Programi Ndërkombëtar i Vlerësimit të Nxënësve (The Programme for International Student Assessment (PISA) është një vlerësim ndërkombëtar i standardizuar, krahasues, i cili mat aftësitë e nxënësve 15-vjeçar, në Matematikë, Shkenca Natyrore dhe në Lexim. Ky studim përkon me faktin se, në këtë grup-moshë, në shumë vende të botës përfundon cikli i arsimit të detyruar. Vendi ynë ka marrë pjesë në gjashtë cikle, në vitin 2000, 2009, 2012, 2015, 2018 dhe 2021. Shqipëria që nga PISA 2018, e zhvillon vlerësimin me kompjuter (computer-based assessment), duke iu bashkuar shumicës së vendeve që kanë zgjedhur këtë metodë vlerësimi.
Studimi Kryesor (Main Study) për PISA 2025 do të zhvillohet me kompjuter, ku nxënësit do të testohen në 3 (tre) fushat kryesore (Matematikë, Lexim dhe Shkencë), ku Shkenca përbën fushën kryesore me mbi 50% të pyetjeve.
Studimi kryesor kërkon një kampion prej rreth 6.300 nxënësish nga klasa e 7-të e më lart, që i përkasin grup-moshës së kërkuar nga PISA. Ky numër nxënësish mund të përftohet afërsisht nga kampionimi i shkollave të AMU dhe AML në Republikën e Shqipërisë.
Vlerësimi i jashtëm i arritjeve të nxënësve ka për qëllim që të orientojë sa më qartë të gjithë vendimmarrësit e fushës së arsimit, që të ndihmojë nxënësit të mësojnë më mirë, të ndihmojë mësuesit që të zhvillojnë një proces nxënieje cilësor, si dhe ta bëjnë më efektiv sistemin arsimor në tërësi.
Përderisa, arritjet e nxënësve janë përgjithësisht, produkti final i të gjitha proceseve që ndodhin në shkollë, atëherë është e kuptueshme të themi se, cilësia e një sistemi arsimor nuk mund të jetë më e mirë se cilësia e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave të këtij sistemi, programeve dhe teksteve mësimore me të cilat punon ky sistem, si dhe e reformave dhe strategjive të hartuara dhe realizuara në të.
PISA është një vlerësim që bazohet tek aftësitë dhe jo në kurrikul. Sipas këtij studimi me aftësi kuptohet se çfarë janë të aftë të bëjnë nxënësit me njohuritë dhe kompetencat që zotërojnë. Ato lidhen me një grup aftësish që një individ duhet t’i ketë, në mënyrë që të jetë i suksesshëm në jetë.
Instrumentet matëse që përdor PISA me qëllim për të vlerësuar të lexuarit, matematikën dhe shkencat janë:
Testet e nxënësit;
Pyetësorët e nxënësit, të drejtuesit të shkollës, mësuesit apo prindit.
Në këtë studim nxënëseve u shpërndahen variante të ndryshme testesh brenda të njëjtit mjedis. Gjithashtu, nxënësit duhet të plotësojnë edhe një pyetësor me qëllim të mbledhjes së informacionit rreth vetes, familjes, shtëpisë, jetës, shkollës, orarit mësimor, kohës që shpenzojnë për të mësuar, qëndrimeve mbi leximin etj.
Studimi përqendrohet në faktin se sa mirë nxënësit 15 vjeçar i zbatojnë dijet e përftuara dhe aftësitë e tyre në jetë dhe jo në atë se sa ata i mbajnë mend këto dije të përftuara.
Sipas kornizës së përcaktuar nga PISA vlerësohen tre fusha:
shkenca,
matematika,
leximi.
Shkenca në PISA:
Shkenca në PISA përkufizohet si aftësia e një individi që zotëron njohuri shkencore për t’u përfshirë në çështje dhe ide të lidhura me shkencën. Një qytetar i tillë përfshihet në diskutime shkencore, të cilat kërkojnë aftësinë për të shpjeguar fenomene shkencore, vlerësimin e punës kërkimore dhe shkencore dhe interpretimin e të dhënave dhe fakteve shkencore.
Leximi në PISA:
Leximi në PISA përkufizohet si aftësia për të kuptuar, përdorur dhe arsyetuar në tekste të shkruara, me synim për të përfituar njohuri dhe aftësi që lidhen me realizimin e qëllimeve, zhvillimin e dijeve dhe aftësive për pjesëmarrjen në mënyrë sa më efektive në shoqëri.
Matematika në PISA:
Matematika në PISA përkufizohet si aftësia për të identifikuar, kuptuar dhe zotëruar njohuritë në këtë fushë, si dhe për të pasur gjykime të shëndosha mbi rolin që matematika luan në jetën aktuale dhe të ardhshme të individit, si një qytetar konstruktiv. Ndikimi i gjerë i matematikës në jetën e njerëzve nuk kufizohet vetëm tek veprimet mekanike. Ajo ka kuptimin e aftësisë për t’i vendosur në përdorim dijet dhe zotësitë matematikore dhe jo vetëm zotërimin e tyre brenda kurrikulës së shkollës.
Ndarja e niveleve në PISA sipas kompetencave:
Në PISA kompetencat janë ndarë sipas disa niveleve, ku secili nivel tregon aftësitë dhe njohuritë që kanë nxënësit që i përkasin atij niveli.
Përmbajtja e vlerësimit PISA:
Një numër i caktuar nxënësish në shkollën e përcaktuar nga organizatorët e PISA do të zgjidhen rastësisht për të marrë pjesë në testim. Testi zgjat 2 orë e 15 minuta dhe zhvillohet me bazë kompjuterike. Ai përmban pyetje mbi leximin, shkencën, dhe matematikën.
Pyetësori i nxënësit ekzaminon qëndrimin e nxënësit kundrejt të mësuarit dhe eksperiencat e nxënësit në jetë. Nxënësve të përzgjedhur për të bërë testin do t’iu kërkohet po ashtu të plotësojnë një Pyetësor 35-minutësh në kompjuter ose menjëherë mbas provimit ose në një kohë të mëvonshme.
Shpërndarja e Modeleve testesh/pyetjesh
Testet e PISA nuk lidhen drejtpërdrejt me kurrikulën shkollore. Ato vlerësojnë se në çfarë mase nxënësit mund t’i zbatojnë njohuritë e tyre në situata reale në jetë, në fund të arsimit të detyrueshëm, dhe sa janë të gatshëm ata për t’u bërë pjesë e integruar në shoqëri. Sot ekonomia botërore nuk kërkon tek individi se çfarë di, por se çfarë di ai të bëjë, me njohuritë që zotëron.
QSHA u shpërndan shkollave modele testesh pyetjesh dhe atopunojnë me nxënësit me modele të tilla të pyetjeve të PISA të cilat përdoren, në mënyrë që nxënësit të njihen dhe familjarizohen me natyrën e testit.Nga ana e QSHA-së merren të gjitha masat për të ndihmuar shkollat e përzgjedhura, duke u dërguar materiale informuese lidhur me vlerësimin, teste të PISA, të përgatitura nga QSHA-ja, për tu njohur me natyrën dhe llojin e pyetjeve të vlerësimit. QSHA u kërkon shkollave të përzgjedhura që informacionet për PISA të vendosen edhe në këndin informativ të tyre dhe të motivohen nxënësit lidhur mbi këtë vlerësim ndërkombëtar.
Sensibilizimi i aktorëve të përfshirë në proces
Duke pasur parasysh rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij vlerësimi ndërkombëtar, ku Shqipëria renditet me të gjitha vendet pjesëmarrëse në vlerësim, duhet që institucionet dhe individët e përfshira të kryejnë me cilësi të lartë të gjitha detyrat, me qëllim mbarëvajtjen sa më të mirë të procesit.drejtuesit e ZVAP-ve, DRAP-eve, Koordinatorët Rajonal, të cilët duhet të jenë punonjës me formim IT, Koordinatorët e Shkollave (KSH) dhe Administratorët e Testit (AT) duhet të kryejnë me angazhim maksimal dhe përgjegjësi të plotë detyrat e tyre që lidhen me PISA 2025, ku preferohet që ata të jenë me formim IT.KSH dhe AT janë tëdetyruar të lexojnë dhe të përvetësojnë manualet përkatëse dhe udhëzimet e dhëna në trajnim nga QSHA. KSH dhe AT duhet të sigurohen që secili nxënës të përfundojë vlerësimin brenda kohës së duhur, ku të sigurohen që secili nxënës i ka shkuar deri në fund plotësimit të Sesionit 1 (testimi mbi njohuritë) dhe pas kësaj të vijojë me plotësimin e Sesionit 2 (Pyetësorët), duke shkuar deri në fund të plotësimit të tyre.
Ndërgjegjësimi dhe motivimi i nxënësve të përfshirë në proces
Është shumë e rëndësishme që të merren të gjitha masat për të ndërgjegjësuar nxënësit që marrin pjesë në PISA mbi rëndësinë e këtij testimi. Kjo mund të zhvillohet në forma të ndryshme, me anë të posterave të ndryshme, sensibilizimit të tyre në shkolla, ku mësuesit duhet të ndërgjegjësojnë nxënësit që marrin pjesë në PISA mbi rëndësinë e këtij vlerësimi ndërkombëtar, ku nëpërmjet këtij testimi nxënësit shqiptarë krahasojnë rezultatet e tyre më nxënësit e vendeve të tjera nga e gjithë bota dhe me rezultatet të larta ata nderojnë vendin dhe veten e tyre.
KSH dhe AT duhet të sigurohen ditën e testimit që secili nxënës të përfundojë vlerësimin brenda kohës së duhur, dhe të sigurohen që secili nxënës i ka shkuar deri në fund plotësimit të Sesionit 1 (testimi mbi njohuritë) dhe të Sesionit 2 (Pyetësorët), duke shkuar deri në fund të plotësimit të tyre. Gjithashtu, të komunikojnë me nxënësit që t’u përgjigjen të gjitha pyetjeve me njohuritë që ata zotërojnë.
Çfarë duhet të kenë parasysh nxënësit pjesëmarrës në PISA 2025:
- Testi përmban pyetje nga fusha e matematikës, leximit dhe shkencës, ku kjo e fundit zë numrin më të madh të pyetjeve;
- Testimi zhvillohet me kompjuter, ku nxënësit pjesëmarrës duhet të jenë të familjarizuar me përdorimin e kompjuterit.
- Nxënësit të lexojnë me kujdes pyetjet dhe tu përgjigjen të gjitha pyetjeve sipas njohurive që zotërojnë.
- Brenda afatit që zgjat testimi, nxënësit mund të ndryshojnë përgjigjet.
Disa nga rekomandimet kryesore që rezultojnë nga ciklet e mëparshme të PISA:
Më poshtë jepen një grup rekomandimesh për të ndikuar në përmirësimin e arritjeve të nxënësve.
- Rritja e aksesit në një arsim cilësor për të gjithë. Hartimi i politikave arsimore të zbatueshme, duke u kombinuar me barazinë në edukim mund të përmirësojnë ndjeshëm arritjet e nxënësve.
- Rritja e shpenzimeve publike në arsim jo gjithmonë është e lidhur domosdoshmërisht me rezultate më të larta. Rezultatet e PISA-s tregojnë se më shumë se shpenzimi për student, rezultatet e mira kërkojnë më shumë se sa thjesht mjete monetare. Mënyra se si këto burime shpërndahen është po aq e rëndësishme sa edhe sasia e këtyre burimeve.
- Mund të përdoren politika të caktuar për nxënësit me performancë të ulët nëpërmjet ndihmave ekonomike ose burime shtesë arsimore. Këto lloj programesh realizohen për të ndihmuar nxënësit duke u bazuar në nivelin e tyre familjar social dhe ekonomik. Të drejtohen burimet arsimore dhe mësuesit e kualifikuar në mënyrë që të përfitojë kjo kategori nxënësish.
- Zvogëlimi i diferencave në arritje ndërmjet vajzave dhe djemve. Duhet të ndërmerren hapa konkret për të zvogëluar këtë diferencë.
- Zvogëlimi i përqindjes së nxënësve që performojnë dobët duke marrë masa dhe veprime të duhura. Duhet të ketë stimuj për të siguruar që mësuesit më të mirë të merren me nxënësit më të vështirë.
- Mbështetje të gjerë të përfshirjes së nxënësve në shkenca.
- Përmirësimi i aftësive dhe qëndrimeve të nxënësve për të nxitur përfshirjen gjatë të gjithë jetës në shkenca.
- Sfidimi i të gjitha stereotipave që lidhen me profesionet e shkencës në mënyrë që të ndihmohen djemtë dhe vajzat për të arritur potencialet e tyre në këtë fushë.
- Ndërtimi i politikave duke u mbështetur në analiza se si statusi ekonomik dhe social ndikon në performancën e nxënësve dhe cilat janë diferencat në performancë që kanë të bëjnë me pabarazitë sociale dhe ekonomike. Duhet të ketë vëmendje të veçantë për nxënësit me prejardhje të varfër dhe ata që jetojnë në zonat rurale
- Alokimi i burimeve të veçanta për të ndihmuar shkollat që kanë numrin më të madh të nxënësve me rezultate të dobëta në PISA.
- Nxitja e qëndrimeve pozitive ndaj të mësuarit të shkencës.
- Zvogëlimi i diferencave në përmbajtjen e lëndëve shkencore në shkolla, duke ofruar standarde kurrikulare të njëjta.
- Nxënësit që kanë frekuentuar klasat parashkollore kanë rezultate shumë më të mira se nxënësit që nuk kanë frekuentuar këto klasa. Prandaj të merren masa që sa më shumë nxënës të regjistrohen në klasat parashkollore.
- Shkollat me shumë mësues për numër nxënësish kanë arritje më të mira se shkollat me më pak mësues për numër nxënësish. Të synohet drejt reduktimit të numrit të nxënësve për klasë.
- Pabarazitë social ekonomike janë shumë të lidhura me karakteristikat e nxënësve dhe të shkollave dhe rrjedhimisht edhe me arritjet e tyre në PISA. Kjo nënkupton që pavarësisht nivelit social ekonomik të nxënësve, shkollat duhet të ofrojnë të njëjtat kushte për të gjithë nxënësit, edhe për ata me që vijnë nga shtresa më të varfra.
- Të zbatohen më shumë politika universale për të rritur standardet për të gjithë nxënësit. Këto politika përfshijnë ndryshimin e kurrikulave, përmirësimin e teknikave të mësimdhënies.
- Të hartohen politikat e duhura dhe të zbatohen ato lidhur me përfshirjen e nxënësve që margjinalizohen në rrjedhën kryesore të klasës apo shkollës. Këto politika synojnë të përfshijnë nxënësit që izolohen për shkak të nivelit të tyre social ekonomik në një sistem ku ata të ndihen të barabartë me nxënësit e tjerë.
- Ndërmarrja e reformave me qëllim përmirësimin e stafeve mësimore dhe shkollave. Në sistemin arsimor duhet të jenë mësues të kualifikuar, dhe duhet të sigurohet që ata vazhdimisht të zhvillohen profesionalisht gjatë të gjithë karrierës së tyre.
- Sipas rezultateve të PISA shkollat me më shumë autonomi mbi kurrikulën kanë arritje më të mira se shkollat me më pak autonomi. Të hartohen politikat e duhura arsimore për të siguruar një ekuilibër ndërmjet autonomisë së shkollës dhe llogaridhënies, lidhur me cilësinë e mësimdhënies.
- Sistemet arsimore në një përqindje të lartë të nxënësve që shkojnë vonë në shkollë apo lënë orët e mësimit kanë arritje shumë të ulëta. Të merren masat e duhura për të shmangur fenomene të tilla.
- Puna e mësuesit duhet të përqendrohet kryesisht në zhvillimin e kapaciteteve vëzhguese për zgjidhjen e problemeve, duke përdorur mjete konkrete didaktike.
- Nxënësit duhet të aftësohen në nivele të larta të kompetencave, ku kërkohet mendimi kritik, arsyetimi, interpretimi, përgjigjja personale, zgjidhja problemore.
- Duhet të hartohen programe trajnuese që lidhen me strategji të procesit të nxënit në klasë dhe të vlerësimit të arritjeve të nxënësve.
- Ri konceptim i tekstit të nxënësit në lidhje me mënyrën se si duhet t’u mësohen kompetencat.
- Mësuesi duhet ta orientojnë orën e mësimit në zhvillimin e veprimtarive praktike, me qëllim që nxënësi të nxërë duke punuar.
© Portali Shkollor