Në shoqërinë moderne, suksesi shpesh përfytyrohet si një rrugë e drejtë: shkollë, universitet, diplomë dhe punë. Diploma shihet si fundi i një rruge dhe në provë e vlerës sonë. Por përtej mureve të institucioneve ekziston një lloj tjetër edukimi, ai që nuk përfaqësohet me karton e diplomës por gdhendet në karakter njerëzor. Është “diploma e përvojës”, e vetmja që nuk njeh afat.
Edukimi jashtë klasës është procesi ku njohuria nuk mbetet teori e mësuar, por shndërrohet në urtësi të jetuar. Ndërsa diplomat akademike mund të ndikohen nga ritmi i shpejtë i ndryshimeve në botë, aftësitë si mendimi kritik, analiza dhe gjykimi i pavarur nuk vjetrohen kurrë. Ato janë kapitali i vërtetë që të lejon të përshtatesh dhe të rishpikësh veten sa herë që jeta ndryshon rregullat e saj.
Shkolla na mëson si të jemi nxënës të mirë, por jeta na mëson si të jemi njerëz të vërtetë. Jashtë kornizave formale, ne përballemi me mësime që nuk shkruhen në asnjë program studimi.
Ndryshe nga diplomat formale që kërkojnë përditësim të vazhdueshëm, aftësitë jetësore janë kumulative, ato nuk humbasin, por shtohen dhe piqen me kohën. Aftësia për të dëgjuar, guximi për të marrë vendime nën presion dhe kureshtja për të eksploruar të panjohurën janë vlera që nuk i prek as koha, as teknologjia.
Të kesh një “diplomë pa afat” do të thotë të mbetesh përjetë nxënës i jetës. Edukimi i vërtetë nuk ndodh vetëm kur dëgjon, por kur vepron; jo vetëm kur mëson, por kur përjeton. Ai lind në momentin kur del nga zona e komfortit dhe kur çdo sfidë e sheh si një mësim të fshehur.
Në fund të rrugëtimit, diploma më e rëndësishme nuk është ajo që mban në duar, por njeriu që je bërë gjatë procesit. Dhe kjo është e vetmja diplomë që koha nuk e zbeh, përkundrazi e bën gjithnjë e më të çmuar.
