Nga Fehmi Kryeziu: Kur mësimdhënësit pensionohen në heshtje, pa asnjë fjalë falënderimi nga DKA në Malishevë

- Advertisement -

Ka momente në jetë kur heshtja flet më shumë se fjalët. Dhe pikërisht kjo heshtje – ajo institucionale – e bëri më të rëndë ndarjen me dy kolegë të shkollës sonë që së fundi dolën në pension, pas dekadash të tëra përkushtimi në arsim.

- paragrafi 1 -

Në ShFMU “Beqir Gashi” në Mleqan, brenda pak javësh, u pensionuan dy punonjës me përvojë të gjatë dhe kontribute të mëdha: z. Sami Zogaj, arsimtar i ciklit fillor me 40 vite punë në arsim, dhe Rasim Gashi një punëtor teknik me 26 vite shërbim të ndershëm në shkollë.

- Advertisement -

Z. Sami, përveçse mësues i përkushtuar dhe i dashur për nxënësit, ishte edhe biri i një mësuesi të njohur Haxhi Zogaj ,që kishte dhënë mësim po në këtë fshat dhe kishte gëzuar një respekt të jashëtzakonshēm. Pra, kemi të bëjmë me një trashëgimi familjare të arsimit, diçka që duhet të vlerësohet e të respektohet, e jo të kalohet në heshtje.

Fatkeqësisht, Drejtoria Komunale e Arsimit në Malishevë nuk u pa askund në këtë rast. Asnjë përfaqësues nuk ishte prezent për t’i uruar për pensionimin, për t’i falënderuar për punën e tyre, apo për të shprehur mirënjohje institucionale. As një letër, as një mirënjohje simbolike , as edhe një email apo qoftë një tekst në viber– asgjë. Dhe kjo është ajo që dhemb më së shumti: heshtja, mungesa e një shenje vlerësimi për ata që i kanë kushtuar jetën arsimit.

Çuditërisht, raste të ngjashme në shkolla të tjera brenda komunës kanë marrë vëmendjen e duhur nga DKA – me prani fizike, me fjalime falënderuese, me mirënjohje publike. Kjo sjellje selektive, që për disa shkolla ka kujdes të veçantë dhe për disa të tjera jo, është jo vetëm e pakuptueshme, por edhe e padrejtë. A nuk e meritojnë të gjithë mësuesit e komunës tonë një trajtim të barabartë dhe dinjitoz? A nuk është detyrë e DKA-së që të nderojë secilin arsimtar në mënyrë të drejtë, pa dallime dhe pa “preferenca”?

- Advertisement -

Reagimi im nuk ka të bëjë me ndonjë pakënaqësi personale. Përkundrazi, e shoh si një detyrim moral që të flas për këtë qasje përjashtuese që e ka lënë shkollën tonë nën hije.

Kjo është një thirrje për reflektim nga ana e institucioneve që janë përgjegjëse për ruajtjen e dinjitetit dhe motivimit të mësimdhënësve. Nëse një mësues pensionohet dhe nga institucionet nuk merr as edhe një fjalë të vetme falënderimi, çfarë mesazhi po u dërgojmë arsimtarëve të rinj që hyjnë sot në këtë profesion? Që puna e tyre do të përfundojë në harresë? Respekti nuk kushton asgjë, por do të thotë shumë. Ai krijon frymë, motivim dhe lidhje të shëndetshme ndërmjet mësuesve dhe institucioneve. Një mirënjohje, një pjesëmarrje në një ceremoni të thjeshtë, një falënderim publik –një email apo qoftë edhe një tekst në viber, këto nuk janë luks, janë minimumi që secili arsimtar e meriton. Prandaj

Drejtoria Komunale e Arsimit të reflektojë mbi këtë qasje dhe të fillojë të trajtojë me dinjitet e respekt çdo shkollë, çdo mësues dhe çdo punonjës që kontribuon me ndershmëri në arsimimin e fëmijëve tanë.

Autori i këtij shkrimi është profesor i gjuhës angleze në ShFMU “Beqir Gashi” – Mleqan