Nga Fatmir Selimi: Këshilla për prindër – sjellja e fëmijës në shkollë fillon nga shtëpia

- Advertisement -
Të nderuar prindër,
Shpeshherë sjellja e fëmijëve në shkollë është pasqyrë e drejtpërdrejtë e edukatës që ata marrin në familje. Mësuesi mund të japë dije dhe të forcojë vlera, por baza e karakterit ndërtohet në shtëpi.
Ja disa këshilla që ndikojnë drejtpërdrejt në sjelljen dhe suksesin e fëmijës në shkollë:
Jini shembull – Fëmijët mësojnë më shumë nga ajo që shohin se sa nga ajo që dëgjojnë.
Nëse prindi përdor fjalë të mira, përshëndet me respekt dhe sillet me qetësi, fëmija do ta bëjë të njëjtën gjë edhe me mësuesit dhe shokët e klasës.
Mësoni mirësjelljen – Shprehjet e thjeshta si “mirëmëngjes”, “të lutem” dhe “faleminderit” janë mësime që lindin në shtëpi, por vlejnë shumë në mjedisin shkollor.
Kultivoni respektin – Mësoni fëmijën të dëgjojë kur tjetri flet, të respektojë radhën dhe të kujdeset për sendet publike. Këto sjellje e bëjnë atë të pranuar dhe të vlerësuar në klasë.
Kërkoni përgjegjësi – Kur fëmija mësohet të përmbushë detyra të vogla në shtëpi (të mbledhë lodrat, të ruajë pastërtinë), ai do ta kuptojë më lehtë edhe përgjegjësinë për detyrat shkollore.
Ndërhyni me qetësi kur gabon – Fëmijët mësojnë nga gabimet. Këshilloni me dashuri dhe qartësi, jo me ofendime apo ndëshkime të ashpra, sepse mënyra si e qortoni në shtëpi ndikon në mënyrën si ai reagon ndaj korrigjimit edhe në shkollë.
Mos i dëmtoni fëmijët me mungesa të panevojshme – Një nga veset e këqija që po vërehet shpesh është mungesa e fëmijëve në fillim të vitit shkollor, sepse prindërit zgjedhin t’i dërgojnë për pushime në det edhe pas fillimit të mësimit.
Fëmija humb ditët më të rëndësishme të përshtatjes dhe bazës së vitit të ri shkollor. Pastaj, po ata prindër kërkojnë nga mësuesi orë shtesë për të kompensuar mësimin e humbur. Kjo jo vetëm që është e padrejtë për mësuesin, por e dëmton edhe fëmijën, sepse humbet ritmin dhe e ka të vështirë të ecë në hap me shokët e klasës.
Prind i mirë nuk është ai që ia plotëson çdo dëshirë fëmijës, por ai që e udhëzon drejt vlerave dhe e mëson rëndësinë e përgjegjësisë. Kujtoni gjithmonë: sjellja dhe suksesi i fëmijës në shkollë janë fryt i edukatës dhe qëndrimit tuaj në shtëpi. /AlbanianEducation.net/.