Sa herë që dëgjojmë fjalën “fëmijë me nevoja të veçanta” mendja na shkon çdoherë tek një fëmijë që ka dëmtime qoftë mendore apo fizike.
Gjatë përvojës sime si mësimdhënëse klasore, kam takuar kategori të ndryshme të nivelit intelektual të nxënësve (nga ata që kanë pasur dëmtime të rënda e deri tek ata me intelegjencë superiore). Çdoherë shohim fushata e fushata të ndryshme për fëmijët që kanë nevojë për mbështetje duke u bazuar në diagnoza të ndryshme gjë që është për të përshëndetur çdo nismë që mundëson integrimin e të gjithë fëmijëve në bankat shkollore.
Në shoqërinë tonë, ekzistojnë një kategori fëmijësh të lënë në harresë qoftë nga strukturat shtetërore ashtu edhe nga ne mësimdhënësit, nxënësit me intelegjencë të lartë – nxënësit talentë.
Udhëzimi administrativ në fuqi nuk i plotëson kushtet minimale për mirëqenien e këtyre nxënësve.
Në shumicen e rasteve, mësimdhënësit i kalojnë si siluetë këta nxënës, “mjafton që ata po i përfundojnë detyrat me suksses” pa e kuptuar se nëse nuk trajtohen në mënyrën e duhur jemi ata që i shkatërrojmë.
Shkollat tona nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për trajtimin e tyre dhe ofrimin e mundësive të zhvillimit të talentit të tyre. Sot jemi para një fakti që edhe ti si mësimdhënës nëse arrinë t’i zbulosh këta nxënës, nuk ka vullnet të asnjërës palë që të mirren me këtë çështje. Si çdoherë topi gjuhet prej palës tek pala tjetër dhe barra mbetet tek mësimdhënësi që edhe ashtu i ka duart e lidhura në veprim.
Është mëse e nevojshme të krijohet një institut shtetëror me kompetenca ekzekutive dhe në përbërje të profesionistëve që mirren enkas vetëm me këta fëmijë në mënyrë që intelegjencën e tyre ta shfrytëzojmë si aset shtetëror dhe jo ta çojmë dëm.
Të gjithë jemi dëshmitarë që prindërit janë të detyruar të ndjekin kurse private për fëmijët e tyre qoftë edhe ato amatere që mund të ndikojnë edhe negativisht tek këta fëmijë. Në dekadën tashmë të tretë të shekullit XXI do të duhej që të rinjëve të vendit tonë t’u ofrohej mundësi më e mirë shkollimi si dhe në gjërat që ata i bëjnë më së miri.
*Autorja është mësimdhënëse në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë