Shkolla “Pavarësia” dhe pavarësia në reagim!
….Kur mbrojmë vetëm një nxënës problematik duke neglizhuar sigurinë dhe qetësinë e të gjithë klasës, kjo nuk është drejtësi – është padrejtësi kolektive….
Çdo nxënës ka të drejtë të ndihet i sigurt, i respektuar dhe i mbrojtur në shkollë. Por po aq, çdo mësimdhënës ka të drejtë të punojë në një mjedis të qetë, me disiplinë dhe rend, ku askush nuk ia cenon dinjitetin dhe nuk ia pengon procesin mësimor. Të drejtat dhe përgjegjësitë ecin bashkë. Pa këtë ekuilibër, shkolla nuk mund të funksionojë.
Ngjarja e fundit në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, ku një konflikt mes një nxënësi dhe mësimdhënësit eskaloi në përplasje fizike pasi nxënësi tentoi të sulmonte mësimdhënësin, na tronditi të gjithëve dhe ngriti me të drejtë shqetësime për sigurinë dhe klimën në shkolla. Çdo formë dhune, nga cilado anë, është alarm për sistemin arsimor.
Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë mjet edukimi. As ndaj nxënësit, as ndaj mësimdhënësit. Edukimi ndërtohet me komunikim, me durim dhe me respekt të ndërsjellë.
Megjithatë, nëse duam ta kuptojmë drejt realitetin, duhet ta shohim të gjithë pamjen dhe jo vetëm momentin e incidentit.
Sot shkollat tona përballen me sfida gjithnjë e më komplekse. Shumë nxënës vijnë në klasë me ngarkesa të rënda sociale dhe emocionale: probleme familjare, mungesë kujdesi prindëror, trauma, varfëri apo mungesë orientimi.
Shkolla shpesh përballet me pasoja të problemeve që nuk janë krijuar brenda mureve të saj.
Në të njëjtën kohë, po shtohen rastet kur mësimdhënësit fyhen, kërcënohen, provokohen apo sulmohen. Autoriteti i mësuesit shpesh vihet në pikëpyetje dhe klima e respektit dobësohet. Asnjë sistem arsimor nuk mund të funksionojë kur mësuesi ndihet i pambrojtur në klasën e tij.
Një ndër sfidat më të vështira mbeten rastet e nxënësve me sjellje të rënda delikuente. Shkolla ndjek procedurat: përfshihet drejtoria, psikologu, qendra për punë sociale, ndonjëherë edhe policia. Mbahen takime, raporte, paralajmërime. Por shpesh qarku nuk mbyllet. Fëmija kthehet sërish në të njëjtin realitet familjar, pa mbështetje reale, pa terapi dhe pa plan rehabilitimi.
Ne nuk kemi qendra ditore, nuk kemi programe të strukturuara rehabilituese dhe nuk kemi mekanizma të ndërmjetëm trajtimi.
Shkolla nuk është as klinikë sociale, as institucion korrektues – por shpesh detyrohet t’i luajë të gjitha këto role njëkohësisht.
Ndërkohë, mjetet ligjore të shkollës janë shumë të kufizuara: vërejtje, largim deri në tre ditë, ndërrim klase ose transferim në shkollë tjetër. Këto masa vetëm e zhvendosin problemin – nuk e zgjidhin atë.
Shpesh një rast i vetëm konsumon energjinë e të gjithë stafit, dhjetëra orë takimesh, stres emocional dhe kohë që duhet t’u takojë qindra nxënësve të tjerë.
Një hallkë e dobët mbetet familja. Ka fëmijë që rriten pa prindërim real. Ka prindër që nuk paraqiten në shkollë, nuk bashkëpunojnë, nuk vendosin kufij dhe nuk marrin përgjegjësi për sjelljen e fëmijës së tyre. Në disa raste, vetë prindërit përballen me probleme sociale apo modele negative sjelljeje.
Dhe shkolla përpiqet të bëjë brenda pak orëve atë që familja nuk e ka bërë për vite të tëra.
Edukata nuk fillon në klasë – ajo fillon në shtëpi. Pa partneritetin e familjes, çdo përpjekje e mësuesit mbetet e cunguar.
Po aq e rëndësishme sa mbrojtja e të drejtave të fëmijëve është edhe ndërtimi i përgjegjësisë tek ata. Shkolla funksionon mbi standarde dhe rregulla të qarta sjelljeje. Këto rregulla nuk vendosen për të ndëshkuar, por për të mbrojtur të gjithë dhe për të krijuar një mjedis të sigurt për të mësuar.
Respektimi i rregullave është detyrim. Askush nuk ka të drejtë të prishë disiplinën, të pengojë mësimin, të ofendojë apo të rrezikojë të tjerët. Liria pa përgjegjësi kthehet në kaos.
Sot shpesh flitet vetëm për të drejtat e fëmijëve, por shumë pak për detyrimet e tyre. Nuk mund të ketë të drejta pa përgjegjësi dhe pa pasoja edukative.
Disiplina nuk është dënim – është pjesë e formimit.
Kur rregullat shkelen vazhdimisht dhe pasojat mbeten vetëm formale, shkolla mbetet e pafuqishme. Dhe kur mbrojmë vetëm një nxënës problematik duke neglizhuar sigurinë dhe qetësinë e të gjithë klasës, kjo nuk është drejtësi – është padrejtësi kolektive.
Prandaj, zgjidhja nuk është fajësimi i një pale. Zgjidhja është përgjegjësi e përbashkët.
Na duhen shkolla të sigurta për nxënësit dhe mjedise të sigurta për mësimdhënësit. Na duhen psikologë, punëtorë socialë, programe rehabilituese, bashkëpunim real me familjet, mbështetje për mirëqenien e stafit dhe mekanizma të qartë disiplinorë që edukojnë dhe jo thjesht zhvendosin problemin.
Shkolla nuk mund të jetë arenë përballjesh.
Ajo duhet të jetë hapësirë kujdesi, respekti dhe dialogu.
Sepse arsimi ndërtohet mbi besim.
Dhe besimi lind vetëm kur secili – nxënës, prind dhe mësimdhënës – e di jo vetëm çfarë të drejte ka, por edhe çfarë përgjegjësie mban.
*Autorja është ish-drejtoreshë e Arsimit në Mitrovicë