Tash kur pothuajse po i afrohemi dekadës së tretë të pas luftës në Kosovë, arsimi në vendin tonë ende nuk po gjen stabilitet. Kjo shihet nga arsyetime të shumta dhe nga dominimi i politikave, ku pas çdo ndërrimi të pushtetit arsimi është përfshirë në reforma të ndryshme, viktimë e të cilave kanë qenë vetë nxënësit, por edhe mësimdhënësit.
Në kohën kur pothuajse gjithçka mund të mësohet nga pajisjet elektronike, të qenurit mësues, që dikur konsiderohej një emër i shenjtë dhe i cili i frymëzonte respekt të madh shoqëror, sot shihet ndryshe. Sot, kjo kategori shpeshherë “tallet” nga pjesa më e madhe e popullatës, jo vetëm për pagën që marrin, por edhe për orarin e shkurtër sipas përceptimit të tyre. Disa madje i kritikojnë edhe për rënien e autoritetit dhe mënyrën si i mbajnë nxënësit në qendër të vëmendjes, çka shpesh është pasojë e lirisë së tepërt që fëmijëve u jepet nga vetë prindërit, por dhe nga vetë Ministria e Arsimit, kinse ta kemi nxënësin në qendër të vëmendjes…
Sot edhe kur nxënësi merr një notë negative dhe sillet keq në shkollë, masat e prindërve janë të pakta, e madje edhe nëse përsërisin vitin shkollor dhe kjo nuk shihet si një arsye për shqetësim të madh familjar.
Ndërkohë, shtylla kyçe e shtetit, përgjegjëse për përpilimin e strategjive dhe ligjeve që lidhen me arsimin, shpesh më shumë eksperimenton për të siguruar një mandat politik
tjetër, ose një grusht votash, sesa për të bërë ndryshime cilësore në arsim.
Shpesh hartohen projekte të ndryshme, realizohen nga të ashtuquajturit ekspertë vendorë e të jashtëm, por që kryesisht kanë qëllim përfitimin material të ekspertëve dhe jo përmirësimin real të arsimit. Nga ana tjetër, ministria e arsimit shpesh e ngarkon mësimdhënësin me administratë dhe dokumentacion të tepërt, duke e mbingarkuar nxënësin me material dhe aktivitete, me pretekstin e rritjes së cilësisë në arsim. Kjo ndikon negativisht te liria e mësimdhënësit për të manovruar në mënyrë efektive në punën e tij dhe për të arritur rezultate të kënaqshme në mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Ndërkohë, vitet ecin; nxënësit vazhdojnë të jenë objekt eksperimenti, mësimdhënësit
denigrohen dhe humbasin motivimin për të vazhduar punën e tyre. Disa dalin me vetëdëshirë në pension të parakohshëm, e madje edhe migrojnë jashtë vendit. Kur injoranca dominon dhe analfabetizmi funksional merr pozita kyçe shtetërore, në atë shoqëri nuk mund të pritet gjë tjetër përveç stagnimit, denigrimit dhe mosinteresimit për të mësuar…
