Për shumë të rinj, matura është kthyer në simbolin e suksesit ose të dështimit.
Ajo shihet si momenti që vendos të ardhmen dhe karrieren në zgjedhjen e degëve universitare.
Shpesh dëgjohet vazhdimisht e njëjta pyetje nga maturantët; “Sa pikë more?”.
Sikur e gjithë inteligjenca, potenciali dhe e ardhmja e një personi të mund të përmblidhen në një rezultat.
Por e vërteta është shumë më ndryshe. Një notë mund të tregojë performancën e një provimi, por nuk mund të tregojë talentin apo aftësinë reale të një individi. Ka nxënës që shkëlqejnë në kreativitet, komunikim, art, teknologji apo mendim kritik, por që nuk arrijnë gjithmonë të japin maksimumin në një provim. Në të njëjtën kohë, ka të tjerë që arrijnë rezultate të larta vetëm përmes memorizimit, pa kuptuar realisht dijen që mësojnë.

Ky është një nga problemet kryesore të sistemit arsimor: fokusi i tepërt te nota dhe jo te zhvillimi i aftësive reale. Arsimi shpesh kthehet në garë pikësh dhe jo në proces formimi.
Presioni psikologjik që krijon matura është kthyer në një shqetësim tashmë. Shumë maturantë përjetojnë ankth, lodhje emocionale dhe pasiguri, sepse ndihen sikur një provim mund t’u përcaktojë të ardhmen. Shoqëria dhe familja shpesh krijojnë pritshmëri aq të mëdha, sa një rezultat i dobët perceptohet si humbje personale. Kjo bën që shumë të rinj ta lidhin vetëvlerësimin me notën dhe jo me aftësitë apo potencialin e tyre real.
Megjithatë, jeta ka treguar se suksesi nuk ndërtohet vetëm mbi rezultate akademike. Shumë njerëz të suksesshëm nuk kanë qenë domosdoshmërisht nxënës perfektë. Ajo që i ka çuar përpara ka qenë këmbëngulja, pasioni, aftësia për të mësuar nga gabimet dhe guximi për të vazhduar edhe pas dështimeve.
Matura është një etapë e rëndësishme, por jo fundi i rrugës. Një rezultat provimi nuk mund të masë inteligjencën emocionale, talentin, karakterin apo potencialin që një i ri ka për të ndërtuar jetën e tij. Shoqëria ka nevojë për të rinj që dinë të mendojnë, të krijojnë dhe të përshtaten me realitetin.
Sepse një notë mund të hapë një derë, por janë aftësitë ato që të çojnë në një rrugë të suksesshme.