“BASHKËPUNIMI ARSIMTAR – NXËNËS – PRIND NË SHKOLLËN BASHKËKOHORE“
HYRJE
Motivi dhe dëshira për të hulumtuar rreth kësaj teme ishte shumë e madhe duke parë mjaft raste të ndryshme rreth kënaqësive dhe pakënaqësive që zhvillohen në shkollë nga ana e mësuesve, nxënësve dhe prindërve. Shkolla është vendi ku duhet të ruajmë marrëdhëniet reciproke. Sot shumica e teoricientëve të cilët kanë studiuar këtë fushë, kanë deklaruar se komunikimi është faktori kryesor i suksesit të nxënësve në shkollë, sepse përmes komunikimit të duhur zhvillohet suksesi dhe rezultatet e dëshiruara.
Procesi mësimor, kjo veprimtari sa komplekse por njëkohësisht e domosdoshme nuk mund të ndalet por zhvillohet detyrimisht. Mirëpo, mënyra sesi kryhet varet ekskluzivisht nga faktorët e involvuar, nga qasja e të cilëve varet, jetësohet dhe finalizohet mësimi. Fokus i kësaj teme janë pikërisht ata, rëndësia e të cilëve shpeshherë nënvlerësohet ose nuk është plotësisht e qartë. Për të arritur deri te qëllimi kryesor, kjo temë u zbërthye në katër kapituj shumë të rëndësishëm.
Sipas Zuna-Deva me bashkëpunëtorë (2009), nocioni bashkëpunim është sinonim i nocionit partneritet apo edhe i nocionit kooperim e krahasim. Domethënia e këtij nocioni është punë e përbashkët me dikë tjetër për të kryer një punë. Ndërsa, sintagma bashkëpunim edukativ ka kuptimin e involvimit të më shumë faktorëve në procesin e edukimit, faktorë këta të cilët mund të jenë të planifikuar dhe të paplanifikuar, të kontrolluar e të pakontrolluar, të vazhdueshëm apo të herëpashershëm, shoqëror apo individual, e që synojnë realizimin e qëllimeve të edukimit.
Sipas (Deva, 2009), familja është grup themelor shoqëror, qelizë e shoqërisë e cila themelohet me martesën e individëve të gjinive të ndryshme me qëllim të plotësimit të nevojave jetësore, biologjike, emotive, ekonomike, sociale dhe edukative të anëtarëve të saj. Duke u bazuar në këtë përkufizim konstatojmë se familjen e karakterizon intimiteti i jetës, vitaliteti dhe uniteti i funksioneve të saja.[1]
Fëmijët zhvillohen në mënyrë të gjithanshme, ata kanë nevojë për mbështetje që të kenë një shëndet të mirë, ushqyerje, mbrojtje, nxitje për të mësuar. Për qëllimet zhvillimore dhe të të mësuarit të fëmijëve janë shumëdimensionale. Ato arrihen kur fëmijët mbijetojnë dhe bëhen të shëndetshëm fzikisht, të sigurtë emocionalisht, të aftë në shoqëri dhe në procesin e të mësuarit, të ndërgjegjshëm kulturalisht, shpirtërisht dhe estetikisht krijues. Ata rriten dhe bëhen njerëz të rritur të përgjegjshëm dhe produktivë. Me këtë punim do të mundohem që të paraqes disa aktivitete me të cilat mendoj se mund të ndikojnë në bashkëpunimin e ngushtë të shkollës me familjen. Bashkëpunimi në mes të shkollës dhe familjes duhet të organizohet në mënyrë që ai të jetë permanent dhe serioz. Ky bashkëpunim nuk duhet të lejohet që të trajtohet si çështje vullneti dhe gadishmërie e shkollës, mësuesve dhe e prindërve.
Shkolla dhe familja përbëjnë dy faktorë të rëndësishëm në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri. Megjithëse ndryshimet midis këtyre dy faktorëve të edukimit, duhet theksohet se shkolla ka një rol të rëndësishëm në përgatitjen e familjes për edukimin e fëmijës dhe kjo është një karakteristikë e saj. Raporti që krijohet ndërmjet shkollës dhe familjes varet nga shumë faktorë. Rëndësi të madhe ka motivi që konsiston në dëshirën dhe gatishmërinë për bashkëpunim që është në favor të edukimit të brezit të ri.
- FAKTORËT MËSIMORË NË SISTEMIN PEDAGOGJIK
Në sistemin pedagogjik dhe social sikur edhe në cdo sistem të rëndësishëm të strukurës njerëzore në pëgjithësi, kemi një mori fakorësh apo një ambient mutltifaktoral në të cilin sistem ndikojnë, janë në lidhshmëri dhe nga të cilët edhe varen. Sistemi, qoftë pedagogjik, social apo juridik, është shumë i ndërlidhur me ambientin në të cilin është krijuar dhe ka zënë fill, ai dhe ambienti janë sikur “mishi me kockat’’, sa që po e ndave njërën e ke dëmtuar tjetrën dhe anasjelltas! Kur jemi duke folur për sistemin pedagogjik pra për faktorët mësimor të tij, atëherë lirisht mund të themi se ai është fenomen specifik dhe i ndërlidhur me ambientin multifaktoral, kompleks e shumëdimensional. Marrë në përgjithësi edhe sistemi pdagogjik sikur të gjithë sistemet tjera të dimensionit njerëzor është i ndërlidhur me një sërë fakorësh ambiental, qoftë të mbrendshëm apo të jashtëm, qoftë objektiv apo subjektiv.[2]
Faktorët mësimor, gjegjësisht nxënësi dhe arsimtari janë dy partnerët më të rëndsishëm në procesin dhe organizimin e mësimit, andaj ata të dy janë aktorët kyesor në skenën e procesit edukativo-arsimor. Ka edhe një faktorë të tretë, që është familja e cila zë një vend të rëndësishëm në të quajturin trekëndësh didaktik.[3]
Trekëndëshi didaktik është sikur zinxhiri ushqimor në biosistemet natyore andaj ky trekëndësh është alfa dhe omega e procesit edukativo arsimor në sistemin pedagogjik. Sa më i strukturuar dhe më i ndërlidhur që është ky trekëndësh aq më i suksesshëm është procesi edukativo arsimor.
Faktorët mësimor janë piramida majë e sistemit pedagogjik, dhe në përgjithësi të tërë sistemit socio pedagogjik. Procesi i punës mësimore si fenomen shoqëror e pedagogjik kërkon një harmonizim të mirëfilltë të subjekteve në fjalë, kërkon një ndërlidhshmëri, një simetri kronologjike në përshtatshmëri me ambientin dhe me cdo faktorë veç e veç. Puna pedagogjike, e sidomos ajo e organizimit të orës mësimore është shumë komplekse, është e një natyre të rrallë, sepse nga vetë fakti se ke një mësues përballë shumë nxënësve e që çdo njëri është botë në vete, tregon se ke hyrë në një planet, në një tokë të pashkelur dhe nuk ke as idenë elementare se ku t’ia fillosh. Prandaj, faktorët mësimor, gjegjësisht subjektet në fjalë, nxënësi arsimtari dhe familja gjithmonë duhet të jenë në një gatishmëri të lartë socio-pedagogjike për një bashkëpunim, partneritet e monitorim të vëmendshëm të procesit mësimorë! Përndryshe, nuk do të kemi suksese dhe nuk do të kemi progres në punën mësimore.[4]
Sot në botën bashkëkohore është shumë evidente çështja e mosfunksionimit të këtyre faktorëve dhe si pasojë e saj kemi një çthurje, një çrregullim dhe një disharmoni të sistemit arsimor pedagogjik. Vështruar në këtë pikëpamje si rezultat e asaj që e përmendëm më lartë në sistemin tonë arsimor kombëtar shqipëtar por dhe në përgjithësi në nivelin botëror mbretëron një krizë e thellë e këtij procesi e cila krizë është bërë tashmë normale dhe është duke funksionuar si kinse normale. Natyralizimi jonë apo i procesit në këtë krizë dhe përditëshmëria me të, kanë krijuar dhe krijojnë shumë probleme të të gjitha niveleve sa që sot nuk po mund të dallohet asgjë.
Për të funksionuar më mirë një proces i tillë, është shumë e rëndësishme të ketë një harmoni më të madhe të këtyre faktorëve që nga fillesat e deri në procesin përfundimtarë të arsimit sipëror. Në këtë mënyrë di të krijojmë një individ të shëndoshë, njerëz të ndërgjegjshëm dhe me dinjitet të lartë qytetar.
1.1 Nxënësi
Pjesën më të bukur të jetës, fëmijët dhe të rinjtë e kalojnë në shkollë si nxënës. Aty fitojnë njohuritë bazike, shprehitë dhe aftësitë, formojnë bindjet shkencore për botën, aftësohen për vazhdimin e arsimit dhe studimeve, fitojnë shprehi për punë profesionale. Në fakt, shkolla është shkalla më e rëndësishme e jetës së të rinjve. Raportet e shkollës me të rinjtë çdo herë varen nga rezultatet e sistemit shoqëror, sistemit aktual arsimor nga kushtet ekonomike, shoqërore etj. Në vendet me demokraci të zhvilluar, nxënësi ka një status të definuar qartë në sistemin arsimor.
Dikur thuhej se, të shkosh në shkollë, do të thotë të shkosh nën kontroll, kurse sot ky qëndrim është i papranureshëm, sepse, të shkosh në shkollë, do të thotë të bësh një jetë kreative, ashtu siç i ka hije një njeriu të ri.
Mësimi si proces shumëdimensional psikosocial, gnoseologjiko-komunikologjik, didaktiko-metodik dhe teoriko-praktik, nxënësin e vë në pozita të ndryshme. Pozita e tij ndryshon varësisht në raport me aktivitetin e tij, pra sa është i interesuar, sa është aktiv etj.
Nxënësi paraqitet si subjekt në procesin edukativ në rastet kur ai i shpreh pavarësisht dhe individualisht pikëpamjet e veta, qëndrimet, jep propozime dhe merr pjesë në sjelljen e vendimeve për jetën dhe punën në shkollë. Njëherit si subjekt ai paraqitet me ndikimin e tij në shokët, rrethinën, kur i ndihmonë të tjerët, kur jep këshilla. Këto aktivitete dhe angazhime (grupe pune, aktivitete të lira, organizatat e fëmijëve e tjera) i afirmojnë nxënësit si subjekt dhe ky angazhim kontribuon në nxitjen e zhvillimit të tij.[5]
Nxënësi objekt i edukimit është pozitë e tij aktive – duke qenë në pozitë të dëgjojë dhe pranon propozime të të tjerëve, pranon këshillat e arsimtarëve, prindërve, udhëheqësve të grupeve.5
Shkolla si bashkësi jetësore është paradigmë e re e educates shkollore. Në shkollë me kreativitet të përbashkët mësohet dhe hulumtohet. Njohuritë fitohen permes kreativitetit për jetë të lirë dhe autonome. Koha e qëndrimit të nxënësit në shkollë duhet të shfrytëzohet për zhvillimin e tërë potencialit të tij fizik dhe psikik.
Në shkollë nuk fitohen vetëm njohuri, përmes aktiviteteve jashtëmësimore “të lira dhe jashtëshkollore” rritet ose zhvillohet një personalitet i shëndoshë, human i arsimuar, i edukuar, kritik dhe kreativ.[6]
1.2 Mësimdhënësi
Mësimdhënësit gjithmonë i intereson se çfarë mendimi ka nxënësi, si institutcion në vetëdijen e tij për të dhe për shkollën është në fakt rezultat i pozitës së tij në procesin edukativo-arsimor dhe në jetën e gjithëmbarëshme të vetë shkollës.
Mësimdhënësi formon bindje për nxënësin shpeshherë në bazë të vlerësimit të diturive. Në atë rast, vlerësohet suksesi i përgjithshëm dhe në këtë bazë, formohet qëndrimi pozitiv ose negativ. Për nxënësit e shkëlqyeshëm dhe shumë të mirë, bindja gjithsesi se do të jetë pozitive dhe e kundërta. I vogël është numri i mësuesve që në mënyrë të diferencuar i shohin rezultatet ose e vlerësojnë nxënësin me tërë strukturën e tij, si suksesi në nota, ashtu edhe kushtet e përgjithshme në të cilat ai jeton.
Determinant kryesor që e përcakton pozitën e nxënësit në mësim varet nga arsimtari. Në fakt një nga detyrat e tij është t’u ndihmojë, t’i aftësojë nxënësit të jenë më shumë subjektë. Sa më tepër që udhëheq me nxënësit, sa më tepër që urdhëron, sa më tepër që e ngushton hapësirën vepruese të tyre ai ata i vë në pozitë objekti.
Me një udhëheqje të mirë, bashkëpunim reciprok, orientim dhe nxitjen e nxënësve, arsimtari krijon kushte të mirëfillta që ato të veprojnë si subjekt në shkollë, në mësim.
Fakt i pamohueshëm është se pozita e nxënësit në procesin edukativo-arsimor është pozitë objekti.
Mësuesi krijon hapësirë që nxënësi ta shpreh individualitetin e tij, duke krijuar mundësi që nxënësi në procesin e mësimdhënies të jetë aktiv (të marrë pjesë në mësim, të diskutojë, të pyet, të përgjigjet.), ose nxënësi do të jetë pasiv (vetëm dëgjon, percepton). Arsimtari duhet të krijojë klimë dhe atmosferë pedagogjike në procesin e mësimdhënies që nxënësi të jetë i interesuar, të jetë produktiv, të jetë organizues dhe realizues i një roli.[7]
Profesioni i mësuesit është i mundimshëm. Fëmijët duhet larguar nga qindra të këqija, nga shumë gabime, ata duhet të binden që të mos i përsërisin dhe t’u bëhet shprehi që të mësohen në rend dhe rregulla. Por, sa punë duhet që ata të zhvillohen, të bëhen të sjellshëm dhe të mençur, dhe gjithë kjo të arrihet pa forcë, pa dënime, me dashuri, me mirësi dhe mirëkuptim?! Duke vepruar kështu, do të fitohet edhe dashuria e nxënësve ndaj mësuesit. Profesioni i mësuesit (arsimtarit) bën pjesë në rrethin më të ngushtë të profesioneve me orientim të shprehur human. Ky është një nga profesionet e rralla ku nuk ekziston kufiri i përgjithshëm ndërmjet jetës profesionale dhe personale, ndërmjet qëllimeve, vetive dhe sjelljeve zyrtare dhe personale. Për punën e arsimtarit thelbësore janë këto kërkesa psikologjike:
- përqëndrimi i vazhdueshëm i vëmendjes;
- sjellja toleruese, durimi dhe fleksibiliteti;
- aftësia që të shkëmbejë sjellje, veti dhe disponim te të tjerët dhe me të tjerët.
Prej arsimtarit vazhdimisht është pritur dhe pritet që me dijen, vetitë, sjelljen, jetën dhe punën e vet të përditshme të jetë shembull për nxënësit dhe njerëzit e mjedisit të tij. Mësuesi mbështet tërë aktivitetin dhe punën e vet në përgjithësi në arritjet e pedagogjisë, sociologjisë, filozofisë dhe shkencave tjera. Ai i mëson nxënësit e vet dhe e përcjell zhvillimin e tyre: i bart dijet, aftësitë dhe zhvillon shkathtësitë e tyre, pastaj formon pikëpamjen dhe qëndrimin e caktuar ndaj botës, ndikon në zhvillimin e vullnetit dhe vetive të karakterit dhe i përfshinë nxënësit në aktivitete shoqërore.
1.3 Prindërit e nxënësve
Bashkëpunimi me prindër në forcimin e rolit edukativo-arsimor të shkollës dhe në ngritjen e efikasitetit të plotë të punës mësimore, luan rol me rëndësi. Për rolin dhe rëndësinë e prindërve në realizimin e suksesshëm të punës mësimore në teorinë e mësimit është folur në veçanti. “Shkolla amtare” e J.A.Komenksit është një nga veprat që rrjedh nga vetë kërkesa që shtron në ketë drejtim karakteri i organizimit të punës së arsimimit pedagogjik të prindërve.
“Prindërit janë të obliguar qysh në shkollën e parë, derisa fëmijët janë ende në duart e tyre, t’u vënë bazat e shëndosha në të gjitha format e edukimit.”
Nisur nga konstatimi se puna edukative-arsimore në shkollë ka karakter shoqëror, “edukimi i fëmijës në familje, në kuadër të zhvillimit dhe të formimit të brezit të ri në shoqëri, nuk është dhe nuk mund të jetë çështje private e prindit. Prindi ushtron këtë detyrë me vlerë shoqërore, e cila, si çdo veprimtari tjetër, duhet të jetë e planifikuar dhe e programuar dhe jo e çorganizuar apo e rastit ose në kundërshtim me veprimin e faktorëve të tjerë shoqërorë.”
Prindërit, si faktorë me rëndësi në procesin e edukimit dhe të arsimimit të fëmijëve, kanë rol të shumëanshëm. Në njërën anë ata ndjekin dhe kontrollojnë drejtpërdrejtë punën dhe zhvillimin e fëmijëve, duke u kujdesur që t’u krijojnë kushte sa më të mira për punë dhe në anën tjetër, roli i tyre pasqyrohet në punën e suksesshme të nxenësve në klasë. Prandaj, në bazë të këtyre konstatimeve, mund të themi se bashkëpunimi i shkollës me familjen dhe anasjelltas është çështje e domosdoshme, që rrjedh nga qëllimet dhe detyrat e veprimtarise edukative-arsimore të këtyre faktorëve shoqërorë, kurse angazhimi i tyre në këtë drejtim pasqyrohet në ngritjen dhe në formimin e drejtë të personalitetit të të rinjëve. Posaçërisht raportet e drejta mes anëtareve të familjes, përjashtimi i formave autoritare në edukimin e fëmijëve krijon kushte për një edukim të drejtë dhe të mirëfilltë në formimin e personalitetit të fëmijës.
Dashuria dhe kujdesi pa rezervë i prindërve ndaj fëmijës në mjedisin familjar dhe organizimi i kohës për punë, për lojë dhe për pushim, përbën pjesën kryesore të edukimit të drejtë psiko – motorik të fëmijës, i cili, gjatë këtyre aktiviteteve, shfaq tërë personalitetin e vet dhe krijon mundësi të shumta për njohjen, përcjelljen dhe edukimin sa më të drejtë të tij. Bashkëpunimi ndërmjet shkollës dhe familjes është një çështje e domosdoshme dhe duhet të jetë angazhim permanent i të dy palëve.
2. ARSIMTARI DHE NXËNËSI SI FAKTOR BASHKËPUNIMI
Po e fillojë shyqrtimin lidhur me këtë “kapitull” me një citat nga psikologu amerikan Haim Ginoot “Kam nxjerrë një konstatim të tmerrshëm se un jam elementi vendimtar në klasë. Qëndrimi im krijon klimën. Disponimi im i përditshëm krijon kohën. Si mësues, unë kam fuqi të madhe që ta bëj jetën e fëmijëve të mjerë ose të lumtur. Mund të jem vegël për torturë ose instrument inspirues. Mund t’i poshtëroj ose t’i disponojë, t’i lëndoj ose t’i shëroj. Në të gjitha situatat përgjigjia ime vendos se a do të eskaloj apo jo kriza ose a do të humanizohet apo jo fëmija. (Bonnie, 2003).
Në Jogusllavinë komuniste, arsimtarët janë konsideruar figura autoritative, ku dija dhe fuqia e tyre nuk mund të viheshin në dyshim. Distanca psikologjike ndërmjet arsimtarit dhe nxënësit ka qenë e madhe. Sot në ish-shtetet socialiste, vendet e ish-Jugosllavisë, zbatohen metoda të reja arsimore dhe gjithnjë e më shumë shtrohen kërkesat që arsimtarët të kenë mirëkuptim për nevoja akademike, por edhe për ato emocionale të nxënësve. Shkollat po kalojnë nëpër një proces të ridefinimit të rolit të arsimtarit. Pason përshkrimi i ndryshimeve në marrëdhëniet ndërmjet arsimtarit dhe nxënësit, të cilat mund të zbatohen në çdo klasë, pavarësisht nga programi mësimor.[8]
Është e vërtetë se frika mund të ndikojë në motivim, por ky lloj ndikimi nuk nxitë dëshirën për kërshëri ose për mësim të arritjes së dijes. Në vend të saj, suksesi i nxënësve është i drejtuar nga largimi i pasojave negative në formë ndëshkimesh, notash të dobëta dhe pakënaqësive.
Arsimtari duhet të ketë kontakt të mirë dhe të ngrohtë me nxënësit e tij. Kur te nxënësit shihen resurse të çmueshme të cilat pasqyrojnë të ardhmen e vendit, arsimtarët shohin rëndësinë e bartjes jo vetëm të dijes por edhe të marrëdhenieve pozitive dhe të dëshirës për t’i arritur ato dije. Kur fëmijët çmohen për gjithçka që janë, e jo vetëm sipas rezulteteve të tyre, arsimtarët fillojnë të çmojnë virtytet e tyre që i ka çdo fëmijë. Nxënësit e dinë që arsimtari është në anën e tyre dhe punon për interesat e tyre, ndërmjet tyre rritet besimi i cili nxit nxënien më të mirë.
Nxënësit gjithmonë shikojnë arsimtarin – janë rrethana fatlume nëse marrëdheniet janë të mira dhe fatkeqe nëse janë të këqija.
- Ndërveprimi midis mësimdhënësit dhe nxënësit në procesin edukativo – arsimor
Tema që shtrohet ne vijim shënon një kërkesë të kohës, gjithnjë në rritje, për një të ardhme sa më të mirë dhe sa më të suksesshme të punës edukativo-arsimore. Procesi i ndërveprimit dhe i komunikimit në kohën e sotme zë vendin qendror në interesimet ërkimore teorike dhe praktike zbatuese në veprimtarinë mësimore e edukative në përgjithësi. Mësimdhënia bashkëkohore, sidomos ajo që ka për qëllim zhvillimin e kompetencave të komunikimit, paraqet një proces me dy kahe: nga mësimdhënësi drejt nxënësit, nga njëra anë, kurse nga ana tjetër nga një nxënës te një nxënës tjetër ose drejt gjithë klasës. Në thelb të procesit të mësimdhënies zë vendin kryesor këmbimi i ndërsjëllë i informacioneve dhe përvojave që bëhet midis mësimdhënësit dhe nxënësit, përkatësisht nxënësve mes vete, ose nxënësit dhe ndonjë burimi tjetër të njohurive.
Me nocion ndërveprim midis mësimdhënësve dhe nxënësve ose vetë nxënësve mes vete nënkuptohen të gjitha llojet e marrëdhënieve në klasë gjatë procesit të mësimdhënies e të mësimnxënies. Ndërveprimi në procesin e mësimdhënies parasë gjithash duhet të përmbajë të gjitha veçoritë e komunikimit human – njerëzor. Funksioni i ndërveprimit doli në pah sidomos gjatë dekatës së fundit, atëherë kur procesi mësimor mori edhe disa tipare karakterizuese më bashkëkohore, natyrisht duke i dhënë vendin qendror e duke e subjektivizuar vetë nxënësin. Në këtë vazhdë edhe ndërveprimi midis mësimdhënësit dhe nxënësit ka ndryshuar mjaftë në të mirë të shtimit të cilësisë.
Suksesi i veprimtarisë edukative në masë të madhe varet nga cilësia e ndërveprimit dhe nga shkalla e lidhjes ndërvepruese në komunikim. Nuk ka edukim pa ndërveprim. S’do mend se ndërveprimi fillon në periudha të hershme te çdo individ, fillimisht në familje, ndërsa vazhdon në shkollë, me shokët, në organizata shoqërore e kështu tutje. Edukimi si kategori paraqet një lloj komunikimi në të cilin realizohet ndërveprim i ngushtë i subjekteve pjesëmarrëse në këtë process.[9]
Kontakti, përceptimi i drejtëpërdrejtë i partnerëve në procesin mësimor mundëson komunikimin social frytdhënës e të mirëfilltë.[10]
2.2 Komunikimi në shkollë
Zhvillimi i personalitetit dhe i vetëdijes së individit mund të arrihet vetëm brenda shoqërisë e cila krijon kushte të përshtatshme për bashkëpunim, mirëkuptim dhe tolerancë të ndërsjellë, duke i marrë parasysh ndryshimet. Shkollat si institucione shoqërore edukativo – arsimore, janë të prirura nga ngjashmëritë, por edhe nga formimi i të veçantave dhe i individualitetit te çdo person. Kjo gjë mund të jetë dhe qëllimi i shkollës bashkëkohore. Shkolla është një institucion ku shprehen pikëpamje të ndryshme, mënyra të nxëni, por edhe i komunikimit të subjekteve brenda saj. Kështjellë, e cila hap dyert e saj dhe është e afërt për të gjithë.
Në shkollë duhet të mbretërojë fryma e solidaritetit dhe mirëbesimit, e humanitetit dhe tolerancës, e respektimit të dallimeve, etj. D.m.th shkolla duhet të jetë nismëtare, udhërrëfyese dhe animuese e zhvillimit kulturor dhe social të mjedisit.
Në shkollën fillore komunikimi professional zhvillohet midis dy brezash të ndryshëm: mësimdhënësve dhe nxënësve.[11]
Marrëdhëniet mësimdhënës – nxënës, si koncept, shënojnë një kategori shumë të gjerë sociologjike, psikologjike, pedagogjike dhe metodike. Mësimdhënësi bashkëkohor duhet të ketë aftësi për kontakt pedagogjik, pra të jetë i aftë t’i afrohet nxënësit përmes kontaktik personal dhe atij të punës.
Ç’ështja e vendosjes së bashkëpunimit në raportin mësimdhënës – nxënës ka rëndësi të madhe, kurse zgjidhja varet nga shkalla e arsimimit, lloji i shkollës, mundësitë e nxënësit si dhe nga kompetenca e mësimdhënësit. Në shkollat tona edhe më tej mbizotëron presioni, nuk respektohet sa duhet personaliteti i nxënësit, kurse aftësimi i tij për marrjen e rolit të subjektit në procesin mësimor nuk realizohet në mënyrë adekuate. Ideja fisnike kuptohet si joreale dhe e vështire për t’u realizuar.
Për të qenë e suksesshme veprimtaria edukative, mësuesi duhet t’i zhvillojë patjetër aftësitë e veta komunikuese. Sipas M. Bratanić sekreti i veprimtarisë së suksesshme fshihet në sekretin e komunikimit mësimor.
Kemi tri stile (mënyra) të komunikimit pedagogjik në klasë:
- Stili demokratik (bashkëpunues)
- Stili autoritar (hierarkik)
- Stili indifferent (anarkik).
- BASHKËPUNIMI NË MES TË FAMILJES DHE SHKOLLËS
Përfshirja e prindërve në procesin e edukimit ka disa vite që ështe bërë një nga prioritetet e institucioneve në veqanti të MASHT-it dhe mekanizmave të tjerë jo shtetëror që lidhen drejtëpërdrejt ose tërthorazi me problemet e shkollës.
Rritja e përfshirjes së prindërve në zgjedhjen e problemeve që ekzistojnë në shkollë, ndikon drejtëpërdrejtë në demokratizimin dhe decentralizimin e arsimit.
Shkollat punën e vetë duhet ta bëjnë publike dhe të bashkpunojnë me mjedisin për të realizuar me sukses qëllimet dhe kërkesat e shoqërisë. Por, ky bashkëpunim nuk ka qenë, e as sot nuk është gjithëkund dhe përherë i suksesshëm dhe me interes të përbashkët.
Shkollat për arsye të ndryshme janë mbyllur dhe nuk kanë bashkëpunuar me familjen dhe me komunitetin.[12] Kërkimet shkencore kanë provuar se përfshirja e familjes në edukim është një faktor shumë i rëndësishëm që ndikon në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijës dhe në suksesin e tij në mësim.
Në shkollën fillore janë bërë përpjeke të vazhdueshme për të dinamizuar dhe institutcionalizuar bashkëpunimin e shkollës dhe të familjes, në veçanti nga ana e MASH-it. Drejtorit e shkollave dhe arsimtarët mundohen dhe aplikojnë forma të ndryshme të bashkëpunimit dhe komunitetit me familjen – prindërit e nxënësve si: komunikimin e drejtëpërdrejt (ballor) në mes të drejtorit e pedagogut, arsimtarëve të shkollës me prindërit, familjet e nxënësve, vizitat paraprake në shkollë, takimet orientuese, takimet prindër – mësues, vizitat në shtëpi, mbledhjet e rregullta me prindër, kutia e sugjerimeve, etj. Përkundër këtij aktiviteti të organeve drejtuse dhe profesionale të shkollës, bashkëpunimi me prindër eshte ne nivelin e duhur dhe paraqet një shembull për shkollat tjera. Në veçanti brengos pjesëmarrja e vogël e prindërve në mbledhjet e tyre të rregullta.
Funksionimi i trekëndëshit jo gjithmonë eshtë i lehtë, pasi kemi të bëjmë me karaktere të ndryshme, me fëmijë qe vijnë nga familjet me statuse të ndryshme, me prindër që jo gjithëmonë shprehin gatishmërinë e bashkëpunimit, etj., gjithësesi ky është një hap përpara dhe një shtysë pozitive që premton shumë në të ardhmen dhe sado që të eci me ritëm të ngadalshëm është një veprim që duhet të duartrokitet dhe shumë i vlefshëm për shkollën, nxënësit, familjen dhe shoqërinë në përgjithësi.
- Si mund të përmirësohet marrëdhënia prind – mësues
Aftësitë komunikuese ndërmjet prindërve dhe mësuesëve duhet të përmirësohen së pari përmes komunikimit. Si prindërit, ashtu edhe mësuesit duhet të mësojnë t’ua komunikojnë nevojat apo kërkesat e tyre njëri–tjetrit përmes mënyrave efektive të komunikimit. Ata duhet të shprehin ndjenjat, emocionet, dëshirat në mënyrën e duhur.
Fëmija duhet të ketë si në familje dhe në shkollë një mjedis të sigurt, të qetë, edukues në të gjithë komponentët e tij. Shpesh, që të rregullohen këto marrëdhënie është e nevojshme të shfrytëzohen edhe burime të tjera si psikologët, punonjësit socialë, prindërit e fëmijëve të tjerë, kolegë të mësueseve etj.
Për mësuesit duhet të jetë e qartë se: nuk ka prindër të mirë dhe prindër të këqinj, por disa prindër dështojnë në përvetësimin dhe aplikimin e aftësive për të qenë prindër të mirë që do të thotë: nuk arrijnë të njohin siç duhet nevojat emocionale të fëmijës, sikurse njohin dhe nevojat e tjera, e si rezultat nuk arrijnë as t’i plotësojnë këto nevoja. Duke mos i njohur dot këto nevoja, prindërit e kanë të vështirë t’ua transmetojnë ato mësuëseve të fëmijës.
Ndonjëherë prindërit bëjnë përshkrime apo përcaktime të papërshtatshme të përgjegjësive të tyre dhe të institucionit arsimor, në lidhje me fëmijët e tyre. Shpesh fajësohen të tjerët për gabimet e tyre, për neglizhencat, pakujdesitë dhe bëhet i vështirë kapërcimi i problemeve apo vështirësive, duke u dëmtuar kështu marrëdhënia prind–mësues.
Prindërit e kanë të vështirë të analizojnë dhe të marrin në konsideratë pasojat e mëvonshme të sjelljeve negative tek fëmijët, pasi për ata fëmija është pasqyra e tyre, prandaj konfliktohen me mësuesin kur ato tregojnë për ndikimin që mund të kenë këto sjellje në jetën e mëvonshme të fëmijës. Tek fëmijët disa probleme në sjelljen e tyre lindin edhe si rezultat i mospërshtatjes me ambientin fizik dhe psikologjik të shkollës.
Si rezultat i kësaj mospërshtatje që kërkon ndërhyrje për t’u kapërcyer fëmijët mund të tërhiqen nga jeta e grupit, të mos shfaqin iniciativa, të jenë pasiv për një periudhë të shkurtër kohe. Prindërit e kanë të vështirë të kuptojnë këtë ndryshim të fëmijës së tyre dhe mendojnë se problemi i vetëm është marrëdhënia e fëmijëve me mësuesit. Në përgjithësi prindërit presin të kenë një fëmijë dinamik, të motivuar që është gjithmonë gati të përfshihet në eksperienca të reja. Nëse atyre mësuesja ju zbulon të kundërtën, pra që kanë një fëmijë të ndrojtur, hezitues, që nuk ka dëshirë të përfshihet, ata mund ta vënë fëmijën nën një presion duke i kërkuar të jetë ai që nuk mund të jetë në realitet dhe të ndërtojnë një marrëdhënie joefektive me mësuesin.
Prindërit zakonisht krenohen me fëmijët e tyre, flasin për aftësi dhe talente të veçanta nuk rreshtin së treguari mësueseve detaje nga mosha e foshnjërisë, ku fëmija në ndryshim nga bashkëmoshatarët e tij ka qenë një gjeni. Por kur mësuesja nuk ndan me ta të njëjat konstatime dhe kur pritshmëritë e tyre nga shkolla nuk përputhen, atëherë ata përpiqen ta projektojnë gabimin tek mësuesi, tek mësimdhënia, tek sjellja dhe qëndrimi i tyre nëse fëmija vjen nga një lidhje shumë e sigurtë në familjen e tij dhe nuk gjen të njejtën lidhje në shkollë krijohen shumë vështirësi, të cilat shprehen më shumë në procesin e të nxënit dhe në sjelljen e fëmijës e më pas këto reflektohen edhe në marrëdhëniet ndërmjet prindërve dhe mësuesëve.
Motivimi i fëmijës për të nxënë ndikohet shumë edhe nga familja, nga pritshmëritë që kanë prindërit për të, por kur këto pritshmëri janë tepër të larta ose të ulëta ndodh e kundërta.
- MESIMDHËNIA BASHKËKOHORE
Nëse në shoqërinë tonë ka profesione që janë me përgjegjësi, atëherë një prej këtyre profesioneve është ai i mësimdhënies. Mësimdhënia është një proces jo i lehtë, është veprimtari e rëndësishme shoqërore dhe me përgjegjësi. Ka mendime se mësimdhënia është art, është shkencë, apo të dyja së bashku. ”Nëse është mësimdhënia art, kërkon frymëzim, intuitë, talent e krijimtari dhe pak prej tyre mund të mësohen. Nëse është shkencë, mësimdhënia kërkon njohuri dhe shprehi që me të vërtetë mund të mësohen.[13] Ne mund të shprehim mendimin tonë se mësimdhënia e suksesshme ka këto dy anë. Prandaj edhe në tekstin e profesorit të nderuar Bardhyl Musait theksohet se: “Mësimdhënia e mirë ka brenda elemente të punës së artistit dhe të studiuesit.”[14]
Mësimdhënia më e mirë është ajo gjatë se cilës përmbushen objektivat, aktivizohet nxënësi, nxitet ndërveprimi, përdorën pyetje të niveleve më të larta, ku nxënësi është në qendër të mësimdhënies, zhvillohen aftësitë, të menduarit kritik e krijues, bëhet reflektimi dhe nxënësi aftësohet për të punuar në mënyrë të pavarur. Pra mësimdhënia është një proces i cili planifikohet, drejtohet, organizohet nga mësimdhënësi sipas stileve të të nxënit dhe me pjesëmarrjen aktive të nxënësve, ku përvetësohen njohuri, përdoren metoda, teknika ndërvepruese, zhvillohen aftësitë, shkathtësitë, formohen shprehitë si dhe ndodhë formimi tërësor i personalitetit të nxënësve.
Vet emërtimi mësimdhënie bashkëkohore nënkupton një mësimdhënie ndryshe nga ajo tradicionale. Kjo nënkuptohet në shumë anë, aspekte si: në strategji, metoda, teknika, forma, ndryshimin e rolit të mësimdhënësit dhe nxënësit, mjedisin shkollor, në respektimin e të drejtave të fëmijëve, në të kuptuarit dhe të menduarit ndryshe, në përcaktimin e objektivave, në vlerësim, etj. Prandaj ”Me mësimdhënie bashkëkohore duhet të kuptojmë atë lloj mësimdhënie, e cila lehtëson me forma, metoda, teknika, dhe strategji të përshtatshme në procesin e të nxënit të nxënësve.[15] Mësimdhënia bashkëkohore nënkupton të nxënit aktiv, të menduarit në mënyrë kritike, krijuese dhe të nxënit me nxënësin në qendër. “Mësimdhënia është një detyrë e vështirë dhe komplekse dhe kërkon njohuri, aftësi e shprehi të shumta”.[16] Procesi mësimorë bëhet duke u mbështetur në metodat dhe teknikat bashkëkohore, ku nxënësi mëson duke reflektuar, vlerësuar, zbuluar dhe duke zgjidhur probleme. Ajo është një proces, veprimtari që ndryshon vazhdimisht. Në mësimdhënien bashkëkohore nxënësi nxitet në procesin mësimorë, veprimtari të ndryshme për përvetësimin e diturive të reja, gjithëherë duke u mbështetur në përvojën, interesin, nevojat dhe aftësitë e tyre. Prandaj edhe burimet e informacionit janë të shumta dhe të ndryshme si nga: mësimdhënësi, përvojës, teksteve, internetit dhe nga shoku-shoku përmes ndërveprimit etj.
Mësimdhënia bashkëkohore është gërshetim i artit dhe shkencës, ku mësimdhënësi mëson vazhdimisht për vete por edhe për t’i mësuar të tjerët, nxënësit, duke u ofruar atyre njohuri sipas metodave, teknikave, teknologjisë më të re bashkëkohore. Kjo njëherit kërkon nga mësimdhënësi njohjen e stileve të të nxënit, përcaktimin e objektivave mësimorë, përgatitjen e pyetjeve sipas niveleve të shkallshmërisë, përfshirjen e sa më shumë faktorëve në procesin mësimorë. Mësimdhënia bashkëkohore i aftëson nxënësit, i nxitë ata në veprimtaritë mësimore, t’i gjejnë vet burimet e informacionit, të zhvillojnë aftësitë, shkathtësitë dhe formojnë shprehitë e tyre. Për arritjen e këtyre rezultateve duhet krijuar kushte, një mjedis të përshtatshëm mësimorë. ”Prandaj detyrë e mësuesit është të krijojë një mjedis sa më të përshtatshëm dhe mjedis të ngrohtë pune, ku secili nxënës të ndjehet i lirshëm të shprehë mendimin e vet, të besoj në vetvete, të besojnë te mësuesi dhe shokët e tij”.[17]
- Roli i nxënësit në mësimdhënien bashkëkohore
Në procesin e mësimdhënies bashkëkohore, përveq ndryshimeve tjera ka ndryshuar edhe roli i nxënësit i cili nuk është sikurse ka qenë në mësimdhënien tradicionale në cilësinë e dëgjuesit dhe përvetësuesit pasiv të përmbajtjeve mësimore. Tani nxënësi është në cilësinë e subjektit dhe është faktori më i rëndësishëm i cili është i pranishëm që nga planifikimi i punës mësimore, formave, metodave e teknika, objektivave e deri te përmbushja, udhëheqja dhe drejtimi i veprimtarisë mësimore. Në mësimdhënien bashkëkohore nxënësi është aktiv, ai e kupton atë që mëson, i vërteton dhe praktikon njohuritë e mësuara. Ata nxiten për të menduar në mënyrë kritike. Gjatë veprimtarive mësimore nxënësit krijojnë, bashkëbisedojnë, diskutojnë, shqyrtojnë, zgjidhin problemet, zbulojnë (hetojnë), kritikojnë, analizojnë, gjykojnë. Për ndryshim nga mësimdhënia tradicionale, në mësimdhënien bashkëkohore nxënësi mendon për atë që mëson, e përdorë në jetën e përditshme, ndërton përvojën dhe aftësohet për të punuar në mënyrë të pavarur. Sot nxënësi, interesat, aftësitë, prirjet, nevojat janë pikëmbështetje e të gjitha strategjive bashkëkohore të mësimdhënies. Prandaj njohja e nxënësit përmes dosjeve, mbledhjeve të prindërve, vëzhgimit, testeve vlerësuese etj. është një çështje që duhet ta ketë parasyshë çdo mësimdhënës për ta organizuar një mësimdhënie cilësore dhe frytëdhënëse.
4.2 Avancimi i mësimdhënies në vendin tonë
Rritja e gjithëpërfshirjes dhe parandalimi i braktisjes në arsim kërkojnë kohë dhe nuk mund të arrihen pa zbatimin e plotë të kornizës ligjore. Në rrethanat kur sistemi i arsimit është i decentralizuar, përveç ekzistimit të autonomisë së plotë financiare dhe profesionale, avancimet në arsim varen kryesisht, nga zhvillimi i kapaciteteve menaxhuese në nivelin qendror, komunal dhe të shkollës.[18] “Zhvillimi i mësimdhënësve ka qenë një ndër prioritetet e sistemit të arsimit në Kosovë në vitet e fundit. Hapa të rëndësishëm për mësimdhënien në vendin tonë janë ndërmarrë në ndërtimin e mekanizmave për realizimin e qëndrueshëm të zhvillimit professional.[19] Po ashtu, është zhvilluar mekanizmi për përcaktimin e procedurave dhe përgjegjësive të secilës palë në zbatimin e një sistemi të qëndrueshëm të zhvillimit profesional, duke ndarë rolet dhe përgjegjësitë e secilës palë në proces. Zhvillimi i sistemit arsimor i bazuar në cilësi, në qasje gjithëpërfshirëse dhe në llogaridhënie, që mundëson formimin e individëve në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Sot, në literaturën udhëzuese për një mësimdhënie të suksesshme dhe cilësore, është parësor zhvillimi i mendimit krijues. Nuk mjafton që nxënësi vetëm të riprodhojë, duke iu përgjigjur mekanikisht pyetjeve të mësuesit. Të nxënit aktiv dhe novator është kthyer në qëllim të sistemit arsimor në vendet e zhvilluara. Në këtë rrugë përpiqet të ecë edhe shkolla jonë. Kjo sepse, zhvillimet dhe ndryshimet e vrullshme të botës në të cilën jetojmë, kërkojnë njerëz të aftë dhe krijues për të përballuar sfida globale.
PËRFUNDIM
Në këtë punim u synua që të shqyrtohet niveli i bashkëpunimit arsimtar – nxënës – prind në shkollën bashkëkohore. Bashkëpunimi ndërmjet mësimdhënësit dhe prindërve kontribuon në zhvillimin më të mirë të fëmijës. Pra është shumë e rëndësishme për fëmijën të shikojë dhe të ndjejë se mësimdhënësi dhe prindi kanë marrëdhënie harmonike. Në këtë mënyrë ndihet më i sigurtë, gjë e cila jep rezultate më të mira në zhvillimin e tij. Prindërit janë personat më të rëndësishëm në jetën e një fëmije, prandaj dhe pjesëmarrja e tyre në procedurën mësimore të fëmijës është e domosdoshme.
Fuqizimi i rolit të prindit si pjesë integrale e procesit të edukimit dhe përfshirja e tyre në të gjitha aspektet e jetës së fëmijës është shumë i rëndësishëm, sepse kështu fëmijët shfaqin plotësisht potencialin e tyre në shkollë e jetë, pasi ata kanë nevojë të ndihen mirë, të mësohen të marrin vendime, të jenë përgjegjës për rezultatet e këtyre vendimeve. Dihet se edukimi fillestar nis në familje dhe prindi është mësuesi i parë i fëmijës së tij. Por ky rol i prindërve duket sikur zvogëlohet me kalimin e viteve, sepse shtohen pjesëmarrës të tjerë në këtë edukim.
Shkolla është organizatë me funksion specifik. Ajo ka për qëllim dhe detyrë të planifikojë aktivitete që do të sjellin rezultate dhe sukses të lartë. Kjo do të thotë se qëllimi parësor është suksesi i nxënësve. Niveli i këtyre rezultateve determinohet edhe nga faktorë të mjedisit ku shkolla e zhvillon aktivitetin e saj. Me bashkëpunim kuptojmë partneritetin e barabartë në këtë rast të shkollës dhe familjes. Ky bashkëpunim ka për qëllim arritjen e suksesit sa më të lartë në mësim.
Në bazë të hulumtimeve të shumta mund të themi që ka metoda të shumëta të cilat mund t’i përdorin mësimdhënësit dhe edukatorët për të zhvilluar procesin mësimor, disa nga këto metoda janë metoda e shpjegimit, metoda bashkëbiseduese-dialogu, e demonstrimit etj.
Gjithashtu në bazë të hulumtimeve është gjetur se ekzistojnë teori të shumëta të cilat shpjegojnë mënyrat se si mund të rritet bashkëpunimi në mes të familjes dhe shkollës.
REKOMANDIME
Për një sukses në shkollë padyshim se duhet të arrihen marrëdhënie të mira dhe të përbashkëta në mes të prindërve-mësuesve dhe nxënësve. Gjatë bashkëpunimit këta tre akterë duhet të kenë parasysh shumë veti dhe dallime të cilat tregojnë një rezultat në shkollë, sepse ka raste kur ndërhyrjet e tepërta shkaktojnë vështirësi tek fëmijët, gjë e cila ndikon në psikikën e tyre dhe ata e bartin këtë në përditshmëri, andaj duhet të bëjmë kujdes se çfarë flasim në prani të nxënësve.
Është detyrë e mësimdhënësit që ta njohë nxënësin dhe jo nënësi të mundohet ta njohë mësuesin. Andaj, duhet japur hapësirë për shprehje dhe duhet rënë në nivelin e tyre që ata të ndjehen të lirë në shprehje.
Unë do të ofroj disa rekomandime të cilat mund të tregojnë rezultate në shkollë:
- Të zhvillohen mbledhje të prindërve më shumë që mësuesi dhe prindërit të jenë në dijeni për sjelljet e nxënësve.
- Bashkëpunimi në mes të prindërve, fëmijëve dhe mësuesve të jetë më i madh që ata të ndihmojnë njëri-tjetrin.
- Mësuesi vazhdimisht të kërkojë informacione rreth fëmijës për ndonjë ngecje eventuale ose vështirësi.
- Të jenë të durueshëm dhe tolerantë ndaj rrethit ku bëjnë pjesë.
- Mësuesi t’i mësojë nxënësit se si të jenë të respekueshëm ndaj tjetrit kur ai merr fjalën.
- Të organizojnë ekskursione të përbashkëta, prindër mësues dhe nxënës.
- Të shmanget çdo lloj diskriminimi në mes nxënësve apo prindërve.
LITERATURA
Bojaxhi, A., “Prindi, mësuesi më i parë dhe më jetëgjatë i fëmijës”, Tiranë, 2004, fq.65
Bratanić, M. (1993), Mikropedagogija, Zagrep: Školska knijga.
Murati, Xh., Didaktika-Metodologjia e Mësimdhënies; Tetovë, 2002
Dunst, C. J., Johanson, C., Rounds, T., Trivette, C.M., & Hamby, D(2002): Characteristics of parentprofessional partnerships
Grup autorësh (2005). Gjokutaj Prof. Dr.M.”Mësimdhënia me në qendër nxënësin”(Pjasa e 1).Tiranë:Geer.Fq.16
Kasapi, Gj. Pedagogjia shkollore, fq. 140, 2005
Kraja M. (2002), Pedagogjia, Tiranë: Shtëpia botuese e librit universitar.
Lutfiu Kadriu L., Komunikimi midis mësimdhënësve dhe nxënësve në shkollë, Tetovë: Çabej,2016
Miller, B (2003), Si të krijohet kontakti i susksesshëm me nxënësit, Ferizaj, fq. 49
Murati, Xh. Pedagogjia e përgjithshme, fq.439, Logos A, 2004, Shkup
Musai, B. (1999). Psikologji e edukimit. Tiranë:AEDP
Musai, B. (2003). Metodologjia e mësimdhënies. Tiranë :CDE ,fq. 11
Musaj, B. Metodologjia e mësimdhënies, Tiranë, 2003
Rama, B. (2011). Metodat e mësimdhënies dhe ndikimi i tyre në të nxënë. “Revista pedagogjike”. Tiranë
Shmilleva, P., Pedagogjia; Prishtinë, 1980.
Zuna, A., Partneriteti-Shkollë, Familje, Komunitet;Prishtinë, 2009
Zimberi A. (2007), Metodologjia e komunikimit pedagogjik, Kumanovë.
Zuna, A., Edukimi parashkollor në familje, Prishtinë, 2003, fq.104
Linqet e shfrytëzuara nga interneti:
http://www.portalishkollor.al/news/le-te-jemi-trekendeshi-qe-nuk-na-thyhen-kulmet
http://arkiva.ata.gov.al:8080/bashkepunimi-prind-mesues-thelbesor-ne-mbarevajtjen-e-femijeve-ne-shkolle
https://telegrafi.com/a-ishte-konflikt
[1] Zuna, A., (2009) Parimet e partneriteti shkollë- familje-komunitet, Prishtinë. Fq.5
[2] Murati, Xh., Didaktika-Metodologjia e Mësimdhënies; Tetovë, 2002
[3] Zuna, A., Partneriteti-Shkollë, Familje, Komunitet;Prishtinë, 2009
[4] Shmilleva, P., Pedagogjia; Prishtinë, 1980.
[5] Murati, Xh. Pedagogjia e përgjithshme, fq.438, Logos A, 2004, Shkup
[6] Kasapi, Gj. Pedagogjia shkollore, fq. 140, 2005
[7] Murati, Xh. Pedagogjia e përgjithshme, fq.439, Logos A, 2004, Shkup
[8] Miller, B., (2003), Si të krijohet kontakti i susksesshëm me nxënësit, Ferizaj, fq. 49
[9] Bratanić, M. (1993), Mikropedagogija, Zagrep: Školska knijga.
[10] Murati, Xh. (2001), Didaktika – Metodologji e mësimdhënies, Tetovë: Çabej.
[11] Lutfiu Kadriu L., Komunikimi midis mësimdhënësve dhe nxënësve në shkollë, Tetovë: Çabej,2016, fq.68
[12] Dunst, C. J., Johanson, C., Rounds, T., Trivette, C.M., & Hamby, D(2002): Characteristics of parentprofessional partnerships
[13] Musai, B. (1999). Psikologji e edukimit. Tiranë:AEDP.fq.18
[14] Musai, B. (1999). Psikologji e edukimit. Tiranë:AEDP.fq.21
[15] Grup autorësh (2005). Gjokutaj Prof. Dr.M.”Mësimdhënia me në qendër nxënësin”(Pjasa e 1).Tiranë:Geer.Fq.16
[16] Musai, B. (2003). Metodologjia e mësimdhënies. Tiranë :CDE ,fq. 11
[17] Rama, B. (2011). Metodat e mësimdhënies dhe ndikimi i tyre në të nxënë. “Revista pedagogjike”. Tiranë, fq.30
[18] Rama, B. Metodat e mësimdhënies dhe ndikimi i tyre në të nxënë. Tiranë 2011
[19] Musaj, B. Metodologjia e mësimdhënies, Tiranë, 2003
PUNIM nga ERONA PREKADINI
(Albanian Kids Education)