Nga Besnik Rama: Kur toleranca kthehet në anarki: Kush e çoi shkollën në këtë pikë?

- Advertisement5 -

Ngjarja e fundit e publikuar në rrjetet sociale, ku një mësues dhe një nxënës përfshihen në konflikt fizik brenda mjedisit shkollor, nuk është thjesht një “incident i izoluar”, siç përpiqen ta relativizojnë institucionet shpesh. Është simptomë e një krize të thellë të autoritetit në shkollë, e prodhuar prej vitesh nga politika arsimore të paqarta, nga menaxhim i dobët i institucioneve arsimore dhe nga një kulturë tolerance pa standarde.

- paragrafi 1 -

Është e lehtë të kërkosh kokën e mësuesit pas publikimit të videos. Dhe, po, përgjegjësia profesionale e mësuesit për vetëpërmbajtje është e panegociueshme. Por është hipokrizi institucionale të pretendosh se problemi nis dhe mbaron me reagimin e një individi. Ky reagim është produkt i një sistemi që e ka zhveshur mësuesin nga autoriteti, e ka ngarkuar me përgjegjësi, por i ka hequr mjetet për të vendosur rregull dhe disiplinë.

- Advertisement - M1

Politikat arsimore të viteve të fundit kanë promovuar model “nxënësi në qendër” të keqkuptuar, ku çdo kërkesë për disiplinë etiketohet si “autoritarizëm”, çdo masë ndëshkuese si “dhunë psikologjike” dhe çdo vlerësim real si “stigmatizim”. Në praktikë, kjo ka prodhuar klasa pa kufij, norma të paqarta sjelljeje dhe një klimë ku mësuesi detyrohet të tolerojë mungesa pa arsye, sjellje të pahijshme dhe, madje, vlerësime fiktive, vetëm e vetëm për të “mos krijuar probleme” me drejtuesit, prindërit apo institucionet.

Drejtuesit e shkollave kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë degradim. Shpesh, ata zgjedhin menaxhimin formal të qetësisë: konfliktet mbulohen, raportimet minimizohen, masat disiplinore shmangen për të ruajtur statistika “të pastra” dhe imazh institucional. Në këtë klimë, nxënësi problematik mëson se sjellja devijuese nuk ka kosto reale, ndërsa mësuesi vëren se mbrojtja institucionale është iluzion.

Rezultati është i parashikueshëm: kur rregulli zhduket nga struktura, ai shpërthen në formë konflikti personal. Dhuna e mësuesit është e dënueshme, por është edhe pasojë e një presioni të akumuluar në një sistem që i kërkon mësuesit të jetë njëkohësisht autoritet pa autoritet, përgjegjës pa mbështetje dhe figurë morale pa mekanizma mbrojtës.

- Advertisement - m2

Nëse politikat arsimore nuk rishikohen seriozisht, nëse drejtuesit e shkollave nuk vihen realisht para përgjegjësisë për disiplinën dhe nëse mësuesit nuk mbrohen me instrumente ligjore e institucionale për të ruajtur dinjitetin e tyre profesional, video të tilla do të vazhdojnë të qarkullojnë, si pasqyrë e një sistemi që ka dështuar të vendosë kufij të qartë midis lirisë dhe anarkisë.

504377954 24085268944399830 903586156529525915 n

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara