Nga Fehmi Kryeziu: Pensioni nuk e amniston pasivitetin profesional

- Advertisement -

Askush nuk mund ta mohojë rolin e rëndësishëm që kanë luajtur mësimdhënësit me përvojë në sistemin tonë arsimor. Ata kanë kaluar dekada duke formuar breza, shpesh në kushte të vështira, duke mbajtur gjallë shkollën dhe dijen në kohë të turbullta. Dhe për këtë, meritojnë respekt të veçantë.

- paragrafi 1 -

Por pikërisht sepse kontributi i tyre është i madh, pritet prej tyre të jenë gjithmonë model i përkushtimit – edhe në vitet e fundit të karrierës. Ky shkrim nuk është për të gjykuar dikë, por për të reflektuar bashkë mbi një dukuri që po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në shkollat tona: qëndrimi pasiv ndaj risive dhe zhvillimeve në arsim, sidomos kur mendohet se “edhe pak më ka mbetur”.

- Advertisement -

Në sistemin tonë arsimor, ekziston një heshtje e pashkruar kur bëhet fjalë për mësimdhënësit në prag pensionimi që nuk përfshihen në trajnime, nuk përqafojnë teknologjinë dhe nuk përtërijnë metodat e tyre të punës. Shpesh, kjo justifikohet me fjalët: “Çfarë teknologjie? Shkolla ka mbetur me shkumes dhe shpuze.”

E megjithatë, realiteti është tjetër. Në shkollën ku punoj aktualisht, në shumë prej klasave janë të vendosur TV Smart, shumë të dobishëm për prezantime vizuale dhe mësim të gjallë. Po ashtu, kemi të instaluar katër projektorë të rinj. Por për më shumë se 7 vite, pothuajse askush nuk i ka përdorur ato. Pajisjet kanë mbetur në mur si dekor, jo si mjete pune.

Përballë kësaj pamje, më kujtohet një shembull që na ka frymëzuar të gjithëve: një mësues që ishte edhe drejtor i shkollës, dhe ndonëse në prag pensionimi, kishte shumë më shumë vizion e përkushtim se shumë të rinj. Qysh në vitin 2008, ai krijoi një faqe web për shkollën tonë, një hap që bëri bujë në gjithë Kosovën për kohën. Ai ishte shembulli i gjallë se përkushtimi dhe dëshira për të mësuar nuk varen nga mosha, por nga vullneti.

- Advertisement -

Dhe sot, nuk mungojnë as mundësitë. Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës – SBASHK është duke zhvilluar trajnimin “Aplikimi i Programeve Kompjuterike në Mësimdhënie” në shkolla të tëra në Kosovë. Kjo është dëshmi që për ata që duan, rruga ekziston. Dhe për ata që nuk duan, çdo përpjekje do të mbetet “e kotë” në sytë e tyre.

Teknologjia nuk ka efekt nëse vetëm e kemi, por nuk e prekim. Trajnimet nuk ndihmojnë nëse mungon gatishmëria për t’u përfshirë. E ardhmja e arsimit nuk varet vetëm nga programet e reja, por edhe nga gatishmëria jonë për të ndryshuar vetveten.

Mësimdhënia nuk është profesion që mund ta “mbash me autopilot”. Derisa jemi ende në klasë, çdo ditë kemi ndikim – qoftë për mirë, qoftë për keq. Dhe ky ndikim nuk falet as nga nxënësit, as nga koha, vetëm sepse “jemi afër fundit”.

©AlbanianEducation.net