Testi i Arritshmërisë, i zhvilluar për nxënësit nga klasa e gjashtë deri në të nëntën në Kosovë, është menduar për të matur përgatitjen e tyre akademike.
Por, pas shumë vitesh administrim, është bërë e qartë se ky test ,të paktën sipas mendimit tim ,nuk po i shërben qëllimit të tij. Përvojat e mia si drejtor shkolle për afro 10 vite tregojnë se nxënësit me nota të dobëta shpesh arrijnë rezultate shumë më të larta sesa ata me nota të shkëlqyera. A ka kuptim të vazhdojmë me një test që e deformon vlerësimin e dijes?
Më shumë shqetësuese janë praktikat që janë vënë re gjatë administrimit të testit: kopjimi i toleruar dhe ndihma nga administruesit të cilët, për shkak të mungesës së përgatitjes, japin përgjigje të gabuara. Në disa raste, drejtuesit e shkollave kanë kërkuar të ndikojnë në rezultate për të shmangur që shkolla të dalë keq. Në këtë vit, testi do të mbahet vetëm në një ditë, me 100 pyetje, në vend të dy fazave që kishim deri tani. Pse ky ndryshim dhe çfarë nuk ka funksionuar me formatin e kaluar? Nëse ky test vazhdon të mos jetë një matës i besueshëm i njohurive të nxënësve, a nuk është koha ta reformojmë apo ta heqim fare?
Mendoj se ka ardhur koha kur Ministria e Arsimit të hapë një debat të hapur me shkollat, mësimdhënësit dhe prindërit për të shqyrtuar nëse Testi i Arritshmërisë po e përmbush funksionin e tij, apo nëse po i bën dëm procesit të mësimdhënies. Nëse fokusi ynë është një arsim cilësor dhe i drejtë, atëherë edhe mjetet e matjes duhet të jenë po aq të besueshme dhe të ndershme.