Nga Albert Kurtulaj: Fëmijët e Kosovës shquhen për inteligjencë, kreativitet dhe potencial të lartë akademik

- Advertisement5 -

Fëmijët e Kosovës shquhen për inteligjencë, kreativitet dhe potencial të lartë akademik. Arritjet e tyre në gara ndërkombëtare dëshmojnë se kapaciteti ekziston.

- paragrafi 1 -

Megjithatë, kur bëhet një analizë krahasuese me sistemet arsimore të vendeve të Bashkimi Evropian, vërehen dallime të theksuara në nivelin e përgatitjes dhe në cilësinë e njohurive të fituara.

- Advertisement - M1

Këto dallime nuk lidhen me mungesë aftësish te nxënësit, por kryesisht me faktorë strukturorë të sistemit arsimor në vend. Së pari, infrastruktura shkollore në shumë zona nuk përmbush standardet bashkëkohore, mungojnë laboratorët funksionalë, hapësirat adekuate për aktivitete praktike dhe mjetet didaktike bashkëkohore.

Si rezultat, procesi mësimor mbetet kryesisht teorik, me pak mundësi për aplikim praktik të njohurive element kyç në zhvillimin e kompetencave të qëndrueshme.

Së dyti, organizimi i mësimit me dy ndërrime në shumicën e shkollave ndikon drejtpërdrejt në kohëzgjatjen dhe cilësinë e qëndrimit të nxënësve në ambientet shkollore.

- Advertisement - m2

Në terma krahasues, kjo nënkupton më pak orë mësimore efektive, më pak aktivitete jashtëkurrikulare dhe më pak mbështetje individuale krahasuar me bashkëmoshatarët në vendet e BE-së.

Një tjetër problematikë lidhet me mungesën e qasjes së diferencuar në mësimdhënie. Sistemi aktual, aplikon një model uniform për të gjithë nxënësit, pa u përshtatur me nevojat, ritmin dhe potencialin individual. Kjo qasje jo vetëm që nuk i zhvillon sa duhet nxënësit e talentuar, por mund të ndikojë edhe në dekurajimin e tyre.

Një dimension po aq i rëndësishëm është mungesa ose funksionimi jo i plotë i shërbimeve pedagogjike dhe psikologjike në shkolla. Në shumë institucione arsimore, numri i pedagogëve dhe psikologëve është i pamjaftueshëm ose roli i tyre mbetet formal.

Mbështetja profesionale për zhvillimin emocional, social dhe akademik të nxënësve është thelbësore, sidomos në fazat e hershme të identifikimit të vështirësive në të nxënë apo të talenteve të veçanta.

Gjithashtu, aktivitetet kulturore, artistike dhe sportive nuk trajtohen gjithmonë si pjesë integrale e formimit të gjithanshëm të fëmijës. Në sistemet më të avancuara arsimore, këto aktivitete konsiderohen komponent thelbësor i zhvillimit të kreativitetit, bashkëpunimit dhe vetëbesimit. Mungesa e investimit të mjaftueshëm në këtë drejtim kufizon përvojën edukative të nxënësve.

Një tjetër aspekt që kërkon vëmendje është organizimi i kontrolleve sistematike shëndetësore në shkolla. Monitorimi periodik i shëndetit fizik dhe mendor të nxënësve jo vetëm që ndihmon në parandalimin e problemeve shëndetësore, por kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e performancës akademike dhe mirëqenies së përgjithshme.

Në përmbledhje, potenciali i fëmijëve të Kosovës është i padiskutueshëm. Sfida qëndron në reformimin e thellë të sistemit arsimor, përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e kohës dhe cilësisë së mësimit, fuqizimin e komponentës praktike, funksionalizimin real të shërbimeve pedagogjike e psikologjike, shtimin e aktiviteteve kulturore dhe garantimin e kujdesit sistematik shëndetësor.

Vetëm përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse mund të krijohen kushte të barabarta zhvillimi dhe konkurrence me vendet e Bashkimit Evropian, duke shfrytëzuar plotësisht talentin që ekziston.

albb