Arsimi në Kosovë po kalon nëpër sfida të vazhdueshme dhe një prej tyre është ngarkesa e panevojshme që u bie në kurriz mësimdhënësve.
Në vend se energjinë ta fokusojnë tek nxënësi, shpesh u duhet të merren me dokumente, shënime, kërkesa, raporte e gjithëçka tjetër që duhej të ishte përgjegjësi e administratës së shkollës.
Në shumë institucione roli i sekretarit është thelbësor, por shpesh nënvlerësohet.
Sekretari është personi që duhet ta mbajë të rregulluar gjithë dokumentacionin, komunikimin me komunën, procesverbalet, njoftimet, kërkesat, përgjigjet e ankesave, vendimet dhe raportet. Kur kjo pozitë funksionon si duhet, mësimdhënësit lirohen nga barrat administrative dhe fokusi i tyre kthehet tek mësimi, planifikimi dhe puna me fëmijët.
Realiteti është se pa një administratë të organizuar, cilësia e mësimdhënies bie.
Mësimdhënësi nuk mund të jetë njëkohësisht edukator, sekretar, referent teknik dhe menaxher dokumentesh. Kjo na dëmton të gjithëve, sidomos nxënësit.
Nga përvoja e shumë shkollave del qartë se aty ku sekretari punon profesionalisht dhe mban mbi vete përgjegjësitë administrative, shkolla ecën më qartë, drejtori merr vendimet më lehtë, mësimdhënësi punon më lirshëm, e gjithçka funksionon në mënyrë më njerëzore dhe të rregullt.
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara