Çmimi i padukshëm i sezonit. Shfrytëzimi i fëmijëve mes varfërisë strukturore dhe indiferencës sociale.
Çdo vit, Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve (12 qershor) shërben si një kambanë alarmi për ndërgjegjen globale, duke na kujtuar përmes raporteve zyrtare të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) se rreth 138 milionë fëmijë dhe adoleshentë në mbarë botën janë ende të mbërthyer në kthetrat e marrëdhënieve të dhunshme të punës.
Ky numër nuk është thjesht statistikë e ftohtë, por kujtesë e dhimbshme për miliona jetë të privuara nga e drejta universale për të pasur një fëmijëri të sigurt, arsimim dhe zhvillim dinjitoz. Nëse zhvendosemi drejt kontekstit të Shqipërisë, plaga merr trajta edhe më komplekse, duke u përballur me mjegull institucionale për shkak të mungesës së të dhënave të përditësuara apo të cunguara në nivel kombëtar.
Shifrat zyrtare, flasin për rreth 4.6% të fëmijëve të moshës 5-14 vjeç (afro 24 mijë fëmijë) të angazhuar me punë kryesisht në bujqësi familjare apo shërbime, janë vetëm maja e një ajsbergu që fshihet pas informalitetit të skajshëm, veçanërisht kur troket sezoni veror.
Kur qytetet/plazhet tona mbushen me drita, muzikë dhe premtimin e një rritjeje ekonomike përmes turizmit, paralelisht ndizet një motor tjetër, i padukshëm dhe i heshtur. Ai i shfrytëzimit të fëmijëve nëpër baret dhe restorantet e bregdetit.
Ky fenomen, i cili shpesh ambalazhohet me petkun e ngrohtë të “mësimit me punën” apo “ndihmës ndaj familjes”, në të vërtetë përfaqëson një përplasje të ashpër ligjore, kushtetuese dhe, mbi të gjitha, një dështim të thellë moral të shoqërisë sonë. Puna e të miturve në sektorin e shërbimeve nuk është një zgjedhje e lirë. Ajo është simptomë e një sistemi që prodhon pabarazi dhe e një komuniteti që ka zgjedhur indiferencën si mekanizëm mbijetese.
Varfëria ekonomike i shtyn familjet drejt skajeve të mbijetesës në kthetrat e babëzisë së një kapitalizmi informal. Zhvillimi ekonomik nuk i merr fare në konsideratë shtresat vulnerabël. Fëmija pushon së qeni fëmijë në sytë e të rriturve duke u shndërruar në një burim të ardhurash për të siguruar veshjet e shtatorit apo bukën e gojës.
Nga ana tjetër, bizneset gjejnë tek të miturit punëtorë që nuk kërkojnë kontrata, nuk njohin sigurime shoqërore, paguhen nën minimumin ligjor dhe nuk kanë zë për të protestuar ndaj orareve rraskapitëse apo turneve të natës. Kjo marrëdhënie shkel hapur Kushtetutën, Konventat Ndërkombëtare dhe Kodin e Punës të cilat ndalojnë kategorikisht ekspozimin e fëmijëve ndaj mjediseve që dëmtojnë moralin dhe shëndetin e tyre fizik e mendor. Mjafton të përmend se gjatë punës në bar apo restorant të miturit janë në kontakt të vazhdueshëm me substancat abuzive si alkooli, duhani, droga apo sjellje të tjera të papranueshme për moshën e tyre.
Por kjo paligjshmëri në letër merr trajta mizore në terren, duke u kthyer në një burim dhune të drejtpërdrejtë. Ngjarjet e rënda që tronditin herë pas here opinionin publik, si rasti tragjik i dhunimit barbar të një të riu të mitur në Vlorë gjatë sezonit të kaluar, nuk janë aksidente të izoluara. Kur një i mitur futet në tregun informal të punës, ai humb automatikisht mbrojtjen institucionale dhe mbetet në mëshirë të rrethanave, i ekspozuar ndaj klientelës së paparashikueshme dhe egërsisë së pronarëve. Dhuna fizike dhe psikologjike që ata pësojnë në këto mjedise të rriturish nuk fshihet me mbylljen e sezonit. Ajo lë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tyre, duke deformuar perceptimin e tyre për drejtësinë, vlerën e vetes dhe autoritetit.
Përgjegjësia për këtë krizë morale nuk mund t’i lihet vetëm shtetit apo bizneseve. Ajo rëndon mbi të gjithë ne si shoqëri. Ne ulemi nëpër tavolina, shërbehemi nga fëmijë që duhet të ishin duke luajtur apo duke lexuar, u lemë një bakshish me raste dhe largohemi duke menduar se e bëmë një vepër të mirë.
Kjo indiferencë kolektive është bashkëfajtore në zinxhirin e shfrytëzimit. Bakshishi nuk e zhbën shkeljen e të drejtave të tyre universale. Kur institucionet dhe Inspektorati i Punës mbyllin sytë përpara këtyre shkeljeve në emër të “suksesit të sezonit turistik”, ata pranojnë se paraja vlen më shumë se kapitali njerëzor.
Kjo është një thirrje për zgjim përpara se të jetë shumë vonë. Nuk mund të pretendojmë se po ndërtojmë një shoqëri të emancipuar dhe evropiane nëse themelet e mirëqenies sonë afatshkurtër i ngremë mbi fëmijërinë e vjedhur të të rinjve tanë.
Çdo verë që kalon me fëmijë që humbasin pushimin, arsimimin dhe sigurinë nëpër banakë e kuzhina, është një vit dështimi kolektiv. Është koha të kuptojmë se mbrojtja e fëmijëve nuk është një çështje fushatave apo ligjesh në letër, por një detyrim ekzistencial. Një shoqëri që konsumon të ardhmen e fëmijëve të vet për të ushqyer të tashmen e saj, është një shoqëri që po përgatit falimentimin e vet moral.