Nga Fiqiri Çifliku: Koha për të vepruar është tani sepse arsimi nuk mund të presë më



nder titull

- Advertisement5 -

Koha për të vepruar është tani sepse arsimi nuk mund të presë më!

- paragrafi 1 -

Në shkrimet e mia shpesh kam folur për domosdoshmërinë e një reforme rrënjësore në sistemin tonë arsimor. Jam i bindur se rruga që po ndjekim aktualisht nuk është e duhura dhe se ndryshimi i qasjes nuk është thjesht një opsion midis të tjerave, por është e vetmja rrugë e drejtë që duhet të ndjekim për të ardhmen e arsimit.

- Advertisement - M1

Së fundmi, Farida Shaheed (Raportuesja Speciale e KB-së për të drejtën e arsimit) ka artikuluar saktësisht atë që personalisht kërkoj të bëj: një kalim urgjent nga vlerësimi i thjeshtë i performancës drejt mbështetjes reale të të mësuarit.

Raporti bën thirrje për një arsim të përqendruar te nxënësi, duke zëvendësuar testet e ngurta standarde me vlerësime formuese (si projektet dhe portofolat) që njohin progresin individual. Për ta arritur këtë, mësuesit kanë nevojë për liri profesionale dhe kushte më të mira pune, larg burokracive dhe kurrikulave të ngurta. Ndonëse sistemi duhet t’u përgjigjet ndryshimeve të kohës, ai duhet të shmangë reformat e vazhdueshme e të nxituara, të cilat vetëm dëmtojnë koherencën dhe rëndojnë mbi shkollat, mësuesit dhe nxënësit.

Mesazhin e saj të plotë dhe shumë të vlefshëm mund ta ndiqni në videon më poshtë.

- Advertisement - m2

Pra le ta shohim realitetin në sy, pa demagogji. Le të fillojmë tani, menjëherë, duke lënë mënjanë fjalët e bukura, fasadat dhe propagandën e përvitshme. Të gjithë ne që e jetojmë këtë realitet, e shohim qartë se ku jemi dhe se si jemi katandisur. Testimet kombëtare janë kthyer në procese mekanike, shpesh të degraduara, që prodhojnë stres të kotë dhe fiktivitet në vend të meritokracisë. Ato ndërkombëtare qartësisht fasadë e zbukuruar për konsum publik. Kujdes se aty ku nuk ka vend për ndërhyrje, vlerësimi tregon mangësi të thella.

Rezultatet e këtij sistemi i shohim hapur në jetën e përditshme. Le ta themi shqip, e shohim në paaftësinë e tregut për të gjetur profesionistë, në mungesën e mendimit kritik dhe në vështirësitë që kanë të rinjtë për t’u përballur me botën reale.

Një gjë është absolutisht e sigurt, nuk janë ata të paaftë. Nuk i fajësoj kurrsesi nxënësit dhe mësuesit tanë. Sistemi nuk po mundet t’u sigurojë kushte normale për një arsim cilësor.

Shqip | English