Harmonizimi i kurrikulave
Në parim, Kosova ka një kurrikulë moderne për arsimin parauniversitar. Ajo bazohet në zhvillimin e kompetencave, ku në qendër të procesit mësimor vendoset nxënësi. Kjo qasje supozohet të reflektohet edhe në punën e mësuesve, si dhe në hartimin e teksteve shkollore nga autorët dhe shtëpitë botuese, në mënyrë që të shmangen mospërputhjet ndërmjet botimeve të ndryshme.
Megjithatë, në praktikë vërehen mospërputhje të konsiderueshme, veçanërisht në lidhshmërinë ndërmjet cikleve të arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm. Harmonizimi i kurrikulave është i domosdoshëm, pasi ekziston një asimetri e theksuar nga një nivel në tjetrin, si në përmbajtje, ashtu edhe në qasjen pedagogjike. Kjo mungesë koherence e vështirëson ndërtimin e vazhdimësisë në të nxënë dhe zhvillimin progresiv të kompetencave, duke krijuar boshllëqe në kalimin e nxënësve nga një cikël në tjetrin.
Para dy vitesh ka filluar pilotimi dhe zbatimi i kurrikulës së re për nivelin parashkollor, një kurrikulë mjaft ambicioze në vlerësim të parë. Ajo bazohet kryesisht në zhvillimin e aftësive kreative dhe nuk e konsideron librin si burim kryesor informacioni apo mjet pune. Madje, nuk e lejon përdorimin e tij fare, as shkrimin tradicional të shkronjave, siç ka ndodhur më parë.
Ndërkohë, në nivelin fillor dhe të mesëm vazhdon të zbatohet Kurrikula e Kosovës e vitit 2014, e bazuar në kompetencat dhe rezultatet e të nxënit. Edhe shkollat e mesme e zbatojnë këtë kurrikulë, por sidomos ato profesionale shpesh përballen me mungesë të materialeve adekuate. Kjo krijon një mospërputhje të konsiderueshme në mënyrën e funksionimit dhe të procesit mësimor. Në këto rrethana, vështirë se mund të flitet për një sistem të mirëfilltë, më shumë për një strukturë të fragmentuar.
Është parim bazë që zbatimi i një kurrikule të ndjekë efektin zinxhiror: nëse fillon me një gjeneratë, ajo duhet të vazhdojë si “lokomotivë” për gjeneratat pasuese. Për ta realizuar siç duhet këtë proces, nevojiten rreth 10 vite nga parashkollori deri në klasën e nëntë, ose 13 vite deri në përfundim të shkollës së mesme.
Vite më parë kemi shprehur shqetësime lidhur me ndërhyrjet në kurrikula pa analiza të thelluara dhe pa mbështetje të duhur profesionale. Sot, kjo disharmoni ka krijuar amulli dhe disbalancë ndërmjet niveleve. Për dy vite radhazi kemi qenë dëshmitarë të efektit të menjëhershëm të kurrikulës parashkollore dhe të shqetësimeve të mësuesve të klasave të para. Arsyeja është e qartë: qasjet janë thelbësisht të ndryshme. Këtu nuk bëhet fjalë për metodologji të gabuar, por për mungesë harmonizimi ndërmjet kurrikulave.
Në parashkollor, fëmijët nuk përdorin libra dhe nuk mësojnë shkrimin në mënyrë tradicionale. Përmes mjeteve didaktike dhe kreativitetit, ata arrijnë të njohin shkronjat dhe numrat në mënyrë natyrale dhe funksionale. Por në klasën e parë përballen menjëherë me shkrimin formal dhe me ngarkesë të madhe materiale, shpesh edhe fizike, përmes çantave të rënda. Në nivelet më të larta, sidomos në arsimin profesional, mungesa e materialeve dhe kushteve për praktikë shpesh e redukton mësimin në diktim. Gjimnazet, në këtë aspekt, qëndrojnë disi më mirë.
Për më tepër, së paku çdo pesë vite kemi hartuar strategji të reja në arsim, por nuk jemi të sigurtë se kemi ndërtuar një sistem që prodhon rezultate të qëndrueshme. Më shqetësuesja është mungesa e stabilitetit. Si pasojë, kjo mund të dërgojë në zbehjen e besimit në shkollë dhe në rolin e saj në formimin e gjeneratave dhe në kontributin e tyre shoqëror.
Kjo temë kërkon një elaborim më të gjerë dhe një qasje jo vetëm idealiste, por edhe pragmatike e progresive. Besojmë se përmes një qasjeje të tillë, përmirësimet në sistemin arsimor do të gjenin hapësirën e duhur për t’u zbatuar dhe për të dhënë rezultate të qëndrueshme.
Fidan Hasani,
Korrik 2026.
*Autori është drejtor i shkollës në fshatin Sllatinë të Fushë Kosovës