Nga Enver Rexhaj: Respekti nuk matet me rrogë, as me zyrë, as me titull akademik

- Advertisement5 -

Respekti që fillon nga njeriu

- paragrafi 1 -

Një menaxher i burimeve njerëzore u kishte thënë dikur punonjësve të zyrës:
“Trajtojeni mirë stafin e pastrimit, sepse është më e lehtë të zëvendësosh një nëpunës sesa një punonjës pastrimi.”

- Advertisement -

Kjo thënie, në pamje të parë e thjeshtë, bart në vetvete një të vërtetë të thellë shoqërore që shpesh e anashkalojmë.

Në një shoqëri ku titujt, pozitat dhe statusi social shpesh vendosen mbi njeriun, harrojmë se çdo profesion është një hallkë e domosdoshme e funksionimit të përditshëm. Qoftë drejtor, mjek, mësues apo pastrues, secili kontribuon në mënyrën e vet në mirëmbajtjen e rendit, dinjitetit dhe jetës së përbashkët.

Stafi i pastrimit është ndër ata që punojnë në heshtje. Puna e tyre shihet vetëm kur mungon. Pa ta, ambientet tona të punës, shkollat, spitalet dhe institucionet do të zhyteshin në papastërti, rrëmujë dhe kaos. Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së tyre, ata shpesh mbeten të padukshëm, të anashkaluar dhe të nënvlerësuar.

- Advertisement -

Fatkeqësisht, ende ndodh që këta njerëz të trajtohen sikur të mos kenë vlerë. Edhe një përshëndetje e thjeshtë, një shenjë mirësjelljeje, shpesh mungon. Shikime nga lart, heshtje, indiferencë, këto janë përjetime të përditshme për shumë prej tyre. Ironikisht, shumica e atyre që kalojnë pranë nuk e dinë as titullin zyrtar të punës që kryejnë.

Respekti nuk matet me rrogë, as me zyrë, as me titull akademik. Respekti fillon nga njohja e dinjitetit njerëzor. Një shoqëri që nënvlerëson punën e ndershme, pavarësisht formës së saj, është një shoqëri që humb gradualisht ndjeshmërinë dhe humanizmin.

Të respektosh stafin e pastrimit nuk është akt bamirësie, por detyrim moral. Është shenjë kulture, vetëdijeje dhe qytetarie. Sepse në fund të fundit, puna nuk e ul njeriun, mungesa e respektit po.