Intelegjenca Artificiale nuk e zëvendëson mësuesin, por e transformon rolin e tij. E pranojmë të gjithë se sot mësuesi nuk është më thjesht transmetues i dijes, por kujdeset të ndihmojë nxënësit gjatë procesit mësimor dhe përtej.
Përdorimi i IA duhet ti vijë në ndihmë për të personalizuar, monitoruar dhe udhëhequr proceset edukative. Pra nëse do e bëj një krahasim banal, IA është si një mikroskop që nuk e zëvendëson shkencëtarin, por i jep atij sy më të mprehtë.
Ama nëse një mësues e refuzon teknologjinë (kemi shumë syresh që nuk e ngasin fare), rrezikon të mbetet jashtë ritmit të sistemit arsimor që po bëhet gjithnjë e më i digjitalizuar. Prindërit, nxënësit dhe institucionet, gjithnjë më shumë do të kërkojnë ata që dinë të kombinojnë pedagogjinë me mjetet e reja. Në këtë kuptim, IA nuk është “armiku” i mësuesit dhe kurrësesi nuk e zëvendëson “njeriun”, por zëvendëson praktikat e vjetra që nuk përshtaten. Ata që do e përdorin IA, do të bëhen më të fuqishëm, më të kuptueshëm, më të afërt me nxënësit dhe ata që e refuzojnë, rrezikojnë të humbasin terren, jo sepse IA është më e mençur, por sepse bota po ndryshon me shpejtësi.
Sot kemi mundësinë që nëpërmjet IA të mund ta shndërrojë arsimin nga një sistem uniform në një proces të personalizuar dhe të bazuar në të dhëna. A mund të bëhet kjo nëpërmjet SMIP? Personalisht mendoj se jo. Është shumë larg asaj qasje që shumë vende e kanë sot prioritet. Kam frikë se investimet në fushën e IT do të kenë një kthim shumë të ulët ashtu sikundër një projekt masiv digjitalizimi në vitet 2006-2008 në Shqipëri, por që në fakt mendoj se ndikimi ka qenë shumë i vogël në sistemin arsimor.
Po sjell për referencë një projekt të zbatuar në Estoni (2020). Projekti i zhvilluar nga Ministria e Arsimit dhe Kërkimit, kishte si synim përdorimin e të dhënave nga platformat e të nxënit digjital për të ndërtuar modele parashikuese me inteligjencë artificiale, që matin rezultatet e nxënësve pa ndërprerë procesin e tyre të studimit. Estonia është një nga vendet më të avancuara në Evropë për digjitalizimin e arsimit. Projekti lidhej me strategjinë kombëtare të AI dhe digjitalizimit, ku arsimi shihet si një fushë kyçe për testimin e teknologjive të reja.
Objektivi i projektit ishte të eksplorohej mundësia e përdorimit të regjistrave të përdorimit të materialeve digjitale të të nxënit për të gjeneruar automatikisht modele që vlerësojnë rezultatet e të nxënësve duke përdorur teknika të machine learning. Është krijuar një sistem që mund të analizojë sjelljen e nxënësve në platforma digjitale (p.sh. sa kohë kalojnë në një material, cilat ushtrime i përfundojnë, ku ngecin më shpesh) dhe e kthejnë këtë në indikatorë të progresit. Modelet e AI synojnë të ofrojnë rekomandime automatike për mësuesit dhe nxënësit, duke sugjeruar materiale shtesë ose ritme të ndryshme të të nxënit, bazuar në performancën individuale. Ky ishte një mjet grafik që tregonte rezultatet e nxënësve në kohë reale, duke i bërë të kuptueshme për mësuesit dhe politikëbërësit.
Ky model IA është i rëndësishëm për mësuesit pasi u ofron mjete për të parë progresin e nxënësve pa pasur nevojë për teste të shpeshta. Nga ana tjetër nxënësit i mundëson një përvojë më të personalizuar, ku sistemi përshtatet me ritmin e tij. E në gjithë këtë panoramë për politikëbërësit jep të dhëna të sakta për planifikimin e politikave arsimore dhe për të kuptuar më mirë efektivitetin e materialeve digjitale.
Ndaj mendoj se zhvilluesit e SMIP duhet të kalojnë në një stad tjetër të analizës dhe të zbatimit të IA në arsim pasi vetëm kështu mund të vendosim themelet për përdorimin e inteligjencës artificiale në arsimin publik, duke e bërë më të drejtë, më efikas dhe më të përshtatur me nevojat individuale.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara