Vendosa të mos isha aktiv sot pasdite në facebook, por… “Influenceri” që s’kupton librin mu duk si kronikë pa parathënie.
Në një botë ku rreshtat lexohen vetëm sa për t’u filmuar, ku librat bëhen sfond për selfie dhe mendimet shndërrohen në “caption”, lind pyetja: A mund të jesh influencer duke mos kuptuar asgjë nga ajo që lexon?
Jo vetëm që mundesh, por duket se kjo është një nga superfuqitë e reja të epokës sociale.
Influenceri që lexon një faqe dhe nuk kupton asgjë, nuk është i paditur, është i ndjekur. Ai kthehet në simbolin e njeriut modern që përpiqet, përplaset me tekstin, dhe në vend që ta fshehë hutimin, e ndan me botën.
Nuk thotë “Nuk kuptova”, por bën një video ku thotë:
“Ky autor më bëri të mendoj… për të hequr dorë nga të menduarit.”
Kjo ironi kthehet në virale, sepse është e sinqertë, është njerëzor, është… “klikim” i pastër…
Moskuptimi nuk është mangësi, është materie. Nëse një faqe libri është si një fushë minash për logjikën, influenceri e sheh si mundësi për eksplorim emocional.
Ai nuk është aty të sqarojë, por të ndjejë. Edhe nëse nuk kupton fjalitë, kupton vëmendjen që vjen pas tyre.
Ajo që dikur quhej “keqkuptim” tani është “interpretim kreativ”.
Leximi pa kuptim është si të flasësh me një pikturë abstrakte. Mund të mos marrësh përgjigje, por merr shumë pëlqime.
Një influencer gjen vend lirshëm edhe në median kombëtare e ndërkombëtrare me kusht që të ketë:
– Sinqeritet që ngacmon, jo që mashtron.
– Humor që përqafon dështimin, jo që e fsheh atë.
– Vetëdije që thotë “s’jam ekspert, por s’jam as pluhur virtual.”
Sepse në fund, ndikimi nuk vjen nga pagesa e plotë e faturës së kuptimit, por nga shpërndarja e eksperiencës së leximit me gjithë paqartësitë, batutat, dhe momentet ku një fjali të bën të pyesësh: “A kam gabuar unë, apo autori…
Zoti qoftë me ne🙏