Shkrim nga drejtoresha e shkollës “Bislim Imeri” në Kçiq të Madh të Mitrovicës, Ardita Brahimi Irizi
Respektoni punën e mësimdhënësit!
“U knaqet ju mësueset, ka dy orë në ditë!”, “Pushime verë e dimën!”, “Rrogën 500 euro!”
Këto stereotipe, paragjykime, ose thënie të mençura, si të doni quani, i dëgjojmë shumë shpesh, çdo ditë.
U kënaqët, ka dy orë në ditë!
Ata që mendojnë kështu, i ftojmë të vijnë me ne në klasë. Jo dy orë, por vetëm 10 minuta le të rrinë e le të shohin “kënaqësi”. Mjaftojnë 10 minuta për ta vërtetuar se ato “dy orë në ditë”, mund të lodhesh, të zhgënjehesh, të dëshpërohesh, të rëndohesh aq shumë emocionalisht sa mos të vish në vete me ditë të tëra.
Pushim verë e dimër
Ata që mendojnë kështu nuk e dinë se sa kohë i duhet mësuesit hartimi i një plani ditor.
Nuk e dinë se sa kohë i merr një mësuesi hartimi i planeve vjetore, dymujore, javore.
Planet edhe mund t’i marrin të gatshme prej kolegëve, megjithatë gjithmonë duhet shikuar e rishikuar ato për t’ia përshtatur klasës, nivelit të njohurive të nxënësve.
Mësuesi/mësuesja s’ka pushim asnjëherë. Pse?
Ai edhe kur është në shtëpi, para vetes mban kompjuterin. Harton e bën plane, shkruan raporte, përgatit programin për ‘Ditën e Shkollës’, ‘Festën e 7 Marsit’, të ‘28 Nëntorit, të ‘17 Shkurtit’, etj, etj. Bisedon me prindër, i njofton për problemet që ndodhin në shkollë. Kontrollon detyra, teste, ese të cilat ia marrin jo vetëm kohën por edhe tërë energjinë saqë ka kokëdhembje të vazhdueshme.
Fëmijët e tij i ka para vetës, i shikon me sy, por mendjen e ka te nxënësit e tij, te fëmijët e Juaj.
Rrogën 500 euro
A dini sa mësues,profesorë janë në gjendje të mjerueshme ekonomike?
A e dini sa mësues,profesorë kanë nga 2 apo 3 fëmijë në studime? A ju mjaftojnë atyre 500 euro?
A e dini sa mësues,profesorë shkojnë në shkollë me sëmundje të rënda e të cilët duhet vetë t’i sigurojnë ilaqet. A ju mjaftojnë atyre 500 euro?
A e dini sa mësuesve,profesorëve më tepër se gjysma e rrogës u shkon te ’grabitësit e bankave’.
A dini sa mësues,profesorë e kanë harruar fjalën “pushim”?