Sot, më shumë se kurrë, sistemi arsimor në Republikën e Kosovës përballet me nevojën urgjente për t’i ndalur disa praktika të dëmshme që po cenojnë cilësinë e arsimit dhe zhvillimin e drejtë të procesit mësimor. Në thelb të këtij problemi qëndron devijimi nga profesionalizmi, meritokracia dhe zbatimi i legjislacionit në fuqi.
Në praktikën e përditshme vërehen dukuri shqetësuese, si:
• Emërimi i ushtruesve të detyrës së drejtorëve për periudha të gjata, në vend të përzgjedhjes së drejtorëve sipas procedurave ligjore dhe mbi bazën e meritës profesionale.
• Angazhimi i mësimdhënësve jashtë fushës së tyre të kualifikimit, ku kemi individ të diplomuar në ekonomi ligjërojnë matematikë, të diplomuar në gjuhë shqipe ligjërojnë gjuhë të huaja, ndërsa ata të makinerisë japin mësim në teknologji dhe informatikë.
• Vendosja e stafit mbështetës pa përgatitje adekuate profesionale, siç është rasti i bibliotekarëve pa kualifikim përkatës (p.sh. me kualifikim program fillor) edhe në shkolla me numër të konsiderueshëm nxënësish.
• Shpërblimi dhe vlerësimi i mësimdhënësve pa respektim të kritereve të përcaktuara, duke favorizuar lidhjet personale në vend të performancës profesionale.
• Sjellje jo profesionale e ndërhyrje në detyra të menaxhmentit të shkollës nga stafi pedagogjik dhe mbështetës, ku mungon roli këshillues dhe dominon qasja autoritare dhe jo etike ndaj nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve.
• Deformimi i rolit të psikologëve shkollorë, të cilët shpesh nuk fokusohen në mbështetjen psiko-sociale, por në procedura administrative që nuk janë në thelb të profesionit të tyre.
• Funksionimi jo transparent dhe jo ligjor i Këshillave Drejtues, të cilët shpesh nuk përzgjidhen sipas akteve normative dhe nuk sigurojnë llogaridhënie publike për vendimet e tyre.
• Mungesa e angazhimit kritik nga përfaqësuesit e prindërve, të cilët shpesh miratojnë vendime pa analizuar dhe pa kërkuar përgjegjësi institucionale.
• Organizimi i aktiviteteve kulturore dhe festave shkollore që shpeshherë devijojnë nga promovimi i vlerave edukative dhe kombëtare, duke u shndërruar në platforma promovimi (marketing) personal apo institucional.
• Realizimi i trajnimeve dhe aktiviteteve nga organizata të ndryshme pa koordinim institucional dhe pa ndikim të matshëm në përmirësimin e të nxënit të nxënësve.
Fatkeqësisht, këto praktika nuk janë të mira dhe ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e cilësisë së arsimit, duke dëmtuar më së shumti nxënësin, pra subjektin kryesor të sistemit arsimor.
Është e domosdoshme që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtoritë Komunale të Arsimit, të mos i anashkalojnë këto probleme, por të ndërmarrin veprime konkrete dhe të koordinuara për rikthimin e ligjshmërisë, profesionalizmit dhe llogaridhënies në arsim. Përgjegjësia është e përbashkët dhe kërkon angazhim të sinqertë institucional.
Dimë që arsimi nuk është privilegj dhe as çerdhe punësimi. Arsimi është një obligim kombëtar dhe një përgjegjësi e shenjtë ndaj së ardhmes së vendit. Çdo individ që zgjedh të punojë në arsim duhet të jetë i vetëdijshëm për peshën e këtij misioni, sepse nga duart e mësimdhënësve formohen profesionistët e së nesërmes; mjekët, inxhinierët, arkitektët, pilotët dhe çdo profil tjetër që ndërton shoqërinë.
Prandaj, rikthimi i standardeve dhe integritetit në arsim nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri.
Bëjeni!
Autori është profesor në Gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë
© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara