Kur heshtja thyhet, fillon shërimi
Festivali Kombëtar i Shkencës, i mbështetur nga Ministria e Arsimit, ka sjellë një frymë të re në gjimnazet e vendit.
Nxënësit kanë pasur mundësinë të prezantojnë projekte kërkimore, eksperimente, prototip inxhinierie dhe zgjidhje digjitale, duke e kthyer shkollën në një hapësirë krijimtarie dhe inovacioni.
Më 31 mars, në fazën e tretë të konkurrimit mes Drejtorive Rajonale të Arsimit Parauniversitar, u prezantuan 109 projekte, ndërsa 25 grupe gjimnazistësh tashmë janë në ethet e finales së madhe, më 25 prill në Tiranë. Interesi ka qenë i jashtëzakonshëm, duke treguar pasionin e të rinjve për fusha si inteligjenca artificiale, robotika dhe inxhinieria.
Në fakt sot doja të ndaja me lexuesit një projekt shumë specifik. Një grup nxënësish të Shkollës së Bashkuar “Llesh Nik Daka” nga Shënkolli i Lezhës kanë paraqitur një projekt që nuk synon thjesht teknologjinë, por prek zemrën e problematikave sociale. “Fol lirshëm, qëndro i sigurt”
Ata kanë ndërtuar një platformë anonime dhe një mini-box fizik për denoncimin e bullizmit, padrejtësive dhe dhunës. Ky projekt, i ndërtuar nga vetë nxënësit, garanton anonimatin dhe mbrojtjen e zërit të çdo nxënësi. Edhe pse nuk kaluan në fazën e dytë të garës, ata kanë guxuar të prekin “thembrën e Akilit” të sistemit arsimor, bullizmin e fshehur dhe kulturën e heshtjes.
Ky nuk është një produkt sa për dekor apo për tu lënë mënjanë ku pluhuri i harresës do e mbulojë më tej, por një instrument diagnostikues që mund të ndihmojë çdo shkollë të evidentojë dhe trajtojë problemet e komunikimit dhe dhunës. Heshtja, kur mbetet e pashqetësuar, kthehet në plagë të pashërueshme. Por kur thyhet, fillon shërimi.
Nxënësit e Lezhës kanë treguar se ndryshimi fillon nga guximi i vogël. Ata meritojnë inkurajim dhe mbështetje, sepse kanë dhënë një shembull të gjallë se si shkolla mund të bëhet një vend më i sigurt dhe më i drejtë për të gjithë. Ky projekt është një farë e mbjellë tashmë. Nëse përqafohet nga shkolla të tjera, mbështetet me të vërtetë nga institucionet përgjegjëse, adresojnë problematikat që referohen, mund të bëhet një pyll i sigurisë dhe drejtësisë.
E publikoj këtë shkrim si një thirrje për veprim nga të gjithë. Të mos e pranojmë bullizmin si pjesë të zakonshme të jetës shkollore, por ta sfidojmë me mekanizma konkretë. Nxënësit e Lezhës na kanë treguar rrugën. Tani është radha e të tjerëve ta ndjekin.
Për më shumë mund të shihni vetë platformën.