Puna e një mësimdhënësi nuk matet vetëm me orët e mbajtura në klasë. Ajo është një proces i vazhdueshëm që fillon me përgatitje të detajuara dhe vazhdon me përkushtim të pandërprerë në çdo aspekt të jetës shkollore.
Përgatitja e planeve vjetore, dymujore dhe javore, hartimi i planeve të orës mësimore, kërkon kohë, profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë. Përveç kësaj, mësimdhënësit janë pjesë aktive e jetës institucionale përmes pjesëmarrjes në mbledhje me prindër, në aktive profesionale, në këshilla të klasave dhe në Këshillin e Mësimdhënësve, ku kontributi i tyre është thelbësor për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor.
Një rol i veçantë i takon edhe kujdestarit të klasës, i cili përveç aspektit mësimor, kujdeset për zhvillimin social dhe edukativ të nxënësve. Të gjitha këto përgjegjësi shoqërohen me një administratë të ngarkuar, e cila kërkon saktësi, përpikëri dhe angazhim të vazhdueshëm.
Duke pasur parasysh këtë ngarkesë dhe rëndësi të madhe të profesionit, është e domosdoshme që performanca e mësimdhënësve të vlerësohet në mënyrë të drejtë dhe objektive, duke u bazuar si në përmbushjen e detyrave ashtu edhe në rezultatet konkrete në punë.
Një sistem i drejtë vlerësimi duhet të reflektohet edhe në paga. Nuk është e drejtë që paga të jetë e njëjtë për të gjithë – si për ata që japin maksimumin dhe arrijnë rezultate të larta, ashtu edhe për ata që nuk i përmbushin detyrimet në nivelin e duhur.
Vetëm përmes një vlerësimi të drejtë dhe një diferencimi të merituar në paga mund të nxitet konkurrenca pozitive, të rritet motivimi dhe mbi të gjitha, të përmirësohet cilësia në arsim – që është synimi ynë i përbashkët.
