Shkolla fillore e mesme e ulët “Beqir Gashi”, në fshatin Mleqan të Malishevës po përballet me një krizë të thellë menaxheriale, e cila po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit dhe në disiplinën shkollore.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit, në vend që të jetë një figurë udhëheqëse dhe organizuese, duket i humbur në mes të kaosit që ka krijuar vetë. Mungesa e profesionalizmit dhe e përgjegjësisë së tij ka sjellë një gjendje alarmante në shkollë, duke e shndërruar atë në një ambient ku as rregulli dhe as standardet arsimore nuk respektohen më.
Përderisa në shkollat fqinje si në:Llazicë e Bubavec procesi i vlerësimit të Performancës së Mësimdhënësve është në fazën përfundimtare ,në shkollën tonë as që është përmendur e lërë të fillojë së zbatuari. Mësimdhënësit kanë mbetur në mes të asgjëkundit, në mes të një mjegulle të informacioneve.
Një nga problemet kryesore është mungesa e bashkëpunimit të ushtruesit të detyrës së drejtorit me stafin arsimor. Mësimdhënësit nuk kanë asnjë mbështetje apo drejtim të qartë, duke u lënë të përballen vetë me sfidat e përditshme të shkollës. Kjo mungesë koordinimi ka çuar në një situatë ku vendimet e rëndësishme nuk merren, problematikat nuk adresohen dhe disiplina në shkollë ka rënë në nivelin më të ulët.
Nxënësit tashmë lëvizin lirshëm në ambientet shkollore, pa asnjë kontroll. Ata konsumojnë duhan dhe përdorin telefona e pajisje vaping brenda mjediseve të shkollës, pa asnjë frikë nga ndonjë masë disiplinore.
Në vend që të krijohet një ambient edukativ dhe i sigurt për ta, shkolla është shndërruar në një hapësirë ku rregullat shkelen hapur dhe autoriteti i mësimdhënësve është injoruar plotësisht.
Përgjegjësia e një drejtuesi shkolle është të sigurojë një mjedis të shëndetshëm për nxënësit dhe një atmosferë profesionale për mësimdhënësit. Në rastin e SHFMU “Beqir Gashi”, ndodh e kundërta. Përveç mungesës së disiplinës dhe rregullit, nuk ka asnjë iniciativë për përmirësim apo për të vendosur standarde të qarta. Nëse ky kaos vazhdon, shkolla do të përballet me pasoja të rënda, si ulja e cilësisë së mësimdhënies, humbja e autoritetit të stafit arsimor dhe një rritje e sjelljeve problematike mes nxënësve.
Situata nuk mund të tolerohet më. Institucionet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë urgjentisht për të vënë shkollën në rrugën e duhur.
Kjo përfshin:
Zëvendësimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit me një person të aftë dhe të përkushtuar.
Vendosjen e rregullave të qarta dhe të rrepta për disiplinën e nxënësve brenda shkollës.
Përmirësimin e komunikimit dhshkëpunimit mes drejtorisë dhe stafit arsimor.
Mbikëqyrjen e rreptë nga institucionet arsimore për të siguruar një menaxhim profesional dhe efektiv.
Nëse nuk merren masa të menjëhershme, SHFMU “Beqir Gashi” do të vazhdojë të përkeqësohet, duke dëmtuar jo vetëm të ardhmen e shkollës, por edhe të nxënësve që janë pjesë e saj. Një shkollë pa rregull dhe pa udhëheqje të duhur është një dështim për gjithë komunitetin arsimor.
E tëra çka është thënë më lartë është e bazuar në gjendjen reale tē shkollës.
Ardhja e ndonjë zyrtari komunal të arsimit në shkollë, apo vizita e ndonjë inspektori rajonal do të ishte jashtëzakonisht e nevojshme dhe e mirëseardhur.
Autori i këtij shkrimi është Fehmi Kryeziu, Profesor i gjuhës dhe letërsisë angleze në SHFMU “Beqir Gashi “në Mleqan – Komuna e Malishevës.
©AlbanianEducation.net