Nga Fehmi Kryeziu: A janë mentorët zgjidhja për shkollat tona?

- Advertisement5 -

Po bëhet gjithnjë e më e qartë se arsimit tonë i mungon një mentorim i mirëfilltë në shkolla.

- paragrafi 1 -

Jo si formalitet dhe jo si një titull në letër, por si një proces real bashkëpunimi, ku përvoja shpërndahet dhe zhvillohet përmes ndërveprimit mes mësuesve.

- Advertisement - M1

Mentorimi nuk është thjesht udhëzim, por një marrëdhënie dinamike ku edhe mentori mëson, edhe i mentoruari rritet. Megjithatë, lind pyetja thelbësore: a jemi ne gati për një proces të tillë? Sepse nëse do të zbatohej seriozisht, shumë gjëra do të dilnin në sipërfaqe.

Do të duhej të përballemi me përzgjedhjen e duhur të kuadrit, me mungesën e standardeve të qarta dhe me një kulturë që jo gjithmonë e mirëpret kritikën profesionale. Në këtë kontekst, kohëve të fundit është përmendur shpesh ideja se në Kosovë ka mësues “të tepërt”. Por në vend që kjo të shihet vetëm si problem, ajo mund të trajtohet si një mundësi e madhe e pashfrytëzuar.

Pse të mos përdoret kjo përvojë si një kapital profesional, duke i angazhuar këta mësues si mentorë për mësuesit e rinj?

- Advertisement - m2

Në këtë mënyrë, ata nuk do të konsideroheshin si barrë, por si një nga asetet më të vlefshme të sistemit arsimor.

Natyrisht, një proces i tillë kërkon kujdes të veçantë që mentorët të mos përzgjidhen pa kritere, ashtu siç shpesh janë zgjedhur dhe po zgjidhen drejtuesit aktualë të shkollave, ku shembuj të tillë negativë vijnë pikërisht edhe nga disa komuna të vendit. Pa një program të qartë, me objektiva të matshme, pa trajnim serioz për mentorët dhe pa mbështetje për kohën dhe angazhimin e tyre, çdo ide rrezikon të mbetet vetëm në letër.

Mentorimi nuk mund të funksionojë si një formalitet, por kërkon përkushtim, përgjegjësi dhe strukturë të mirëfilltë. Po ashtu, është me rëndësi të theksohet se mentorimi nuk është në kundërshtim me inspektimin arsimor, por një proces plotësues, pasi inspektorët sigurojnë standardet ndërsa mentorët ndihmojnë në zhvillimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve. Kjo praktikë nuk është e panjohur as në rajon.

Në vende si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, roli i mësuesit-mentor po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në sistemin arsimor dhe shërben për mbështetjen dhe zhvillimin profesional të mësuesve të rinj.

Po ashtu, në sisteme të avancuara si në Skoci, si dhe në vende si Finlanda, Norvegjia dhe Singapori, mentorimi është pjesë e detyrueshme e zhvillimit profesional, ku mësuesit e rinj mbështeten nga mentorë të trajnuar gjatë periudhës së tyre të hyrjes në profesion dhe vlerësohen në mënyrë të strukturuar.

Ndërsa tek ne, mbetet një dilemë e hapur: a do të kemi guximin ta shndërrojmë përvojën në vlerë dhe të ndërtojmë një sistem mentorimi të mirëfilltë, apo do të vazhdojmë ta quajmë atë “tepricë”?