Mësuesi dikur konsiderohej një nga figurat më të respektuara të shoqërisë. Ai ishte udhërrëfyes, edukator dhe model për brezat e rinj.
Sot, fatkeqësisht, figura e tij po zbehet çdo ditë e më shumë, e goditur nga shumë drejtime: nga qeveria, institucionet arsimore, media, prindërit dhe madje edhe vetë nxënësit.
Qeveria dhe Ministria e Arsimit flasin shpesh për reformë dhe cilësi në arsim, por në realitet mësuesi vazhdon të mbetet i pambrojtur dhe i nënvlerësuar. Ngarkesa burokratike rritet vazhdimisht, pagat mbeten të pamjaftueshme për përgjegjësinë që mbart profesioni, ndërsa çdo problem në sistemin arsimor përfundon duke iu faturuar mësuesit. Drejtoritë dhe drejtuesit e shkollave, në vend që të mbështesin stafin pedagogjik, shpesh ushtrojnë presion, kërkojnë rezultate formale dhe e trajtojnë mësuesin si një numër statistikor, jo si shtyllën kryesore të arsimit.
Edhe prindërit kanë ndryshuar qëndrim. Dikur bashkëpunonin me mësuesin dhe e konsideronin autoritet edukativ. Sot, në shumë raste, ata mbrojnë verbërisht fëmijën, edhe kur ai gabon. Çdo vërejtje ndaj nxënësit interpretohet si sulm personal, duke e zhvlerësuar fjalën dhe autoritetin e mësuesit në klasë.
Një rol të madh në këtë denigrim luan edhe media. Në vend që të evidentojë sakrificat dhe përkushtimin e mijëra mësuesve të ndershëm, ajo fokusohet vetëm tek rastet sporadike negative. Një incident i izoluar shndërrohet menjëherë në lajm sensacional për klikime dhe audiencë. Mësuesi paraqitet si “koka e turkut” ku shkarkohet zemërimi i shoqërisë, ndërsa askush nuk flet për kushtet e vështira, stresin apo mungesën e respektit që ai përjeton çdo ditë.
Ndërkohë, një pjesë e nxënësve po humbin gjithnjë e më shumë interesin për dijen. Telefonat celularë dhe rrjetet sociale kanë zëvendësuar librin dhe përqendrimin. Shumë të rinj kalojnë orë të tëra në ekran, pa motivim për të mësuar, pa objektiva dhe pa dëshirë për të ndërtuar të ardhmen. Në klasë mungon vëmendja, mungon respekti dhe shpesh mungon edhe vetë dëshira për të kuptuar pse arsimi është i rëndësishëm për jetën.
Kur një shoqëri humbet respektin për mësuesin, ajo rrezikon të humbasë edhe të ardhmen e saj. Arsimi nuk mund të përmirësohet duke poshtëruar ata që edukojnë brezat. Mësuesi ka nevojë për mbështetje, dinjitet dhe autoritet moral. Pa rikthyer vlerësimin për figurën e tij, nuk mund të ketë as nxënës të mirë, as qytetarë të përgjegjshëm, as një shoqëri të zhvilluar.