Nga Dr.Sc. Besjana Rexhepi: Nuk e shton cilësinë në arsim numri i lëndëve e sasia e librave

- Advertisement -

Ilustrimet e shumta janë tërheqëse për syrin e fëmijëve dhe shpeshherë ndihmojnë në kuptimin më të lehtë të përmbajtjeve arsimore.

- paragrafi 1 -

Megjithatë, ato mund të bëhen edhe një formë stërngarkese, duke shtuar angazhimin me detyra dhe aktivitete si në klasë, ashtu edhe në shtëpi, veçanërisht për fëmijët e moshës 6–10 vjeç.

- Advertisement -

Nëse analizojmë planprogramet mësimore të çdo lënde, vërejmë një numër të madh mësimesh, të cilat në përmbajtjen e tyre të plotë është pothuajse e pamundur të realizohen, edhe sikur mësimi të zhvillohej gjatë tërë ditës. Për më tepër, fakti që një fëmijë 6–7 vjeçar ka rreth 10 lëndë mësimore që në klasën e parë, paraqet një ngarkesë të madhe jo vetëm mendore, por edhe fizike — për shkak të sasisë së madhe të librave, ku në disa raste një lëndë ka deri në tre libra. Në këto kushte, është e vështirë të pritet që nxënësi të arrijë qoftë edhe një nivel mesatar të përvetësimit nga të gjitha këto materiale. Nga ana tjetër, kohëzgjatja e orës mësimore prej 40–45 minutash e vështirëson edhe më shumë procesin mësimor në të dy aspektet e tij – mësimdhënie dhe mësimnxënie – për nxënësit njëkohësisht.

Duke e marrë parasysh edhe sasinë e madhe të materialit që përmban secila lëndë mësimore në ciklin e ulët, realizimi i këtij planprogrami në praktikë shpesh rezulton sipërfaqësor, si në aspektin e përvetësimit të njohurive nga nxënësit, ashtu edhe në përmbushjen e plotë të objektivave të parashikuara nga mësimdhënësit.

Rrjedhimisht, duke marrë në konsideratë aftësitë psiko-kognitive të fëmijëve si dhe mungesën e pajisjeve dhe infrastrukturës adekuate në shumë shkolla fillore, numri i lëndëve mësimore për ciklin e ulët duhet të variojë sipas klasëve, duke u përshtatur me moshën dhe zhvillimin e nxënësve. Kjo do të thotë se për klasën e parë dhe të dytë duhet të ketë më pak lëndë, më pak materiale e libra mësimorë, ndërsa fokusi të përqendrohet kryesisht te:

- Advertisement -

 përvetësimi dhe përpunimi i shkronjave;

 shqiptimi i saktë i shkronjave;

 shkrimi i shkronjave;

 zhvillimi i aftësive bazike të veprimeve matematikore deri në 20;

 fitimi i njohurive fillestare përmes një integrimi të fushave kurrikulare dhe lëndëve
mësimore, ku mund të përfshihen: Shoqëria dhe Mjedisi, Shkathtësi për Jetë, si dhe Njeriu dhe Natyra. Për këtë integrim, klasa e parë dhe e dytë mund të kenë vetëm një tekst të përbashkët mësimor. Kështu, nga 10 lëndë sa ka aktualisht, këto klasa do të kishin vetëm 7 lëndë mësimore, gjë që do të ishte më e përshtatshme për moshën dhe kapacitetet e tyre zhvillimore. Një nga arsyet kryesore është se shumë prej aktiviteteve dhe detyrave në tekstet ekzistuese kërkojnë shkrim të pavarur nga nxënësit. Duke qenë se fëmijët 6–7 vjeçarë ende nuk kanë zhvilluar plotësisht aftësinë për të shkruar sasi të mëdha tekstesh, kjo shpesh e detyron mësimdhënësin të ndërhyjë për t’i ndihmuar, ose prindërit t’i plotësojnë detyrat në vend të tyre. Kjo situatë bie ndesh me vlerësimin real të aftësive të nxënësve në fund të gjysmëvjetorit apo të vitit shkollor.

 Sa i përket fondit javor të orëve në fushën kurrikulare “Gjuhë dhe komunikim”, te lënda Gjuhë amtare, propozohet që numri i orëve javore të rritet nga 7 në 10 orë, me qëllimin e
vetëm të përvetësimit më të thelluar të shkrim-leximit në këtë shkallë kurrikulare.

Të gjitha këto ndryshime do të mund të sillnin rezultate pozitive në aspektin e të nxënit te nxënësit dhe ngritjen e cilësisë në arsim, nisur nga themeli i arsimit, pra nga shkollimi fillor.

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara