Shkrimi i Evans Drishtit
“Kërkesa e llogarisë duhet ta mundë heshtjen” ngre alarmin për bullizmin dhe mungesën e reagimit. Ai thekson nevojën për ligje të forta, mbështetje për adoleshentët dhe angazhimin e prindërve e mësuesve. Komunikimi dhe ndërhyrja e shpejtë mund të parandalojnë tragjedi të tjera.
Nga Evans Drishti
Kërkesa e llogarisë duhet ta mundë heshtjen.
Në turbullirën e rritjes së të rinjve në kohët e demokracisë, rasti në fjalë i vetvrasjes së adoloshentes 17 vjeçare i shton akoma më shumë peshë turbullirës helmuese që sa vjen e bëhet më e dukshme.
Në momentin kur tërhiqemi dhe hezitojmë të kërkojmë llogari duke vënë përpara përgjegjësisë implimentuesit e kësaj turbullire, sa të pështirë aq dhe vrastare, të tilla katastrofa shoqërore detyrohemi t’i dëgjojmë shpesh e më shpesh.
Fenomeni i bullizimit kërkon me emergjencë një ligjvënie të fortë në ambientet shkollore. Përsa kohë anashkalohet marrja në shqyrtim e çdo lloj rasti, sado i vogël në dukje qoftë, përsa kohë të rinjtë adoleshencë që nuk kanë arritur pjekurinë e duhur për të kuptuar si duhen respektuar normat më themeltare, nuk orientohen fillimisht nga familjarët e tyre dhe më pas edhe nga mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, të tilla norma padyshim që s’kanë si të kultivohen.
Në çdo rast e rrethanë duhet ngritur zëri për konsulta të vlefshme dhe qartësuese. Një adoleshente 17 vjeçare ka kërkuar mbështetje dhe konsulta për pozicionin në të cilin është ndodhur jo një herë, por sa e sa herë. Por të tilla konsulta nuk bëhen dhe s’mund të bëhen thjesht sa për procedurë, por detyrimisht të nxirret një përfundim sqarues dhe qetësues për adoleshentët.
Një shprehje popullore thotë: ”Hekuri rrihet sa është i nxehtë”, ndaj nëse anashkalohet shqyrtimi i një rasti, vijmë në grumbullime të shumë rasteve deri në atë pikë sa adoleshentja përfshihet pa dashje në një depresion të fortë që shkon deri në marrje jete.
Ndaj është i domosdoshëm që prindërit të jenë sa më në kontakt me shkollat, ku mësojnë fëmijët e tyre, pasi procesi i rritjes së një fëmije nuk kufizohet në kohë, përkundrazi është i përjetshëm.
Kujdestaria në klasa s’mund dhe s’duhet të kufizohet thjesht dhe vetëm me një përshëndetje mëngjesore, por duhet shqyrtuar me detaje çdo sjellje dhe reagim i nxënësve adoleshentë, që nga ai/ ajo që rri në heshtje të plotë, e deri tek ai/ajo që mbahet si më protagonisti.
Adoleshentët janë qenie që shfaqin zhvillime të befasishme në çdo moment të ditës, pasi influencohen nga çdo gjë që i rrethon në përditshmëri. Ndaj komunikimi pikësëpari i familjarëve me adoleshentët duhet të nisë çdo mëngjes duke vijuar në çdo kohë të ditë – natës. Vetë prindërit kanë për detyrë të ngrenë zërin në shkollën e fëmijës, kur hasen raste të tilla apo të ngjashme, pasi adoleshentët mbeten të pafuqishëm dhe në pritje të një dore ndihmëtare.
A është e mundur, të nderuar mësues, të ndërprisni për pak çaste mësimdhënien tuaj dhe të zhvilloni biseda të larmishme sociale, për të cilat kanë nevojë më shumë të dëgjojnë adoleshentët e sotëm?
Të kuptojmë se ka më rëndësi zhvillimi i një trajtese sociale e kulturore në klasë, se sa zhvillimi apo shpjegimi 100% i një teme të caktuar në lëndë të caktuara. Është koha të lehtësohen barrat e rënduara të adoleshentëve dhe të kthjellohen më shumë në të kuptuarin e substanciales.
A është më mirë të jepet një teori lëndore më pak e të shtohet komunikimi dhe konsulta sociale e kulturore, apo të zhytemi në të gjitha detajet e ofruara në libra me idenë që po mësojmë shumë, e të harrojmë se adoleshentët kanë më shumë nevojë për aspektin social dhe komunikimin e çiltër?
Nëse në çdo proces mësimor, i çfarëdo lënde qoftë sjellim momente të larmishme duke u shkëputur për pak çaste nga shpjegimet e shumta, të jemi të sigurtë se secili adoleshent gjen hapësirën e shumëkërkuar të shprehë ndjesitë dhe përjetimet e veta duke u dhënë zgjidhje shumë më të thjeshta rasteve bullizuese që shfaqen herë pas here.
Mos harrojmë se çdo shfaqje bullizimi vjen si pasojë e një niveli të ulët etik e kulturor që ushqehet fatkeqësisht në shumë ambiente, ku rriten dhe zhvillohen adoloshentët. Ndaj për të ngritur këtë nivel kulturor jemi të detyruar të rrisim dhe të shtojmë angazhimet sociale e kulturore, të cilat duhet të nisin që nga bashkëbisedimet më të thjeshta dhe edukative që mund dhe duhet t’u ofrojmë qoftë edhe duke u shkëputur për pak çaste nga ecuria e një procesi mësimor.
Mos ta lëmë heshtjen të marrë udhë, ndryshe ajo do vazhdojë të marrë jetë të pafajshme!
Ngushëllime familjarëve për humbjen e vajzës së tyre!
Qoftë e parajsës!
© Portali Shkollor