Nga Fiqiri Çifliku: Më shumë se kurrë sot kërkohet seriozitet nga shteti, me masa shtrënguese për abuzuesit me gjuhën shqipe

- Advertisement -

Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por akti më intim i përkatësisë. A mund të zgjedhim Shqipen në një shoqëri që po e harron?

- paragrafi 1 -

U nxita nga një thirrje publike për maturantët: “Zgjidhe Shqipen”. Thirrje e sinqertë, e bukur, që nuk mund të mos e mbështes.

- Advertisement -

Por pyetja që më lind është: a është ky propozimi i duhur për një të ri që po përpiqet të ndërtojë jetën në një shoqëri ku gjuha shqipe nuk trajtohet si aset?

Sot u jepet hapësirë në media e podiume sharlatanëve që gjuhën po e bastardojnë me shpikje të çuditshme, huazime pa filtër, e simbole që përçmojnë strukturën tonë gjuhësore.

Dikush mund të thotë: “Po, thirrjet funksionojnë. Kujto Rilindësit.” Dakord, i them. Por duhet të pranojmë se kohët kanë ndryshuar.

- Advertisement -

Nga idealizmi kemi kaluar te konsumi momental dhe ky kontrast shfaqet qartë mes luksit të disa individëve dhe pafuqisë së shumë të tjerëve. Unë mendoj se në këtë situatë është shteti përgjegjësi kryesor për të ruajtur gjuhën, duke vlerësuar individët që zgjedhin profile të një rëndësi të tillë kombëtare për identitetin tonë që sa duket edhe në këtë rast e përdorim si aksesor në ndeshje ndërkombëtare, ku trajneri i huaj e këndon më me zell se ne Himnin Kombëtar.

Doni shembuj. Po marr tabelat rrugore që janë të vendosura nga shteti. Nuk përdoret shkronja ë, shkronja ç, thonjëzat për emërtesat, fjalë të shkruara gabim. P.sh. Vend shkruhet Vënd, Aeroporti “Nënë Tereza” shkruhet Aeroporti NENE TEREZA, TIRANË Shkruhet TIRANE, DOGANË shkruhet DOGANE, etj.

Shumë për dëshiruar lënë shkresat zyrtare të institucioneve publike, posta elektronike apo letërkëmbimet, shqipja është një përzierje gabimesh, huazimesh dhe pakujdesie. Të mos flasim për tabelat e bizneseve me emërtesat e aktiviteteve të tyre tregtare. Fjalë nga të gjitha gjuhët e botës.

Nuk kam gjë me gjuhët e botës, por më dhemb kjo jona, ta marrë e mira ta marrë. Lëre pastaj tabela sinjalizuese që shkruajnë qytetarët nëpër mure si “Mos hith plera”, apo njoftime, ku shenjat e pikësimit janë luks. Si ky njoftimi që të bën për të qeshur, por edhe për të qarë. “Dhoma me qira me banjo 80 metra larg plazhit”. Me të drejtë i shkruan dikush: Jam i interesuar për dhoma, por me banjë më afër se 80 metra. ( Të jemi të qartë mund të ishte edhe Lloma plazhi)

Pastaj janë thesaret me shkurtesat që përdorin të rinjtë e sotëm. E pyet mamaja djalin që ende nuk i kishte dalë gjumi se cili ishte kuptimi i shënimeve: çpb, tkxh, mltfle, flm. Djali ja kthen: “Çfarë po bën, të kam shumë xhan, më lër të fle, faleminderit.” Në rregull, fli se po i shkruaj motrës.

Ndaj më shumë se kurrë sot kërkohet seriozitet i jashtëzakonshëm nga shteti, me masa shtrënguese për abuzuesit me gjuhën. Gjobat do ishin masë normale, sa duket ndëshkimi qenka ilaçi më i mirë për shoqëri që janë të pavëmendshme.

Shteti duhet jetë garant i gjuhës, nuk duhet ta shohë si aksesor folklorik. Nuk mund të shfaqet në konferenca për patriotizmin, ndërkohë që lejon që fatura, tabela, email-i institucional të përdorin një “gjuhë shqipe të bastarduar”.

Nuk mjaftojnë thirrjet. Duhet një politikë kombëtare për gjuhën, që përfshin:

– standardizimin dhe kontrollin gjuhësor në gjithë sistemin publik,

-mbikëqyrjen e medias dhe reklamave publike,

-edukimin gjuhësor në shkollë si formë dinjiteti kombëtar, jo si lëndë e dytësore.

Nuk po përmend akademinë, universitetet, ato nuk duhet të flemë, duhet të jenë në pararojë të kësaj pune. Të mos qajnë sot pse nuk kanë më studentë apo individë që e zgjedhin shqipen.

AlbanianEducation.net