Kur flasim për cilësinë në arsim, nuk mund ta konsiderosh ngritje të cilësisë kur ke “detyruar” mësimdhënësit me administratë të stërngarkuar dhe aq më pak kur ata të përgjigjen me përpikmëri në grumbullimin e letrave (dokumenteve) ndoshta edhe të panevojshme!
Duke filluar nga planet vjetore e dymujore mësimdhënësit do të duhej thjeshtë t’i zbatonin ato dhe jo t’i përpilonin, dhe pse duhet të kemi plane të ndryshme shkolla nga shkolla dhe komuna nga komuna kur të gjithë jemi nën të njëjtin sistem arsimor?! Për planet ditore tashmë veçse janë publikuar librat e mësuesit, përse duhet të rishkruhen nga dora e mësimdhënësit?!
Kur jemi tek dokumentet zyrtare në arsim, shumë shpresova që do të ketë diçka ndryshe dhe se do të largohen gjërat e panevojshme, njëra ndër dokumentet më kot që ekziston në Republikën e Kosovës është libreza e notave, a mund të më thotë dikush kujt i hyn në punë?!
Para se të kërkohet cilësi, MASHT-i :
-Të krijojë ekipe profesionale për të gjitha nivelet e arsimit parauniverzitar dhe të hartojë planet vjetore e dymujore në mënyrë që të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës të jenë të trajtuara njësoj;
-Ekipet profesionale (anëtarët e së cilave të jenë mësimdhënës) t’i analizojnë librat e mësuesit dhe të dalin me libra të detajuar në mënyrë të specializuar e të mos ketë nevojë mesimdhënësi të “shpenzojë” letra kot;
– Dokumentet e panevojshme të largohen dhe të qartësohet se kush duhet të mirret me anën administrative në shkollë;
-Të ndërhyjnë në shkollat ku ka stërngarkim të numrit të nxënësve qoftë edhe me ndërtimin e shkollave të reja.
Ngarkimi me administratë të tepërt shpije tek specializimi i punëtorëve në administratë por jo edhe në zhvillimin e dëshirës për mësimdhënie cilësore! Nga mësimdhënësi duhet të kërkohet më shumë aktivitete atraktive që ndërlidhen me njësitë mësimore si dhe përdorimi i teknologjisë me nxënësit në mënyrë që ta nxis dëshirën dhe interesimin e nxënësit për mësimnxënie dhe jo ta irritojë atë!
Kur të realizohen këto, kushdo që nuk tregon rezultat mund të kërkohet llogari e nga këto kërcënimet e vazhdueshme që jemi mësuar t’i dëgjojmë çdo ditë!
Autorja është mësimdhënëse në shkollën fillore ‘Dardania’ në Prishtinë