Nga Bujar Krasniqi: Çelësi i digjitalizimit të arsimit në Kosovë

- Advertisement -
Digjitalizimi i arsimit në Kosovë është trajtuar shpesh nga Komunat si investim në pajisje fizike (tabela digjitale, monitorë, kabinete kompjuterike). Megjithatë, përvoja jonë 25-vjeçare në edukim profesional tregon se ky është hapi i fundit, jo i pari. Çelësi i digjitalizimit është krijimi i identitetit digjital unik për çdo shkollë, komunë, mësues dhe nxënës.
Ky hap mundëson menaxhim më të lehtë, transparencë, matje të cilësisë, raportim të centralizuar dhe përmirësim të vazhdueshëm.
Prandaj, në ditët e para, Qeveria e re duhet të nisë një program kombëtar për krijimin e email-eve dhe domeneve zyrtare për gjithë sistemin arsimor, duke ndërtuar bazën e digjitalizimit të mirëfilltë.
Sfondi i problemit:
Shumë komuna kanë shpallur iniciativa për digjitalizim, por mungon qartësia ku fillon procesi.
Deri sot, fokusi është vendosur te mjetet fizike (smart monitorë, tabela digjitale), ndërkohë që mungon infrastruktura digjitale bazë.
Pa çelësin unik digjital nuk është e mundur të zhvillohen platforma të integruara për mësim, testim, monitorim e raportim.
Sistemi arsimor ende mbështetet në formularë manualë, raportime në letër dhe procese teknike të stërzgjatura.
Rekomandime Kryesore:
1. Identiteti Digjital Unik
Krijimi i një domeni kombëtar për arsimin (p.sh. arsimi-ks.org).
Ndarja e sub-domeve për çdo komunë dhe shkollë.
Hapja e email-eve zyrtare për çdo drejtor, mësues, inspektor, DKA dhe nxënës.
Kjo siguron komunikim zyrtar, qasje të kontrolluar dhe gjurmueshmëri.
2. Trajnimi i Kapaciteteve
Trajnime bazike digjitale për mësuesit, drejtorët, inspektorët dhe stafin komunal.
Certifikim minimal për përdorimin e platformave digjitale.
3. Platforma Kombëtare e Menaxhimit
Një portal unik për arsimin ku lidhen: regjistrimi i nxënësve, menaxhimi i orarit, prania, notat, testet, raportet.
Shkollat dhe komunat do të kenë dashboard-e të personalizuara, ndërsa MASHTI qasje për raportim kombëtar.
4. Matja dhe Monitorimi i Cilësisë
Vendosja e një sistemi testimi digjital vjetor për të gjitha lëndët dhe klasat.
Raportim i detajuar për çdo nxënës, klasë, shkollë dhe komunë.
Identifikim i boshllëqeve në arritje dhe ndërhyrje të shpejta.
5. Literatura dhe Mësimi i Kombinuar
Çdo nxënës të ketë literaturën si libra fizikë në klasë dhe version digjital në tabletë.
Ushtrimet dhe detyrat të përfundojnë edhe online, duke ndihmuar matjen e progresit.
Përfitimet:
Për nxënësit: më shumë mundësi për të mësuar në mënyrë të personalizuar.
Për mësuesit: kursim kohe nga proceset teknike dhe më shumë fokus në mësimdhënie.
Për drejtorët dhe komunat: menaxhim dhe raportim i thjeshtuar.
Për MASHTI: qasje në të dhëna të sakta dhe vendimmarrje më të mirë.
Për vendin: transparencë, besim dhe nxitje e investimeve vendore, diasporike dhe ndërkombëtare.
Kosova nuk duhet të presë testet ndërkombëtare për të matur cilësinë e arsimit. Duhet të krijojmë vetë sistemin tonë kombëtar të testimit dhe monitorimit digjital, që nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën, në çdo lëndë dhe në çdo vit.
Kjo është mënyra e vetme për të kuptuar realisht gjendjen e arsimit dhe për të ndërhyrë aty ku ka nevojë.
Digjitalizimi nuk fillon nga tabela inteligjente, por nga çelësi unik digjital dhe një strategji e bazuar në njerëz, menaxhim dhe platforma të qëndrueshme.
Angazhimi i BEINT-it:
BEINT, së bashku me ekipin e vet, është i gatshëm të vë në dispozicion ekspertizën e plotë për këtë proces, duke e ndarë implementimin në faza të qarta brenda një periudhe 24-mujore:
Faza I (0–3 muaj): Krijimi i domenit kombëtar dhe subdomenëve për komunat dhe shkollat; hapja e emailave zyrtarë për MASHTI-n, DKA-të, shkollat, mësimdhënësit, inspektorët dhe nxënësit; trajnimi bazë për përdorimin e tyre.
Faza II (6–9 muaj): Vendosja e platformës së integruar për menaxhimin e shkollave dhe monitorimin digjital; trajnimi i drejtuesve, mësimdhënësve dhe inspektorëve për administrim efikas dhe raportim në kohë reale.
Faza III (9–12 muaj): Zbatimi i testimeve digjitale kombëtare për të gjitha lëndët dhe klasat; krijimi i raporteve të matshme për secilën komunë, shkollë dhe klasë; ngritja e mekanizmave për ndërhyrje të shpejta dhe përmirësim të cilësisë.
Përgjatë gjithë këtij procesi, BEINT do të ofrojë këshillim të vazhdueshëm dhe monitorim të zbatimit, duke garantuar që digjitalizimi të mos mbetet vetëm premtim, por të bëhet realitet i prekshëm për çdo nxënës dhe mësues.
✍️Autori është CEO – BEINT Shkolla e Drejtorëve – Ofrues për trajnimin e mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave dhe inspektorëve të arsimit.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara