Nga Ana Llazo: Arsimi për të gjithë?

- Advertisement -

Një analizë mbi ndikimin e kushteve sociale dhe ekonomike

- paragrafi 1 -

Arsimi konsiderohet si themeli i barazisë dhe zhvillimit shoqëror, por realiteti shpesh tregon një pasqyrim më të ndërlikuar.

- Advertisement -

Të gjithë fëmijët kanë të drejtën për arsim, por në shumë raste kushtet sociale dhe ekonomike të familjes përcaktojnë dukshëm cilësinë dhe mundësitë arsimore që ata marrin.

Suksesi në shkollë nuk varet gjithmonë nga përpjekja individuale, por shpesh nga mjedisi ku lind dhe rritet një fëmijë.

Kështu, pabarazitë sociale dhe ekonomike shndërrohen në pengesa që ndajnë fëmijët me potencial të ngjashëm, por me mundësi shumë të ndryshme.

- Advertisement -

1. Gjendja ekonomike – baza e mundësive arsimore

Pabarazitë ekonomike janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në pabarazinë arsimore.
Në disa raste, mungesa e të ardhurave i detyron prindërit të emigrojnë, duke lënë fëmijët pa mbështetjen e nevojshme për të vazhduar shkollën me sukses.
Në anën tjetër, fëmijët e familjeve me të ardhura më të larta ndjekin shkolla më cilësore, përfitojnë nga kurse private që i ndihmojnë të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre.
Në këtë mënyrë, diferencat ekonomike kthehen drejtpërdrejt në diferenca arsimore, duke krijuar një boshllëk të vështirë për t’u përballur dhe kapërcyer.

2. Ndikimi i statusit social dhe kulturor

Përveç të ardhurave, një rol të rëndësishëm luan edhe statusi social dhe niveli arsimor i prindërve.

Në familjet ku arsimi vlerësohet, fëmijët marrin mbështetje dhe motivim për të ecur përpara.

Por në familjet ku arsimi shihet si luks apo si humbje kohe, fëmijët shpesh nuk e përjetojnë shkollimin si mundësi, por si detyrim.

Kështu krijohet një cikël i pabarazisë: mungesa e arsimit sjell varfëri, dhe varfëria, nga ana tjetër, kufizon mundësitë për arsimim.

Ky cikël është një nga sfidat më të mëdha për çdo sistem arsimor që synon barazi.

3. Pabarazitë mes zonave rurale dhe urbane

Një tjetër dimension i pabarazisë është ndarja mes fshatit dhe qytetit.

Në zonat rurale, infrastruktura arsimore është shpesh e mangët.

Fëmijët ndihmojnë prindërit në bujqësi apo punë sezonale, duke pasur më pak kohë për studim.

Në qytete, ndërkohë, nxënësit kanë më shumë mundësi: kurse shtesë, qasje në teknologji dhe aktivitete edukative që u japin avantazh të dukshëm.

575501274 1553975369111036 8008555425635857799 n

4. Pasojat afatgjata të pabarazive

Pabarazitë arsimore ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Nxënësit që rriten në kushte të pafavorshme kanë më pak mundësi të ndjekin studime të larta apo të zënë vende pune cilësore.
Si pasojë, shoqëria humbet potencialin e talenteve që nuk ju mundësua të zhvillohen.

5. Zgjidhje të mundshme dhe rruga drejt barazisë

Për të reduktuar ndikimin negativ të faktorëve socialë dhe ekonomikë, duhen ndërhyrje të disa masave ku mund të përfshijnë:

• Mbështetje financiare për nxënësit nga familjet në nevojë;
• Përfshirje të komunitetit dhe organizatave sociale në ndihmë jashtëshkollore;
• Fushata ndërgjegjësimi për rolin e arsimit si mjet për të thyer varfërinë.

Këto hapa kanë një ndikim të dukshëm në një sistem arsimor që nuk dallon mes të pasurve dhe të varfërve, por u jep të gjithëve mundësi të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

Një fëmijë nuk duhet të paragjykohet nga vendi ku jeton apo nga të ardhurat e prindërve, por nga dëshira, përpjekja dhe aftësia për të mësuar.

Arsimi duhet të jetë ura që bashkon, jo ndarja që thellon hendekun mes njerëzve.

© AlbanianEducation.net – Të gjitha të drejtat e rezervuara