Autor: Fidan Hasani
Njerëzit duan t’u kushtohet kohë dhe vëmendje.
Nëse mësuesi kërkon më pak nxënës në klasë, nuk është se nuk i do klasat e mëdha ose pse nuk mund ta durojë zhurmën, por që ai dëshiron më pak nxënës në klasë për t’iu kushtuar vëmendjen e duhur secilit. Njësoj edhe mjeku. Dëshiron numër më të vogël të pacientëve gjatë një dite në mënyrë që të ketë kohë të mjaftueshme për ta trajtuar sa më profesionalisht secilin. Nuk është njësoj si një klasë me 20 nxënës si një me 30 ose 40 nxënës. Një mjek nuk mund t’i kontrollojë njësoj si 25 pacientë si 50 brenda ditës.
Në këtë kuptim por edhe përgjithësisht kur flasim njerëzit kanë nevojë për kohë, kanë nevojë për vëmendje, kanë nevojë për cilësi në shërbime. Në kontekstin për të cilin po flasim sasia nuk thotë gjë në fund të fundit por kualiteti.
Shkolla nuk është një stadium ku me anë të ovacionave tregohet për rezultate ose cilësi.
Sa më shumë resurse njerëzore në institucione arsimore aq më shumë kohë fitohet dhe aq më shumë hapësirë krijohet për vëmendje dhe trajtim individual të merituar. Andaj edhe habitemi kur dëgjojmë se kemi tepricë të mësimdhënësve në nivel vendi, mbi 1000 thotë ministria. Sipas kësaj i bie që çdo komunë i ka mbi 30 mësues tepricë. Ndërsa ne e dimë që kemi komuna ku me vite kërkojnë shtim të stafit mësimor në shkolla por edhe atij teknik.
Gjendja e krijuar në teren viteve të fundit sidomos me shpërnguljen e popullsisë nga fshati në qytet na thotë se ristrukturimi selektiv është i pashmangshëm. Ky kapërcim duhet të bëhet pa bujë të madhe por me vëmendje të madhe dhe trajtim të veçantë.
Faktet thonë se pas luftës me të drejtë janë ndërtuar shumë shkolla moderne siç edhe me të drejtë janë mbyllur disa. Ky realitet duhet të pranohet sepse nuk ke kah ti shmangesh.
Shoqëria duhet ta tejkaloj idenë e gjetjes së fajtorit sepse nuk ka ndonjë shpjegim fiks për këtë realitet. Ky është çmimi i lirisë dhe ndërtimit të shtetit. Kryesisht janë faktorë socio-ekonomik.
Me ristrukturim mendohet ndërtimi i shkollave të reja në qytete ose lokacione ku ka koncentrim më të madh të popullsisë dhe rrjedhimisht shtimit të stafit dhe zvogëlimit të numrit të nxënësve për klasë.
Ndërsa shkollave që eventualisht mund të mbesin pa nxënës ose me numër të vogël të tyre mund të u ndërrohet destinimi qoftë edhe përkohësisht. Disa veprime dhe vendime imponohen bazuar në rrethana të reja të krijuara.
Kokëfortësia e Ministrisë së Arsimit për mosshtim të numrit të mësuesve në disa komuna dhe mungesa e strategjisë zhvillimore që përfshinë edhe ndërtimin e shkollave të reja do të lërë pasoja për kohë të gjatë. Njësoj lë pasoja edhe strategjia e gabuar.
Njerëzit në përgjithësi dhe shoqëria jonë në veçanti i parapëlqejmë zgjidhjet e shpejta dhe afatgjate. Në fakt janë planet e menduara mirë por edhe fleksibiliteti që ofrojnë zgjidhje të përshtatshme për çdo gjeneratë.