”
Në çdo postim, në çdo bisedë me kolegë, vërej një ndjeshmëri të thellë kur flitet për dinjitetin, për mbështetjen dhe trajtimin e barabartë të mësuesve. Këto nuk janë kërkesa të tepërta asnjëherë dhe duhen vlerësuar me shumë kujdes nga menaxherët, sidomos ata të nivelit të lartë.
Themelet e një profesioni që formon të ardhmen janë njerëzit, jo godinat apo mjetet. Sigurisht që duhet gjetur baraspesha midis të gjithë faktorëve në një proces kaq të rëndësishëm siç është edukimi. Por përtej fjalëve, qëndron një realitet që kërkon adresim urgjent dhe zgjidhje konkrete. Sistemi në tërësi, por mësuesit dhe drejtuesit sot kanë nevojë për disa pika që duhet të jenë referenca për të ardhmen:
– Besim dhe liri për të marrë vendime në shkollë e klasë pa frikë.
– Kohë, për të planifikuar, reflektuar dhe për të qëndruar i lidhur me nxënësit dhe familjet e tyre.
– Mbështetje dhe udhëheqje që i dëgjon, jo vetëm që vlerëson apo ca më keq ndëshkon.
– Qëllim dhe besim i përbashkët se ajo që bëjnë ka rëndësi jo vetëm për sot, por për të ardhmen.
– Zhvillim dhe trajnim profesional të vazhdueshëm, të personalizuar që lidhet me nevojat konkrete të çdo individi. Sistemi duhet të frymëzojë, jo thjesht të zhvillojë tema për t’u shënuar në portofol apo për t’u publikuar si arritje, pa rezultat.
– Shkolla në përket të gjithëve dhe në këtë kuptim kërkohet një lidhje më e ngushtë midis drejtimit dhe stafit, duke krijuar një kulturë ku zëri i grupit gjen hapësirë në drejtimin e shkollës.
– Mos të harrojmë balancën punë jetë. Punonjësi mësimor është njeri, ka familje, ka halle, gëzime, nevojë për qetësi e pushim. Në këtë kuptim duhet krijuar mundësi për të dhënë më të mirën në punë dhe për të pasur një jetë përtej saj.
Kur mësuesit të ndihen të besuar, të mbështetur dhe të vlerësuar, rezultatet do të vijnë natyrshëm.
Sot, më shumë se kurrë, edukimi ka nevojë për veprim, jo për të rregulluar imazhin e sistemit, por për të rikthyer dinjitetin e atyre që e mbajnë gjallë sistemin: MËSUESIT.
Çfarë do të shtoje ti në këtë listë nga përvoja jote?
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara