Nota të falura — një traditë që po dëmton gjeneratat
Në shumë shkolla tona, sidomos në vitet e fundit, është bërë praktikë e zakonshme falja e notave në fund të vitit shkollor. Shpesh kjo bëhet për të kënaqur prindërit, për të ruajtur “imazhin” e shkollës ose për të shmangur kritikat. Megjithatë, ky veprim dëmton drejtpërdrejt nxënësit. Kur nxënësit marrin nota të larta pa meritë, krijojnë vetëbesim të rremë, duke menduar se janë të përgatitur. Kjo vetëkënaqësi del në pah në testin e arritshmërisë, ku më shumë se gjysma e semimaturantëve nuk arrijnë të kalojnë nivelin bazë.
Rezultatet tregojnë se shumë nxënës me mesatare të lartë gjatë shkollës dështojnë të marrin pikë minimale në test. Në disa komuna, raportet zyrtare tregojnë se mbi 60% e semimaturantëve mbesin nën pragun e kalueshmërisë. Kjo është dëshmi e qartë se nota nuk pasqyron dije reale.
Plan-programe të kopjuara nga mësimdhënësit
Një tjetër problem madhor është përdorimi i planeve dhe programeve të kopjuara nga ana e mësimdhënësve. Shumë mësues, në vend që t’i hartojnë vetë, i marrin të gatshme nga interneti ose nga kolegët, pa i përshtatur nevojave të nxënësve. Si pasojë, mungon krijimtaria dhe mungon zhvillimi i mendimit kritik.
Nxënësit nuk mësohen të analizojnë, të zgjidhin probleme të reja dhe të mendojnë në mënyrë të pavarur. Në vend të përgatitjes praktike dhe të thelluar, mësimi reduktohet vetëm në mësimin përmendësh. Kjo mënyrë përgatitjeje ka bërë që shumë nxënës të deklarojnë se gjatë vitit nuk kanë ushtruar asnjë detyrë praktike, nuk kanë analizuar tekste dhe nuk janë stërvitur për t’u përballur me pyetje të reja.
Humbja e përgjegjësisë dhe vetëdijes
Falja e notave dhe planet e kopjuara i largojnë nxënësit nga ndjenja e përgjegjësisë dhe vetëdijes për punë. Shumë nxënës pranojnë se gjatë gjithë vitit detyrat ua kanë bërë prindërit ose i kanë kopjuar nga interneti. Në testin e arritshmërisë, përballë detyrave që kërkojnë logjikë, ata ngecin.
Janë të shumta rastet kur nxënës që nuk kanë lexuar asnjë libër gjatë vitit, ose që nuk dinë të shkruajnë drejt një tekst të shkurtër, dalin me nota të larta në dëftesë. Kjo gënjeshtër e ndërtuar mbi nota të falura i bën më pas të ndihen të dështuar kur nuk arrijnë të kalojnë testin.
Nevoja urgjente për ndryshim
Për të ndryshuar këtë gjendje alarmante, duhet të rikthehet vlerësimi real dhe të ndalet njëherë e përgjithmonë falja e notave. Nota duhet të fitohet me meritë dhe të tregojë dijen dhe përgatitjen reale të nxënësit.
Mësimdhënësit duhet të hartojnë vetë plane e programe të përshtatura për klasën, që të zhvillojnë mendimin kritik dhe kreativitetin. Nxënësit duhet të angazhohen me detyra praktike, projekte individuale dhe ushtrime që i ndihmojnë të kuptojnë thelbin e njohurive.
Gjithashtu, duhet të jepet një vlerësim kthyes i rregullt, i sinqertë dhe ndihmues, në mënyrë që nxënësi të kuptojë ku qëndron dhe çfarë i nevojitet të përmirësojë. Vetëm kështu mund të krijojmë gjenerata të përgjegjshme dhe të afta për të kaluar jo vetëm testin e arritshmërisë, por edhe sfidat e jetës. /AlbanianEducation.net/.