimi pedagogjik rajonale ku mësuesit mund të ndajnë sfidat dhe sukseset në mënyrë njerëzore.
Si mund të punojmë, si komunitet, për të krijuar mjedise ku mësuesit të mund të fokusohen te ajo që bëjnë më mirë dhe që të duan më shumë, mësimdhënien?
Çfarë duhet të bëjmë si shoqëri për të bërë që mësuesi të zgjedhë njësoj një shkollë në qendër apo në fshat. Të shkojë me kënaqësi më punë jo ta shohë atë si alternativë.
A mundet shteti ynë të ndryshojë këtë qasje për të mbështetur arsimin në tërësi? A mund ta kthejmë pasionin në politikë publike me shpirt, jo në statuse që flasin mirë vetëm në media.
Mësuesia duhet të jetë zgjedhje me dinjitet, jo alternativë e mungesës. Një profesion që meriton mbrojtje, jo ngarkesë. Le të diskutojmë zgjidhjet që fuqizojnë edukatorët dhe racionalizojnë proceset.
Ndryshimi nis nga njohja e mësuesit jo si thjesht “dhënës i njohurisë”, por si udhëheqës i shpresës. Dhe ky udhëheqës nuk duhet të jetë i rraskapitur nga letra, formularë dhe kërkesa pa shpirt.
Për të mos mbetur të fjalët po ofroj dhe disa sugjerime për zgjidhje që fuqizojnë mësuesit:
1. Riorganizim i punës së mësuesit.
Zvogëlim i barrës burokratike me sisteme digjitale, mjete fizike dhe asistencë administrative.
Forcimi real i rolit të Koordinatorit të Cilësisë që personalisht do e emërtoja “Mentor Pedagogjik” në shkolla, që ndihmon me çështjet e sjelljes, etikës dhe zhvillimin profesional.
2. Mbështetje emocionale dhe zhvillim profesional
Trajnime mbi menaxhimin e klasës, inteligjencën emocionale dhe komunikimin me komunitetin.
Krijimi i “Qendrave të Reflektimit Pedagogjik” rajonale, ku mësuesit ndajnë praktikat më të mira dhe marrin mbështetje.
3. Incentiva për mësimdhënie në zona rurale
Bonus financiar për mësuesit që zgjedhin shkolla në fshat.
Garanci për transferim pas një periudhe të caktuar pune.
Strehim i subvencionuar ose transport tërësisht falas për mësuesit në zonat rurale.
4. Rritja e prestigjit publik të mësuesit
Fushata publike që promovojnë historitë e suksesit të mësuesve.
Ndarja e çmimeve vjetore për inovacion pedagogjik.
5. Rishikim i emërimeve përtej kuotave
Krijimi i një platforme që bazohet te balanca midis kërkesës, kompetencës dhe nevojës reale të shkollës.
Aplikime që vlerësojnë më shumë motivimin për të kontribuar sesa thjesht preferencën gjeografike.
/AlbanianEducation.net/.