Nga Fehmi Kryeziu: Nga zvarritja në kolaps – shkolla pa drejtor dhe pa përgjegjësi

- Advertisement5 -

Katër vite pa drejtim, një muaj pa drejtor , kjo s’është gjë tjetër veçse dështim i një shkolle në heshtje.

- paragrafi 1 -

Po bëhen gati një muaj që shkolla SHFMU “Beqir Gashi” ka mbetur pa drejtor dhe pa ushtrues detyre. Por kjo situatë nuk ka lindur papritur , është rezultat i një zvarritjeje që ka zgjatur me vite.

- Advertisement - M1

Për rreth katër vite, shkolla ka funksionuar pa një drejtor të rregullt, duke u mbështetur vetëm në ushtrues detyre. Një zgjidhje që duhej të ishte e përkohshme, por që në praktikë u bë e përhershme. Sot, edhe kjo zgjidhje ka munguar, duke e lënë shkollën pa drejtim të qartë.

Mësimdhënësit po përpiqen ta mbajnë procesin mësimor në nivel, por është e vështirë të funksionohet normalisht pa një udhëheqje të qëndrueshme. Mungesa e drejtimit ndikon në organizim, në vendimmarrje dhe në përgjegjësinë e përditshme institucionale.

Një tjetër fakt po aq shqetësues është se tash e rreth tre muaj, shkolla nuk ka mësimdhënës të lëndës së gjeografisë. Kjo është veçanërisht problematike kur dihet se kjo lëndë është pjesë e testit të arritshmërisë për klasën e 9-të, duke i vendosur nxënësit në një pozitë të pafavorshme.

- Advertisement - m2

Ajo që e bën edhe më shqetësuese këtë situatë është fakti se vonesa në lidhje me përzgjedhjen e ushtruesit të detyrës së drejtorit mund të jetë pasojë e proceseve të brendshme në Drejtorinë e Arsimit. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë është e papranueshme që çështje të brendshme të ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e një shkolle dhe në interesin e nxënësve.

Nuk po kërkohet asgjë më shumë sesa ajo që është normale: një shkollë me drejtim të qartë, me stabilitet dhe me përgjegjësi institucionale.

Prandaj, është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të veprojnë sa më shpejt për ta zgjidhur këtë situatë. Çdo vonesë e mëtejshme dëmton jo vetëm organizimin, por edhe besimin në institucion.

Nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit meritojnë më shumë. Heshtja nuk e zgjidh problemin. Veprimi po.