Në çdo organizatë, zhvillimi i burimeve njerëzore është një faktor kyç për rritjen e performancës dhe arritjen e objektivave strategjike.
Një nga mjetet më të rëndësishme për këtë qëllim është analiza e nevojave për trajnim, e cila ndihmon në identifikimin e mospërputhjeve midis njohurive dhe aftësive që punonjësit aktualisht zotërojnë dhe atyre që kërkohen për të përmbushur detyrat e tyre në mënyrë efektive.
Nevojat për trajnim lidhen me mangësitë në njohuri dhe aftësi që pengojnë performancën e individëve apo grupeve brenda organizatës. Kur një problem i performancës ka si shkak pamjaftueshmërinë e njohurive ose aftësive, ai mund të zgjidhet përmes trajnimit.
Në këtë kuptim trajnimi shihet si një mjet korrigjues për të kapërcyer boshllëqet ekzistuese. Është e rëndësishme të dallohen nevojat për trajnim nga preferencat për trajnim.
Nevojat për trajnim janë objektive dhe lidhen me kërkesat reale sipas vendit të punës, ndërkohë preferencat për trajnim janë subjektive dhe lidhen me dëshirat, pritshmërinë apo interesat e punonjësve. Ndërsa nevojat janë të domosdoshme për funksionimin e organizatës, preferencat mund të ndihmojnë në motivimin e individëve dhe krijimin e një kulture pozitive të të nxënit. Po sjell më poshtë dy shembuj praktikë të dallimit midis nevojave dhe preferencave për trajnim.
Shembulli 1
Mësuesit e matematikës kanë vështirësi në përdorimin e metodave digjitale për mësimdhënie.
-Nevojë për trajnim
Trajnim mbi përdorimin e platformave digjitale dhe aplikacioneve edukative.
-Preferencë për trajnim
Dëshira për të marrë pjesë në trajnime mbi teknikat kreative të mësimdhënies.
Shembulli 2
Drejtuesit e shkollave nuk arrijnë të përdorin të dhënat e testimeve për planifikim.
-Nevojë për trajnim
Trajnim mbi analizën e të dhënave dhe vendimmarrjen bazuar në evidenca.
-Preferencë për trajnim
Preferencë për trajnime mbi lidershipin motivues dhe komunikimin me komunitetin.
Analiza e nevojave për trajnim ka rëndësi të veçantë sepse rrit motivimin dhe angazhimin e punonjësve, duke i bërë ata të ndihen të vlerësuar dhe të përfshirë duke siguruar që burimet e organizatës të përdoren në mënyrë efikase. Ndihmon në përmirësimin e performancës individuale dhe kolektive, si dhe forcon aftësinë e organizatës për t’u përshtatur me ndryshimet teknologjike, ligjore dhe shoqërore.
Kujdes, jo çdo problem i performancës mund të zgjidhet me trajnim. Ka faktorë të tjerë si struktura organizative, teknologjia, burimet financiare apo klima në mjediset e punës që ndikojnë në funksionimin e organizatës. Prandaj, analiza e nevojave për trajnim duhet të jetë e integruar me një vlerësim më të gjerë të faktorëve organizativë.
Ca më shumë vlerësimi i nevojave për trajnim ndodh kur individi është i vetëdijshëm për atë çka bën si dhe mbikëqyrësi i punonjësit ndjek proceset e punës dhe mban shënime rreth progresit për realizimin e objektivave specifik. Në këtë mënyrë, organizata jo vetëm që investon në zhvillimin e burimeve njerëzore, por edhe krijon një kulturë të qëndrueshme të të nxënit dhe inovacionit.