Shkruan: Albert RISKA
“Edhe në një shfletim të shpejtë të historisë së arsimit shqiptar, kujtdo mund t’i bien në sy disa togje fjalësh (apo disa sintagma, për t’u treguar të apdejtuar) që do t’i përkisnin këtij sektori, por që shprehin më shumë sesa një koncept të karakterit teknik, si shkollë kombëtare, arsim kombëtar, armata e mësuesve, pedagogji… etj., etj.
Po të gjykojmë në sensin historik, do të vëmë re se, më tepër se për domethënien reale, këto togje do të rimerreshin sot në dorë për të kuptuar një dinamikë të tërë të zhvillimit të arsimit tonë. Është e qartë se për kohën kur janë krijuar këto janë gjetje fatlume dhe gjëja më e rëndësishme në domethënien e tyre do të ishte pa dyshim, ajo çfarë ato konotojnë.
Kështu, togu “shkollë kombëtare” dhe koncepti që shënjohet me të, më shumë sesa arritjet e kohës kur u krijua, do të përmendej sot si shprehës i një aspirate që, nga ana e vet lindi e u rrit përtej kohës kur u realizua, në rrethanat e Rilindjes Kombëtare, duke qenë një funksion (në kuptimin matematikor) i filozofisë së asaj lëvizjeje. Vetëm vite të tëra më pas kjo aspiratë gjeti shfaqjet e veta, për t’u rivlerësuar semantikisht edhe togu në fjalë, për të shënjuar tani një kategori të caktuar shkolle, që e ka zanafillën te “Normalja” e Elbasanit.
Po ashtu edhe “arsimi kombëtar” lind si një aspiratë dhe nis të gjejë shfaqjen e vet gjatë viteve tridhjetë, duke pasur në thelb të thelbit të vet një model të krijuar realisht, atë që mund ta quajmë me plot të drejtë “mësuesi i Elbasanit”.
Me një situatë krejt tjetër lidhet togu “armata e mësuesve”. Përveç atij përbërësit aspirativ, që duket se nuk e humbet, ky tog ngërthen në vetvete edhe një përbërës të natyrës propagandistike dhe, jo rastësisht, është huazuar nga terminologjia ushtarake. “Armata” në këtë kohë ishte një rezultat që nënkuptonte përmbushjen e aspiratave, ajo përbënte një “forcë” dhe krijonte një “siguri” për të ardhmen.
Jemi në fazën e themelimit të arsimit tonë në nivele universitare, duke nënkuptuar kjo krijimin e institucioneve arsimore të specializuara në fushën e pedagogjisë. Për më tepër, që të ushqente “armatën” sistemi krijoi, duke nisur që nga vitet gjashtëdhjetë, edhe tre institute të larta pedagogjike (ILP), sipas një gjeopolitike të menduar mirë, në Shkodër, në Elbasan dhe në Gjirokastër; përveç që më të shumtët e studentëve të Universitetit të Tiranës diplomoheshin gjithashtu për mësues.
Në fillim të viteve tetëdhjetë institutet trevjeçare u përshtatën në sistemin 4-vjeçar të studimeve duke krijuar, kështu, kushtet për t’u shndërruar në fillim të viteve nëntëdhjetë në universitete pedagogjike të mirëfillta.
Pavarësisht të gjithave, askush nuk do të mund ta diskutonte e as që mund ta vërë në dyshim se edhe në këto kohë vazhdon të formohet dhe të mbushë shkollat tona tipi “mësues i Elbasanit”, por tani ky nuk vinte detyrimisht nga Elbasani, por edhe nga Shkodra e Gjirokastra. Ajo që e dallonte para së gjithash këtë produkt ishte të qenët mësues.
Ndryshimet e rëndësishme politike në fillim të viteve nëntëdhjetë sollën normalisht edhe një sërë ndryshimesh në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri. Në atë vrull që përfshiu universitetet do të veçonim dy prirje që, në fakt, i shohim fare të natyrshme, por që, mesa duket, ende nuk po japin fryte (për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se nuk mjaftuakan 25 vjet për të krijuar edhe ne një profilin tonë në fushë të arsimit, një profil që duhet të ravijëzohet nga “tipi i mësuesit”).
E para prirje e rëndësishme që duhet përmendur kishte të bënte pikërisht me ato universitete pedagogjike që përmendëm më sipër: ato sikur e lanë pas dore mësuesinë dhe u shndërruan shpejt e shpejt në universitete shumëdegëshe, duke nxituar të hapin degët e preferuara, ato që kërkonte tregu, si juridik, ekonomik apo infermieri. Nuk mund të themi dot asgjë. Është e vërtetë që ato i impononin kërkesat dhe, në fakt, arritën të plotësonin shumë mirë edhe pritshmëritë.
Prirja e dytë i lëviz gjërat në kah tjetër. Ajo përfshiu të tjera universitete të specializuara nëpër rrethe që, jo vetëm duke gjurmuar nevojat e tregut, lanë pas dore degët e tyre tradicionale dhe nxituan të hapin edhe ato më të “lehtat”…, dhe parapëlqyen në mënyrë të veçantë degët e mësuesisë. Kështu u shndërruan në universitete pedagogjike Universiteti Bujqësor i Korçës, Universiteti Peshkatar i Vlorës dhe mbeti puna vetëm që… të niste të prodhonte mësues edhe Fabrika e Duhan-Cigareve Durrës (për të mos përmendur kioskat).
Në këto kushte “të mëdhenjtë” përgjigjen nëpërmjet kuotave të fryra jashtë çdo mundësie infrastrukturore e burimore, kuota që po i kthejnë masterat e mësuesisë në shkolla nate (dhe, po të vazhdojmë kështu, shpejt do të kthehen në të tilla edhe shkollat 9-vjeçare).
Kështu gara e lirë po na fshin një univers vlerash në Gjirokastër, duke na lënë të shpresojmë se ato do të mbijnë diku tjetër…
Megjithatë duhet të pranojmë se problemi nuk qëndron i gjithi këtu. I kërkoj ndjesë kujtdo që mund të ndihet i prekur nga këto radhë, por jam nga Elbasani dhe, si shumëkujt në këtë qytet, arsimi më dhemb (gjithsesi ato që shkrova nuk po i fshij). Duhet të përsëris: problemi nuk qëndron këtu! Është krejt e qartë se ajo çfarë mund të diskutohet nuk ka të bëjë fare me stafet akademike, sepse të metat që mund të numërojmë për sistemin universitar shqiptar janë pasojë e masave dhe e vendimeve të natyrës politike në kushtet e mungesës së një strategjie.
Le të përmendim një shprehje të Falcones: më mirë një kriminel i lirë, sesa një i pafajshëm në burg.
Për t’iu rikthyer problemit. Si rezultat i këtyre zhvillimeve sot kemi një rrjet të tërë universitetesh që diplomojnë mësues, por e vërteta është se ne nuk po prodhojmë mësues. Për të treguar që ndihem pjesë e problemit, po shprehem: kemi kushte e mundësi më të mira se kurdoherë tjetër, por nuk po prodhojmë të ardhme.
Dhe askush nuk do të mund të jepte zgjidhje duke shkruar disa radhë, por, me shpresën dhe dëshirën e mirë për të iniciuar një diskutim të gjerë dhe, ndoshta, për të nxitur një ndërveprim universitar, nëpërmjet disa vërejtjeve të drejtpërdrejta po hedh… një gur në lumë.
Këto vërejtje kanë të bëjnë, e para, me strukturën e universiteteve që diplomojnë mësues dhe, e dyta, me kategoritë e programeve të studimit apo me titujt e diplomave të mësuesisë.
Kështu, modelin më të keq (vërejtjet janë të drejtpërdrejta), për sa i përket mësuesisë, e ofron pikërisht universiteti më i madh i vendit, Tirana. Universiteti i Tiranës sot diplomon mësues pa pasur një strukturë të posaçme: pa pasur një fakultet edukimi apo një qendër ndërfakultetore të formimit të mësuesve. Në këto kushte nuk mund të kemi një filozofi të përbashkët për të gjitha fakultetet që të mund të ndihmonte në krijimin e një profili të qartë. Secili fakultet atje diplomon mësues me mënyrën e vet.
Po ashtu edhe Vlora, nuk ka një fakultet të edukimit, megjithëse ka një departament të tillë që përfshihet në Fakultetin e Shkencave Humane. Veçse, në Vlorë diplomon mësues edhe një fakultet i shkencave teknike.
Ndërsa në universitetet e tjera fakultetet e edukimit mbështeten në një patericë ose shërbejnë si patericë për një fakultet tjetër: në Korçë kemi një fakultet të Filologjisë dhe Edukimit, por kemi edhe një të Shkencave të Natyrës, që diplomon gjithashtu mësues; ndërsa në Elbasan e në Shkodër Fakulteti i Edukimit mban nën sqetull Fakultetin e Shkencave Sociale.
E ndërsa këto “zgjidhje” mund të justifikohen me vështirësitë e rritjes (përjashto Tiranën që është e rritur, por me “strukturën e munguar” vuan mungesën e reformimit), kur është fjala për programet e studimit dhe titujt e diplomave, është për t’u vënë re mungesa e një fryme bashkëpunimi dhe, në disa raste, një mungesë e theksuar përgjegjësie.
Sa për të tërhequr vëmendjen. Në një kohë kur provimi i licencimit të mësuesve është një për të gjithë, ndodh që:
për të diplomuarit në gjuhë-letërsi diku ofrohet një program i nivelit të dytë “Master shkencor në mësimdhënie” (praktikisht nuk diplomohen si mësues);
diku ofrohen mastera profesionalë për mësuesi në arsimin e mesëm të ulët (AMU) për të gjitha degët;
diku jepen diploma mësuesie për arsimin e mesëm të lartë (AML);
diku, për të arritur kulmin me çudinë shqiptare, kemi “Master shkencor në mësuesi”, madje edhe “Master shkencor në mësuesi për arsimin fillor”.
(praktikisht kemi tituj të ndryshëm diplomash për program të njëjtë studimi, dyvjeçar me 120 kredite, dhe ky mish-mash ndërmjet Vlorës, Korçës, Tiranës, Elbasanit dhe Shkodrës).
Nuk po zgjatemi me detaje të tjera, por po mjaftohemi këtu me hapjen e një diskutimi duke parashtruar për të diskutuar këto modalitete:
Mësuesi i ciklit fillor (CU) duhet të ndjekë një program të posaçëm studimi, si në bachelor, ashtu edhe në master profesional (më pas mund të ndjekë master shkencor në fusha studimi, si psikologji, pedagogji etj., jo master shkencor në profesion!);
Mësuesi i ciklit të mesëm të ulët (AMU) duhet të ndjekë minimalisht një program studimi në bachelor dhe një master profesional (sipas programit të zgjedhur ose në një program të përafërt);
Mësuesi i ciklit të mesëm të lartë (AML) duhet të ndjekë minimalisht një program studimi në bachelor, një master profesional (sipas programit të zgjedhur ose në një program të përafërt) dhe një master shkencor.
Është e kuptueshme që këto janë shumë pak në raport me problemet që mbart procesi i formimit të mësuesve, probleme që as mund të përmenden në një shkrim, por duhet të kërkojnë grupe pune nga universitetet e interesuara për t’i identifikuar e për të kërkuar zgjidhje. Ndoshta i takon edhe ministrisë të rishikojë gjithë ç’ka vendosur e firmosur tërë këto kohë, që të mund të riparojë atë që varet prej saj, pavarësisht vullnetit të deritanishëm të universiteteve.
Është koha të investojmë me të gjitha mjetet për mësuesin, se (për të qenë më cinik, nuk po them se investojmë për të ardhmen) kanë bërë më mirë …si monizmi, edhe monarkia (për të mos përmendur emra, duke qenë se, si të metat, edhe meritat, ne i personalizojmë me lehtësinë më të madhe dhe nuk i njohim aspak as meritën e as fajin kolektiv).”
*Universiteti “A. Xhuvani” Elbasan