Nga Fehmi Kryeziu: Januz Salihaj dhe perceptimi i gabuar për mësimdhënësit

- Advertisement -

Së fundmi, eksperti i arsimit, Januz Salihaj, në një intervistë publike ka thënë se “ka mësimdhënës në Kosovë që nuk dinë ta hapin as kompjuterin”.

- paragrafi 1 -

Në thelb, kjo mund të përmbajë një grimë të vërtete, por mënyra e artikulimit tingëllon e vrazhdë dhe me një konotacion fyes. Deklarata e tillë e zbeh figurën e mësimdhënësit, duke krijuar një imazh të padrejtë për një profesion që meriton respekt, jo paragjykim.

- Advertisement -

Mësimdhënësi është një nga figurat më të rëndësishme të shoqërisë, sepse mbi supet e tij rëndon jo vetëm mësimdhënia, por edhe formimi i brezave. Në vend që të theksohej nevoja për mbështetje dhe trajnime digjitale, me një fjali të tillë lind përshtypja se mësimdhënësit në përgjithësi janë të paaftë , një imazh i padrejtë dhe demotivues.

Edhe pse z. Salihaj është përpjekur të mos e përgjithësojë, deklarata mbetet e rrezikshme sepse mund të keqpërdoret nga masa e gjerë. Prindërit, të cilët shpesh hyjnë në debate me mësimdhënësit për të mbrojtur fëmijët e tyre, mund ta përdorin këtë fjali si armë kundër autoritetit të mësimdhënësit: “edhe ekspertët thonë se mësuesit nuk dinë as kompjuterin ta hapin”. Kjo e vendos gjithë korpusin e mësimdhënësve në një pozitë të padrejtë dhe ul respektin ndaj tyre si profesionistë.

Nga intervista, një mësimdhënës me përvojë mund ta vërejë lehtë se z. Salihaj nuk ka pasur qasje të drejtpërdrejtë në shkollat tona prej kohësh. Ai flet për përvojat e tij në Dublin të Irlandes, por nuk reflekton realitetin e Kosovës sot.

- Advertisement -

Nuk e di, për shembull, se në shkollat tona marrëdhënia mes nxënësit dhe mësimdhënësit ka ndryshuar dukshëm: ata bashkëpunojnë më shumë dhe distanca mes tyre është zvogëluar. Për më tepër, kur gazetarja i thotë se “kemi një sistem klasik ku mësuesi është autoriteti, e nxënësi vetëm dëgjuesi”, ai nuk e korrigjon, edhe pse kjo nuk është më e vërtetë. Aktualisht, modeli didaktik i përdorur është ai i balancuar: rreth 40% i dedikohet rolit të mësuesit dhe 60% angazhimit të nxënësit.

Prandaj, nëse qëllimi i tij ishte të tërhiqte vëmendjen mbi domosdoshmërinë e ngritjes së shkathtësive digjitale të mësimdhënësve, kjo duhej bërë me një gjuhë më të kujdesshme dhe me një kuptim më të saktë të realitetit. Kritika është e domosdoshme, por kritika e vrazhdë dhe e shkëputur nga praktika e përditshme e shkollave vetëm e dëmton figurën e mësimdhënësit dhe hap rrugë për interpretime të gabuara.

Mësimdhënësit meritojnë mbështetje dhe respekt. Sepse një fjali e thënë pa doganë nuk përmirëson arsimin , përkundrazi, e bën atë më të brishtë.