Nga Fiqiri Çifliku: Koordinatori i Cilësisë, zëri i reflektimit dhe përmirësimit në shkollë

- Advertisement -

Koordinatori i Cilësisë në arsimin parauniversitar është një hallkë kyçe për vetëvlerësimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm. Ai nuk është inspektor, por ndërmjetësues që mbështet shkollën me reflektim, të dhëna dhe bashkëpunim për të ndërtuar një kulturë cilësie reale.

Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi 
 

- paragrafi 1 -

Koordinatori e Cilësisë në arsimin parauniversitar në Shqipëri sot është një realitet. Roli dhe detyrat e tij përcaktohet nga një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore që rregullojnë rolin, përzgjedhjen dhe funksionet e këtij pozicioni. Urdhrin Nr. 463, datë 30.8.2024, përcakton kriteret për përzgjedhjen e mësuesit koordinator për sigurimin e cilësisë në institucionet arsimore parauniversitare publike. Udhëzuesi i përgatitur nga ASCAP (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar), qartëson detyrat, përgjegjësitë dhe strukturën e mbështetjes. Roli i tij nuk është vetëm teknik, por edhe strategjik. Ai synon të krijojë një kulturë reflektimi, bashkëpunimi, dhe zhvillimi të vazhdueshëm përmes të dhënave dhe vetëvlerësimit.

- Advertisement -

Sipas udhëzuesit, koordinatori luan një rol të shumanshëm për planifikim dhe menaxhim cilësor, në bashkëpunim me drejtuesin.

Nuk mjafton të angazhosh stafin në vendosjen e objektivave konkrete për përmirësim, por duhen grumbulluar të dhëna përmes vëzhgimeve, analizave të rezultateve të nxënësve, pyetësorëve për stafin/prindërit/nxënësit, sepse kjo ndihmon në analizimin e tyre për të evidentuar sfidat dhe sukseset në procesin mësimor.

Mbështetja e stafin mësimdhënës sigurohet përmes feedbackut konstruktiv, promovimit të praktikave më të mira apo ndihmës në organizimin e trajnimeve të brendshme.

- Advertisement -

Të ndajmë diçka, koordinatori i cilësisë nuk është një “inspektor”, por një ndërmjetësues që ndihmon në ndërtimin e një kulture organizative moderne. Ai promovon transparencë, reflektim dhe përmirësim të bazuar në të dhëna për të mbrojtur parimin e cilësisë si përgjegjësi kolektive, jo thjesht si formalitet apo për të shpëtuar ngarkesën mësimore në një shkollë të caktuar. Nëse ky ka qenë qëllimi le ta heqin më mirë e të sajojnë ndonjë gjë tjetër.

Ky pozicion tashmë duhet të ketë rol të qartë për të koordinuar procesin e vetëvlerësimit institucional, një nga bazat për planifikimin strategjik që duhet të shoqërohet me raportin vjetor të cilësisë, i cili dorëzohet drejtuesit dhe pasqyron ecurinë sipas dimensioneve të cilësisë.

Po a mund të shkruajmë thjeshtë, qartë dhe shkurt në këto raporte pasi nëse i bëjmë të gjatë, kemi nënshkruar arkivimin pa lexues ose do të marrë “like” formalisht.

Në vend të një dokumenti formal e të ndarë në nënseksione burokratike, raporti mund të strukturohet si një narrativë e ndershme e rrugëtimit institucional, e ndarë në tetë shtylla.

Mënyra më e ndershme, konkrete dhe kuptimplote për të bërë një raport vjetor është përmes një strukture të thjeshtë dhe reflektuese. Më poshtë propozoj një model që mund të japë frymë filozofike dhe narrative raportit të Koordinatorit të Cilësisë, pa rënë në kurthin e burokracisë boshe:

1. Plani dhe realiteti duhet të paraqesë një tabelë e thjeshtë ku për secilën fushë kryesore përshkruhet çfarë ishte planifikuar dhe çfarë është realizuar në të vërtetë. Kjo do të tregojë qartësisht koherencën ose devijimet dhe arsyet për secilën. (p.sh. synimi për të zhvilluar tre sesione reflektimi me gjithë stafin u realizua pjesërisht, vetëm një sesion u mbajt, për shkak të ngarkesës së paparashikuar në afatet administrative.)

2. Cili ka qenë ndikimi në cilësinë e mësimdhënies dhe shërbimit arsimor. (p.sh. qasje më gjithëpërfshirëse, praktika të reja pedagogjike, ndjekje më e kujdesshme e nxënësve me vështirësi). Kjo rubrikë mund të shoqërohet edhe me shembuj realë apo dëshmi të stafit dhe nxënësve. Si janë reflektuar përpjekjet në cilësinë e mësimit. Sa janë nxitur praktika më gjithëpërfshirëse, qasje kritike, bashkëpunim mes mësuesve. A ka pasur përmirësim të komunikimit me nxënësit/prindërit.

3. Veprimtaritë e kryera gjatë vitit përbëjnë një listë me trajnimet, bashkëpunimet apo praktikat e mëparshme të suksesshme. (p.sh. praktikat e mëparshme të suksesshme, mbështetja nga drejtuesi, trajnimet apo burimet e brendshme apo nisma të vogla që dhanë ndikim të madh.)

4. Bashkautorët e udhëtimit vjetor përfshirë stafin pedagogjik, drejtuesit, prindërit, komuniteti lokal, dhe të gjithë ata që dhanë një dorë në rrugëtimin arsimor. (p.sj. mësuesit që kontribuan në analiza kritike ose pilotuan praktika të reja, prindërit që ofruan perspektivë përmes feedback-ut, nxënësit që u bënë zë për çështje të neglizhuara apo punonjës të heshtur, por thelbësorë.)

5. Pengesat që dolën gjatë rrugës, burimet, angazhimi, ndryshimet në staf, vonesat institucionale duhet të vijnë si një rrëfim i sinqertë se sa një listë e thjeshtë me justifikime. (p.sh. a pati mungesë burimesh, rezistencë ndaj ndryshimeve apo dinamika e stafit që ndikoi në qëndrueshmëri)

6. Çfarë mbeti pa realizuar duhet të bëhet pa ndrojtje dhe me reflektim duke u përgjigjur pyetjeve: Çfarë nuk arritëm? Përse? A ja vlente? U konsideruan të rëndësishme por nuk u arritën. U shtynë për shkak të ngarkesës ose mungesës së kapaciteteve. Duken si “mirazhe” të afërta, por jashtë mundësisë reale.

7. Cilat janë piketa për vitin pasardhës, si një vizion realist, i ndërtuar mbi përvojat e vitit që lamë pas. Rendisim tre ose katër prioritete konkrete, të matshme. Jo lista të gjatë, por objektiva të përqendruar që kanë ndikim real.

8. Toni i raportit duhet të jetë midis realitetit dhe frymëzimit. Ky raport nuk duhet të jetë vetëm statistikor. Ai mund të shoqërohet me citime reflektuese, me dëshmi të shkurtëra nga stafi apo nxënësit për ta bërë dokumentin të ndjerë, jo vetëm të lexuar.

Koordinatori i Cilësisë është arkitekt i heshtur i përmirësimit, ndërmjetësues i dialogut ndërmjet përvojës dhe të dhënave, dhe kujdestar i kujtesës institucionale. Raporti i tij vjetor nuk është fundi i vitit, por fllad i parë i një fillimi të ri.

© Portali Shkollor