Përvoja ime shumëvjeçare si mësimdhënës dhe trajner i gjuhës angleze në Kosovë më ka dhënë mundësinë të vëzhgoj nga afër një dukuri shqetësuese: shumë mësimdhënës të kësaj gjuhe zotërojnë njohuri të thella gramatikore, por kanë mungesë të dukshme në komunikimin verbal.
Ky fenomen ngre pyetje serioze rreth mënyrës si strukturohet arsimi gjuhësor në vendin tonë dhe kërkon një vëmendje të re mbi balancimin mes teorisë dhe praktikës në përgatitjen e mësimdhënësve.
Gjatë karrierës sime 33-vjeçare si mësimdhënës i gjuhës angleze, e veçanërisht në 25 vitet e fundit ,kam pasur mundësinë të takoj qindra kolegë nga e gjithë Kosova. Kam bashkëpunuar me ta herë si pjesëmarrës në trajnime, por më shpesh si fasilitues dhe udhëheqës i seminareve të shumta të fokusuara në të mësuarit dhe mësimdhënien efektive të gjuhës angleze.
Gjatë këtyre viteve, kam mbajtur seminare dhe sesione trajnimi në të gjitha rajonet kryesore të vendit – në Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Gjilan dhe Pejë e shumë qytete të tjera,ku kam pasur kontakt të drejtpërdrejtë me dhjetëra e dhjetëra mësimdhënës të anglishtes. Pra, ajo që po them nuk është përshtypje personale, por një realitet i vërtetuar përmes përvojës së gjerë në terren.
Është inkurajuese të shohësh se një përqindje e konsiderueshme e mësimdhënësve të anglishtes janë të diplomuar me gradën bachelor, të fituar në universitete publike apo private në vend. Megjithatë, gjatë gjithë këtyre viteve, kam vërejtur një problem të thellë dhe shqetësues: shumica absolute e këtyre mësimdhënësve nuk zotërojnë rrjedhshmëri në të folurën e gjuhës angleze dhe shpeshherë bëjnë gabime të dukshme gjatë komunikimit verbal.
Shumë prej tyre kanë njohuri të mira gramatikore dhe janë në gjendje të zgjidhin me sukses ushtrime dhe teste që përfshijnë Passive Voice, Conditionals, Reported Speech e të tjera struktura të ndërlikuara. Megjithatë, kur duhet të flasin lirshëm dhe natyrshëm, ata shpesh ngurrojnë, hasin vështirësi në formulimin e fjalive dhe gabojnë në shqiptim e përdorim.
Ky kontrast u bë edhe më i theksuar gjatë përvojës sime 8-vjeçare si përkthyes, ku kam pasur rastin të takoj njerëz që nuk kishin asnjë diplomë formale në gjuhën angleze, por që flisnin rrjedhshëm, me vetëbesim dhe me shumë më pak gabime. Kjo më çoi te pyetja thelbësore: Pse ndodh kjo?
Mendoj se kjo situatë është pasojë e drejtpërdrejtë e mënyrës si organizohet dhe zhvillohet arsimi universitar në vendin tonë. Në fakultetet e gjuhës angleze, i jepet rëndësi e jashtëzakonshme aspektit teorik ,gramatikës dhe analizës strukturore ,ndërsa aspekti praktik, veçanërisht i të folurit, neglizhohet pothuajse krejtësisht. Studentët kalojnë nëpër një sërë testesh, diktesh dhe ushtrimesh të natyrës teorike, por rrallëherë vlerësohen ose motivohen për të komunikuar në mënyrë aktive.
Përveç kësaj, shumë mësimdhënës nuk kanë mundësi të udhëtojnë apo të qëndrojnë në vende anglishtfolëse dhe nuk kanë kontakt të drejtpërdrejtë me folës amtare të anglishtes. Kjo e kufizon aftësinë e tyre për të dëgjuar dhe praktikuar gjuhën në kontekste reale. Edhe librat që përdoren në shkollat fillore dhe të mesme janë të mbingarkuar me gramatikë dhe përqendrohen shumë pak në komunikim.
Si pasojë, edhe nxënësit përgatiten kryesisht nga aspekti gramatikor, dhe kjo reflektohet në rezultatet e testimeve kombëtare. Për shembull, në testin kombëtar të vitit të kaluar, përqindja e lartë e suksesit në lëndën e gjuhës angleze ishte tregues se nxënësit arrijnë të kalojnë teste teorike. Por, në praktikë, në komunikim të folur, realiteti është shumë më i zymtë.
Nëse synimi ynë është të kemi gjenerata që përdorin anglishten me kompetencë të plotë, atëherë duhet të fillojmë nga përgatitja e mësimdhënësve , jo vetëm në aspektin teorik, por edhe në të folur praktik. /AlbanianEducation.net/.