Sot diskutohet gjerësisht për etikën dhe integritetin në tërësi dhe meqë jemi në arsim ky diskutim merr një vlerë të shtuar. Le të ndalemi pak tani që ka nisur diskutimi dhe konsultimet për të hartuar një kod të ri të etikës dhe sjelljesë së mësuesit.
Ndërsa aktualisht është një dokument zyrtar, pyetja është sa thellë është zbatuar në praktikën e përditshme, veçanërisht në zonat e margjinalizuara ku dinjiteti profesional shpesh sfidohet.
Në kontekstin evropian të etikës së mësuesit, pavarësisht diferencave kulturore dhe strukturore mes Italisë, Gjermanisë dhe Francës, ka disa parime kyçe të përbashkëta që formojnë shtyllën morale të këtij profesioni. Në thelb, etika e mësuesit në këto vende është ndërtuar mbi besimin publik, respektin për lirinë individuale, dhe angazhimin për drejtësi sociale në arsim. Megjithëse format ligjore ndryshojnë (p.sh. laiciteti në Francë, federalizmi në Gjermani, kontratat kolektive në Itali), vizioni moral i mësuesit si edukator, mbrojtës dhe model është i përbashkët.
Po listoj shtyllat kryesore dhe mënyrën si e kanë rregulluar këtë çështje vendet e sipërcituara:
1. Përkushtimi ndaj nxënësve. Mësuesi është garant i mirëqenies, zhvillimit dhe sigurisë së nxënësit. Trajtimi i nxënësve me drejtësi, pa diskriminim, me ndjeshmëri ndaj nevojave të tyre fizike, emocionale dhe sociale.
2. Profesionalizmi dhe përgjegjësia. Pritshmëria që mësuesit të ruajnë një nivel të lartë kompetence akademike. Angazhimi për zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe përmirësim të praktikave mësimore.
3. Neutraliteti dhe integriteti. Mësuesit duhet të qëndrojnë neutralë në përçimin e ideve politike dhe fetare. Objektivitet në vlerësim dhe shmangie e çdo forme favorizimi apo paragjykimi. Sjellje me integritet, ndershmëri dhe respekt për dinjitetin njerëzor.
4. Figurë model. Mësuesit konsiderohen si shembuj etikë për nxënësit dhe shoqërinë. Sjellja brenda dhe jashtë mjedisit shkollor ndikon në formimin moral të nxënësve.
5. Bashkëpunimi me komunitetin dhe prindërit. Ndërtimi i një mjedisi edukativ gjithëpërfshirës dhe i bazuar në partneritet. Mësuesit shihen si faktorë kyç në komunikimin me prindërit dhe në shërbimin ndaj komunitetit.
6. Respektimi i privatësisë dhe konfidencialitetit. Trajtimi i informacionit personal të nxënësve me diskrecion. Ruajtja e kufijve profesionalë dhe etikë në komunikim.
Le të kthehemi në rajonin tonë, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqi, ku në themel, është vizioni etik se mësuesi nuk është thjesht “shërbyes i dijes”, por kujdestar i ndjenjës njerëzore dhe i ndërtimit të shoqërisë. Pavarësisht dallimeve në tradita arsimore, struktura institucionale dhe qasje kulturore, etika e mësuesit kanë të përbashkëta që mund të përmblidhet në disa shtylla themelore.
1. Përqendrimi te nxënësi. Mirëqenia, siguria dhe zhvillimi i plotë i nxënësit janë prioritet absolut. Mësuesit trajtojnë çdo nxënës me respekt, dinjitet dhe pa diskriminim. Përfshirja e nxënësve me aftësi ndryshe dhe vëmendja ndaj sfidave sociale është gjithnjë më shumë e pranishme.
2. Profesionalizmi dhe integriteti. Mësuesit janë të thirrur të përmbushin standarde të larta akademike dhe të ruajnë ndershmërinë profesionale. Objektiviteti në vlerësim dhe respektimi i konfidencialitetit janë norma të përbashkëta.
3. Figura e mësuesit si model moral. Mësuesit përfaqësojnë vlera shoqërore, dhe roli i tyre nuk kufizohet vetëm në klasë. Ata duhet të jenë figurë shembullore për nxënësit dhe komunitetin. Sjellja e tyre jashtë mjedisit shkollor ndikon perceptimin publik për etikën dhe respektin ndaj arsimit.
4. Bashkëpunimi me prindërit dhe komunitetin. Theksohet rëndësia e ndërtimit të marrëdhënieve të shëndetshme me prindërit dhe përfshirja në jetën komunitare. Arsimi shihet si një proces i përbashkët, jo vetëm institucional.
5. Promovimi i vlerave demokratike dhe qytetare. Të gjitha vendet e rajonit njohin rolin e mësuesit në edukimin për qytetari, të drejta të njeriut dhe tolerancë. Mësuesi shihet si agjent ndryshimi, si një figurë që jo vetëm edukon, por edhe ndërton mendimin kritik dhe solidaritetin.
Kodi shqiptar i etikës për mësuesin përfshin disa aspekte që, ndonëse mund të jenë të nënkuptuara ose të shpërndara në kodet e vendeve të tjera, nuk dalin aq qartë ose të integruara në përvojën shqiptare: Elemente të veçantë në Kodin e Etikës së Mësuesit në Shqipëri mund të konsiderohet
Shqipëria e ka miratuar Kodin e Etikës si dokument të pavarur dhe institucional. Kjo është veçori dalluese, pasi vende si Italia, Franca apo Gjermania shpesh e përfshijnë etikën në dokumente të fragmentuara si ligje të arsimit, udhëzime, apo kontrata pune, dhe jo si një “udhërrëfyes të standardizuar etik”.
Në Kodin shqiptar theksohet detyrimi i mësuesit për të kontribuar në mirëqenien e komunitetit lokal. Ka një formulim të qartë për bashkëpunim të ndershëm dhe transparent me prindërit, me kërkesë për informim të rregullt dhe adresim të shqetësimeve.
Kodi shqiptar përfshin nen të veçantë për ndalimin e çdo forme shfrytëzimi, korrupsioni apo përfitimi personal në marrëdhënien mësues-nxënës duke u përpjekur të refuzojë në mënyrë eksplicite korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin.
Në Shqipëri, ka një tendencë për të trajtuar etikën si pjesë e formimit pedagogjik, ku mësuesit e rinj udhëzohen për Kodin si pjesë e trajnimeve. Në vende si Franca apo Gjermania, etika më shumë presupozon kulturën institucionale sesa një trajtim didaktik të koduar.
Kodi thekson mbrojtjen aktive të nxënësit nga diskriminimi, dhuna, presioni dhe frikësimi, jo vetëm si detyrë morale, por si përgjegjësi ligjore e mësuesit.
Në disa vende evropiane, këto çështje trajtohen më shumë përmes mekanizmave ligjorë të mbrojtjes së fëmijëve sesa si pjesë e rolit pedagogjik të mësuesit.
Në këtë kontekst Kodi shqiptar duket më eksplicit, më moralizues dhe më i qartë në qëllimet e tij. Ai e përfytyron mësuesin si figura kyçe e bashkësisë, jo vetëm si edukator, por si mbrojtës, shembull etik dhe ndërtues i solidaritetit. Pse atëherë kërkohet ndryshimi i tij sot. Çfarë nuk shkon mirë? Nuk shoh një deklaratë nga institucionet për arsyet pse ka nisur ky process për të orinetuar edhe mbledhjen e informacionit nga grupet e interesit.
A ka një studim të qartë se çfarë mungon në Kodin e Etikës së mësuesit në Shqipëri krahasuar me të tjerët? Kodi shqiptar ofron një bazë të fortë, por mund të pasurohet me elementë që adresojnë realitetet e reja, nga etika digjitale dhe neutraliteti publik, te përforcimi i rolit të mësuesit si figurë qytetare e fuqishme. Personalisht e kam bërë një anlizë të tillë dhe po listoj disa pika më poshtë që duhen adresuar sigurisht në Kodin që do të miratohet.
Të theksohet por më shumë të respektohet neutraliteti politik dhe fetar në mjedisin mësimor. Sikundër në Gjermani dhe Francë, mësuesit kanë detyrimin eksplicit të ruajnë neutralitetin politik dhe fetar në klasë, si garanci për lirinë e mendimit dhe laicitetin. Kodi shqiptar nuk e përmend qartësisht këtë neutralitet si parim të veçantë etik, ndonëse mund të jetë nënkuptuar në standardet profesionale.
Vetëpërmbajtje në opinionet publike ose “Devoir de Réserve” si në Francë. Mësuesit janë të detyruar të tregojnë rezervë në shprehjen publike të pikëpamjeve personale që mund të dëmtojnë autoritetin profesional. Në Shqipëri, nuk ka një formulim të tillë që rregullon veprimtarinë publike të mësuesit, sidomos në media apo rrjete sociale. Nuk dua të stimuloj atë që mund të aludohet për kontroll të mendimit të lirë, kurrsesi.
Etika e qytetarisë digjitale. Në shumë vende, është gjithnjë e më e pranishme ideja që mësuesi të edukojë qytetari digjitale dhe të zbatojë etikë në përdorimin e teknologjisë. Kodi shqiptar nuk e adreson në mënyrë të qartë përdorimin etik të mjeteve digjitale, komunikimin online me nxënësit dhe rreziqet e sjelljeve virtuale.
Rregullimi i konflikteve të interesit në mësimdhënien private. Në disa vende, sidomos në sistemet anglosaksone dhe gjithnjë e më shumë edhe rajonale, ka rregulla të qarta mbi dhënien e mësimeve private për nxënësit e vet. Në Shqipëri, kjo praktikë është e sanksionuar në ligj, por Kodi nuk e adreson me specifika, duke lënë hapësirë për keqinterpretime apo presione të padukshme.
Roli si edukator për qytetarinë aktive dhe ndryshimin shoqëror. Kodi shqiptar nuk e artikulon drejtpërdrejt këtë rol përtej klasës, si agjent ndryshimi në komunitet dhe shoqëri.
Ndërkohë në vende të tjera, mësuesi shihet si promotor i qytetarisë demokratike, të drejtave të njeriut dhe pjesëmarrjes publike.
Mbështetja për shëndetin emocional dhe social të nxënësve. Praktika bashkëkohore thekson rolin proaktiv të mësuesit në identifikimin e vështirësive emocionale dhe krijimin e klimës mbështetëse. Kodi shqiptar ka referenca ndaj mirëqenies, por nuk e trajton në mënyrë të strukturuar temën e shëndetit mendor, bullizmit, apo dhunës kibernetike.
/AlbanianEducation.net/.