Shpesh e shohim arsimin thjesht si një mjet për të përgatitur të rinjtë për të ardhmen — për punë, për karrierë, për një vend në shoqëri.
Por në të vërtetë, arsimi nuk është thjesht një urë drejt jetës; ai është vetë jeta. Është mënyra se si fëmijët mësojnë të mendojnë, të ndiejnë, të bashkëpunojnë dhe të ndërtojnë identitetin e tyre si qytetarë të përgjegjshëm.
Në Kosovë, arsimi ka kaluar nëpër shumë sfida historike dhe sociale. Nga periudha e pasluftës, kur arsimi ishte emergjent dhe më shumë fokusohej në krijimin e kushteve minimale, deri tek sot, kur po përpiqemi të krijojmë një sistem arsimor modern, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.
Megjithatë, problemet mbesin të shumta: mungesa e infrastrukturës, librat e dëmtuar dhe të papërshtatshëm, mungesa e kabineteve dhe pajisjeve laboratorike, ngarkesa e tepërt e mësimdhënësve, si dhe programet që shpesh nuk reflektojnë nevojat e tregut dhe shoqërisë.
Një problem i madh është edhe niveli i ulët i motivimit tek nxënësit, i ndikuar nga mungesa e mbështetjes individuale dhe klima jo gjithmonë inkurajuese në shkolla. Testet e arritshmërisë dhe të maturës shpesh nuk matin realisht njohuritë dhe kompetencat e nxënësve, por shërbejnë si formalitete që nuk kontribuojnë në zhvillimin personal.
Pavarësisht këtyre sfidave, arsimi mbetet një fushë jetike, sepse formon qytetarë dhe shoqëri. Të mendosh për arsimin si “përgatitje për jetën” do të thotë ta shohësh atë si një stacion të përkohshëm. Por nëse e shohim si “vetë jetën”, atëherë kuptojmë që çdo ditë në shkollë është një mundësi për të mësuar jo vetëm matematikë apo gjuhë, por edhe etikë, respekt, tolerancë dhe përgjegjësi.
Çdo mësues është më shumë se një transmetues njohurish — është një model jetese. Çdo nxënës nuk është vetëm një numër në regjistër, por një botë e veçantë që duhet nxitur dhe mbështetur.
Arsimi në Kosovë ka nevojë për reforma të guximshme dhe të thella, duke filluar nga kushtet bazike deri tek qasja pedagogjike, vlerësimi dhe përdorimi i teknologjisë. Kemi nevojë për plane të hartuara nga profesionistë dhe jo plane të kopjuara e të ofruara si “paketa promocionale”.
Në fund, duhet të kuptojmë që arsimi nuk mund të shihet si “detyrë” e përkohshme. Është një proces i pandërprerë, një kulturë që fillon në shkollë dhe vazhdon gjatë gjithë jetës. Vetëm duke e parë arsimin si jetën vetë, mund të krijojmë një shoqëri të zhvilluar, të barabartë dhe me qytetarë të ndërgjegjshëm.