Nga Fehmi Kryeziu: Midis dy shekujve, Mësimdhënësi kosovar në kërkim të identitetit të ri

- Advertisement -

Në vitin 2017, gjatë një takimi pune me drejtorë të shkollave në Kosovë, ku i pranishëm ishte edhe ministri i atëhershëm i Arsimit, z. Arsim Bajrami, një këshilltare rezidente e Bashkimit Evropian nga Universiteti i Vjenës bëri një vërejtje që la gjurmë. Ajo deklaroi:

- paragrafi 1 -

> “Kam parë që objektet shkollore në Kosovë janë të shekullit 21, por më duhet të them se mësimdhënësit kanë mbetur në shekullin 20. Në Austri është e kundërta.”

- Advertisement -

Ndonëse nuk dihet nëse ajo kishte bërë një studim të thelluar për të arritur në këtë përfundim, duket se u mbështet në përvojën e saj të drejtpërdrejtë me sistemin tonë arsimor. Fakti që nuk pati reagime të forta ndaj saj në atë takim, mund të merret si një formë e heshtur aprovimi.

Sot, në vitin 2025, rikujtimi i kësaj deklarate na nxit të reflektojmë, A kemi lëvizur përpara? A është ende i vlefshëm ky konstatim?

Personalisht, besoj se jo. Sot kemi mësimdhënës ndryshe.

- Advertisement -

Shumica prej tyre janë tashmë zbatues të kurrikulës së re dhe kanë përfunduar trajnime të ndryshme profesionale, pavarësisht diskutimeve për cilësinë apo organizimin e tyre. Aftësitë teknologjike të mësimdhënësve janë përmirësuar dukshëm. Madje, pandemia COVID-19, sado sfiduese që ishte, u shndërrua në një katalizator për përvetësimin e mjeteve digjitale dhe për zhvillimin e praktikave të reja pedagogjike.

Mësimdhënësi i sotëm ka filluar të dalë nga “zona e komfortit”, duke sfiduar veten për të menduar ndryshe dhe për të ndërtuar mësim të përqendruar te nxënësi. Ai nuk është më thjesht transmetues i njohurive, por është bërë udhërrëfyes, mentor, motivues dhe partner në të nxënë.

Por a është kjo e mjaftueshme për të hedhur poshtë përfundimisht vërejtjen e dhënë në 2017? Ndoshta po, ndoshta jo. Sepse ende mbetet shumë për të bërë.

Transformimi është i dukshëm, por i papërfunduar. Ne jemi në një udhëtim drejt mësimdhënësit të plotësisht përgatitur për sfidat e shekullit 21, një mësimdhënës që nuk përgatit nxënësit thjesht për të kaluar teste, por për të jetuar e përballuar një botë komplekse, dinamike dhe të pasigurt.