Duke qenë mësimdhënëse me mbi 13 vjet përvojë pune, desha edhe unë të ndajë një mendim për ngjarjet e fundit.
Derisa nuk ekziston një bashkëpunim i mirëfilltë i trekëndëshit pedagogjik: prind-nxënës-mësues, do të shohim që mësimdhënia në shkollë dita-ditës do të degradohet më tej.
Ka prindër që as nuk e shohin të nevojshme t’u përgjigjen thirrjes për mbledhjen e prindërve e lëre më të arsyetojnë mungesën për mosardhje. Madje ka të atillë që as nuk e dinë në cilën klasë e kanë fëmijën e tij/ të saj.
E çfarë tani? Kur një prind nuk është në gjendje të edukojë një fëmijë në shtëpi, si mendoni t’i edukojë një mësimdhënës/mësimdhënëse mesatarisht 15 nxënës në klasë?
Këtu duhet cekur që mësimdhënësi nuk e ushtron vetëm detyrën e mësimdhënies, por edhe të psikologut, pedagogut, edukatorit, planifikuesit, kujdestarit etj.
Duke qenë se jam rritur në gjermani më kujtohet shumë mirë (besoj shumë që edhe në Kosovë ka qenë kjo gjë më parë), që si nxënëse, vetëm në ditën e shkollës e kemi parë drejtorin e shkollës, ndërsa sot edhe drejtoria e shkollës duhet të i dalë në krah kujdestarëve të klasave për udhëheqje të kujdestarisë, sepse ai/ajo nuk e ka mbështetjen e duhur të prindërve dhe si pasojë nuk ka përmirësime të nxënësit/nxënëses.
E sot, nxënësit ndihen të lirë të hyjnë edhe në sallë të arsimtarëve, që për ne ka qenë e ndaluar më parë.
Shpesh thuhet, që mësimdhënësit e kanë lehtë, sepse e kanë orarin e shkurtër dhe kanë pushime plotë. Por, si mendoni ju? Sa i duroni fëmijët e juaj në shtëpi? (Nuk i përfshijë të gjithë këtu, sepse ka shumë prindër të përshkushtuar ndaj fëmijëve të tyre)
Nëse ne nuk jemi në gjendje t’i edukojmë fëmijët tanë në shtëpi, prisni prej një mësimdhënësi/mësimdhënëseje t’i edukojë gjithë ata nxënës?
Shoh, që edhepse mësimdhënësit kanë kërkuar prej prindërve të u përgatisin fëmijëve të tyre ushqim të shëndetshëm, që ta marrin me vete në shkollë, shumica e nxënësve prapë ushqehen vetëm me chips, smoka, pije energjike etj. dhe e dimë shumë mirë që edhe ushqyerja ndikon në koncentrim të nxënësit.
Gjithashtu ka nxënës të atillë që janë shumë të përgjumur gjatë orës mësimore dhe nëse i pyet, të tregojnë që kanë qendruar në telefon deri në 2 të natës. Edhe këtu duhet pasur kufinj, kur përdoret telefoni dhe çka shikojnë fëmijët tanë. E pastaj mësimdhënësit qenkan të vetmit fajtorë, që nxënësit nuk kanë arritur rezultate të mira në testet e arritshmërisë apo në testin PISA?
Sa keq paska qenë mësimdhënia, kur e dimë sa mjekë të kualifikuar kosovarë i mori Evropa? Mendimi kritik që kërkohet në ato teste zhvillohet qysh në fëmijërinë e hershme. Prindi duhet t’i blejë libra fëmijës dhe t’u lexon para gjumit, kjo gjë ia zhvillon mendimin kritik fëmijës.
Unë si mësimdhënëse, jam pro mësimdhënies përmes teknologjisë dhe çdo gjëje që avancon të nxënit, sepse kjo gjë bën orën më atraktive për nxënësit, duke ditur që jetojmë në epokën e teknologjisë.
Por, jam kundër çdo lloj sjelljeje të pahijshme, edukatë të pabazë, qoftë në sjellje apo në fjalor, kur edhe shpeshherë ne si mësimdhënës duhet të ulim kokën për t’u bërë kinse nuk kemi dëgjuar “ato fjalë”.
As mësimdhënësi/ mësimdhënësja, që konsiderohet pedagog/pedagoge nuk iu tolerohet përdorimi i fjalorit të pahijshëm apo sjelljeve jo të duhura, duke qenë që ai/ajo duhet të jetë shembull për nxënësin/nxënësen.
Të ecim të gjithë me kohën, por duke ecur nëpër gjurmët e paraardhësve tanë, që na mësonin respektin, edukatën duke mos harruar që të qenurit MËSUES, është profesion i shenjtë.
E duke ditur, që edhe mësimdhënësit janë prej mishi e kocke, me një tru të mbingarkuar në ditët e sotme, ky profesion i shenjtë ruhet vetëm nëse respekti dhe mirënjohja nuk humbet.
Të ecim me kohën, duke ecur nepër gjurmët e atyre që synimin e kishin ta avancojnë këtë vend, sepse vetëm duke përmirësuar secili veten e vet dhe familjen e vet, duke u bërë versioni më i mirë i vetes, ky vend do të ndriçojë.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara