Si fëmijë i vogël thur ëndrra dhe dëshira se çfarë do të bëhesh kur të rritesh, por ëndrrat janë të shumta saqë i ndryshon çdo ditë ato. Si adoleshent nis e orienton endrrën në këndveshtrime të ndryshme në bazë të pjekurisë së përfituar dita-ditës. Dhe vjen një ditë që quhesh i/e maturuar dhe duhet t’i përqëndrosh ëndrrat në një të vetme dhe të zgjedhësh atë që dëshiron më shumë. Ndodh që gabon në përzgjedhje, por ëndrrat mbeten ëndrra dhe mund të zgjedhësh të nxerrësh një të re nga sirtari e të punosh fort për t’i dhënë jetë e të mos mbeten vetëm ëndrra.
Për t’u dhënë ëndrrave shpirt e jetë, përveç punës së madhe, nevojitet një “dorë” që të jep motiv, mbështetje e përkrahje. Një “dorë” që të zgjatet kur rrëzohesh e të ledhaton kokë për të thënë se gabimet janë mësimi më i mirë. Një “dorë” që të shtrëngon fort e të thotë “Ti mund t’ja dalësh përsëri. Mjafton të provosh!”.
Të gjithë e dijmë se prindërit janë mbështetja dhe “dora” e parë që na zgjatet qysh në hapat e para të jetës, por vjen një moshë që ata të dorëzojnë tek një “dorë” tjetër për të të ndihmuar në rrugëtimin drejt përjetësimit të ëndrrave tua. Ajo “dorë” është Mësuesi/ja e parë dhe shumë mësues të tjerë gjatë këtij rrugëtimi. Vlerat e tyre nuk kanë krahasim me asnjë vlerë tjetër shoqërore. Kontributi i tyre, sidoqoftë ai (pozitiv apo negativ), është i pazëvendësueshëm me asgjë. Secili prej tyre jep prej vetes shëmbëlltyrën e asaj që do të doje apo s’do të doje të ishe ti nesër.
Diturinë dhe njohuritë e nevojshme për jetën i fiton prej tyre. Rëndësinë e shoqërisë dhe bashkëjetesës me njerëz që s’janë familja jote, e mëson prej tyre. Respektin dhe dashurinë ndaj vetes dhe të tjerëve e përvetëson prej tyre. Kupton se jeta kalohet nëpërmjet disa shkallëve të vëshira, por fal ndihmës së mësueve dhe vullnetit tënd mund t’i kapërcesh me lehtësi. Ato kalohen ngadalë, vështirë, me shumë pengesa rrugës, por fal motivimit dhe mbështetjes së mësuesve arrihet në FINISH.
Të gjithë e duan motivimin dhe mbështetjen. Si fëmijët në shtëpi e shkolla, ashtu edhe punëtorët në punë. Motivimi i mësimdhënësit nuk është rritja e pagës, por rritja e dinjitetit. Rikthimi i vlerës së pazëvendësueshme, që u kthye në “rreckë”, ku mund të shkelë e pështyjë kushdo. Rikthimi i asaj vlere që i jep mësuesit motivimin për punë. Një gjë është e sigurtë, se nëse ajo “rreckë” deri tani u pështy e shkel, tashmë u rreckos e u shky deri në demotivim total. Sharje, kërcënime, mllefosje, inate, kokëfortësi, shtyrje, indiferentizëm e moskokëçarje. Gjithçka u hodh në atë “rreckë” pa fije mëshire, por kurrë nuk u mendua e as u fol për “ndjenjën shpirtërore” të saj. Dhe përsëri ajo “rrecka” e shqyer gjen forcën t’i mbledhë copat e saj e të vazhdojë përpara duke u “dorëzuar” para antivlerave e fyerjeve e duke lënë pas krenarinë për hir të brezave të rinj. Dashuria, dëshira dhe vullneti për të shpërndarë dije është më e madhe se çdo krenari e kokëfortësi. Kjo është vlera dhe dinjiteti i sicilit mësues që shkrin veten për të tjetët.
Është e dhimbshme të shohësh vlerën më të lartë të një shoqërie të venitet çdo ditë e më shumë e të mos kesh çfarë të bësh. Të shohësh të flitet në emër të mësuesit gjithçka e mos të kesh forcë t’i ndalosh. Të mundohesh me çdo mënyrë t’i kushtëzosh të të dëgjojnë e kuptojnë vlerën tënde, e të mos mundesh të nxjerrësh zë.
Mirë se erdhët në kohën e bijve të shekullit të ri!
Urime viti i ri shkollor 2022-23!
Mr.sc Ditjona Osmanaj