E hënë, 25 Nëntor, 2024

Nga Fareed Zakaria: Mësuesit meritojnë më shumë sesa vlerësimi

- Advertisement1-

Shkruan: Fareed Zakaria

35 për qind më pak amerikanë kanë studiuar për t’u bërë mësues në vitet e fundit

- Advertisement -

Javën e kaluar ishte Java e vlerësimit të mësuesve dhe kisha ndërmend të shkruaja në këtë temë, por ndodhi diçka tjetër në ndërkohë që më pengoi. Kjo është një metaforë e përshtatshme për gjendjen e vështirë të mësuesve në Amerikë sot. Ne jetojmë në një ambient mediatik në të cilin urgjentja shpesh le anash të rëndësishmen. Por, këtë javë do t’iu përmbahem planeve të mia. Në “East of Eden”, një roman i zhdërvjellët për Perëndimin e madh amerikan, John Steinbeck, shkruan, “Në vend, depoja e artit dhe shkencës ishte shkolla dhe mësuesi i shkollës mbronte dhe mbante pishtarin e të mësuarit dhe të bukurisë… Mësuesi, arsimtari, nuk ishte vetëm një model intelektual dhe një udhëheqës social, por edhe faktori matrimonial i fshatrave. Një familje me të vërtetë mund të krenohej, nëse djali i tyre ishte martuar me një mësuese”.

Me paga të ulëta dhe me burime të kufizuara

Pamja që ofron Steinbeck (e vendosur në fillim të shekullit XX) është pothuajse e panjohur në Amerikën e sotme, ku mësuesit e shkollës janë paguar kaq pak, saqë ata kanë gati pesë herë më shumë gjasa që ta bëjnë edhe një punë të dytë, sesa një punëtor mesatar me orar të plotë të punës, sipas Vox. Të gjithë kemi dëgjuar për pagat e ulëta të klasës së mesme. Por paga mesatare për një mësues në Shtetet e Bashkuara, e rregulluar për inflacionin, në të vërtetë ka rënë gjatë 15 viteve të fundit, ndërsa shpenzimet e tyre të kujdesit shëndetë- sor janë rritur ndjeshëm. “The Economist” raporton se mësuesit fitojnë 60% të asaj që fiton një profesionist tjetër, me arsimim të ngjashëm. Paga mesatare vjetore për një mësues në shumë shtete është nën 50,000 dollarë. Mësuesit në Virxhininë Perëndimore bënë grevë disa muaj më parë për të kërkuar paga më të larta dhe qeveria pranoi një ngritje pagash prej 5%, që do të thotë se paga mesatare do të rritet vetëm në 48,000 dollarë. Ashtu si shumë shtete të tjera, Virxhinia Perëndimore dështoi të rivendoste shpenzimet e arsimit pasi e zvogëloi atë në prag të krizës financiare një dekadë më parë. Deri në vitin e kaluar, financimi i shtetit për nxënës (i përshtatur për inflacionin) ishte ende në rënie midis 8 dhe 28 për qind në pesë nga gjashtë shtetet ku mësuesit tani janë duke bërë grevë, sipas një studimi të Qendrës për Buxhet dhe Prioritete politike. Me paga të ulëta dhe me burime të kufizuara, edukatorët amerikanë dëshpërohen dhe e braktisnin profesionin me dyfishin e përqindjes së disa prej vendeve më të larta, siç tregon Linda Darling-Hammond nga Instituti i Politikave të të Mësuarit. Meqë 35 për qind më pak amerikanë kanë studiuar për t’u bërë mësues në vitet e fundit, vë në dukje Linda, ka mungesa masive të mësuesve, duke detyruar shkollat në mbarë vendin të punësojnë më shumë se 100,000 njerëz që nuk kanë kualifikimet e duhura. Në fakt, sikur që raporton “New York Times”, është e vështirë për shkollat publike që të gjejnë amerikanë të kualifikuar kështu që shumë qarqe fillojnë të rekrutojnë instruktorë nga vendet me paga të ulëta si Filipinet.

Profesioni i mësuesit nuk ishte kurrë një rrugë për të bërë pasuri

Problemi nuk ka të bëjë vetëm me pagat. Një edukatore veterane me të cilin fola, e cila filloi të punojë në Kaliforni në vitet 1960, u kujtua për atë “epokë të artë” kur kishte burime të mjaftueshme për t’u përdorur në klasë, shkonte në seminare për të zhvilluar aftësitë e saj dhe duke u përmbushur. Sot, mësuesit kanë pak kohë ose para për ndonjë nga këto. Një studim i kohëve të fundit i mësuesve të shkollave publike zbuloi se 94 për qind paguajnë për furnizime në klasë nga xhepat e tyre, pa rimbursim, me një shpenzim mesatar prej 479 dollarësh në vit. Nuk është problemi krejt te paratë. Profesioni i mësuesit nuk ishte kurrë një rrugë për të bërë pasuri, por mësuesit dikur kishin respektin dhe statusin që përputhet me përshkrimin e Steinbeckut. Andreas Schleicher, i cili kryeson Divizionin e Arsimit për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe ka kaluar vite duke bërë krahasime të kujdesshme ndërkombëtare mbi arsimin, shpesh ka vërejtur se vendet që bëjnë investimet më të mëdha në arsimin publik – Singapor, Finlandë dhe Korenë e Jugut – mund të rekrutojnë të diplomuar të lartë në radhët e mësimdhënies, sepse ata paguajnë mirë, investojnë në zhvillimin profesional dhe shoqëritë e tyre tregojnë respekt të thellë për profesionin. Në Shtetet e Bashkuara, kur hasim një anëtar të shërbimeve të armatosura, shumë prej nesh shfrytëzojnë rastin për t’i falënderuar ata për shërbimin e tyre. Kur ishte hera e fundit që bëtë të njëjtën gjë për një mësues të shkollës publike? Po, arsimi është një temë shumë e ndërlikuar. Thjesht shpenzimi i më shumë parave nuk garanton rezultate – megjithëse ka studime që tregojnë një korrelacion të rëndësishëm ndërmjet pagesës së mësuesve dhe arritjeve të nxënësve. Po, burokracia e arsimit është e ngurtë dhe shpesh e korruptuar. Por e gjithë kjo e maskon problemin qendror: Gjatë 30 viteve të fundit, si pjesë e sulmit ndaj qeverisë, burokratëve dhe sektorit publik në përgjithësi, të jesh mësues në Amerikë është bërë një punë pa mirënjohje. E, megjithatë, mësuesia është profesioni i vetëm që i bën të gjitha profesionet e tjera të mundshme.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

10 mënyra për t’i kryer detyrat tuaja të shtëpisë më shpejt

Detyrat e shtëpisë mund të jenë të bezdisshme dhe të marrin shumë kohë, ndërsa...

Nxënësja Elmedina Dajaku i kushton këngë heroit Halil Geci në përvjetorin e rënies së tij

Në një akt të ndjerë përkujtimi, nxënësja Elmedina Dajaku ka interpretuar një këngë të...

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Luisi djali 14-vjeçar i cili mbeti i plagosur nga ngjarja e rëndë të ndodhur...

Kolektivi i shkollës “Jorgji Dilo” nga Elbasani viziton shkollën “Asdreni” në Pejë

Shkolla "Asdreni" në Pejë ka njoftuar se kanë pasur për vizitën kolektivin e shkollës...